Thursday, 15 June 2023

Kurti, Rama dhe çështja shqiptare (2)

 


(vijim)

Megjithëse në të dy shoqëritë shqiptare mbizotëron ndjenja e atdhedashurisë dhe e një bashkimi të mundshëm, ka disa arsye që qëndrimet për çështjen shqiptare nuk janë të njëjta. E para është mungesa e një lidhje të fortë shpirtërore të shqiptarëve të Shqipërisë (sidomos të Jugut) me shqiptarët e Kosovës për shkak të izolimit pesëdhjetvjeçar. Ishte një izolim që nuk sillte asnjë lidhje martesore, asnjë lidhje miqësish të afërta, të cilat janë të domosdoshme në ngjizjen e unitetit të një populli. Regjimi i Hoxhës edhe pse herë pas here fliste për Kosovën, ndaj Kosovarëve në Shqipëri ushtronte represion, ndaj edhe ishte krijuar një përshtypje e rreme në popull se me të shumtët e tyre ishin agjentët e UDB-së.

Arsyeja tjetër është se elitat politike të të dy vendeve (veçanërisht e shtetit amë) janë të përqëndruara në përfitimet e tyre personale brnda “parcelës” dhe kjo i bën të pandjeshëm ndaj problemeve të veçanta, që kanë dy shtetet shqiptare. Nano jo vetëm takohej me Millosheviçin në një kohë që shumica e shqiptarëve të Kosovës këtë nuk e miratonin, por kishte dhe një orientim më tepër drejt europianëve se sa amerikanëve, që nuk ishte plotësisht në interesat imediate të Kosovës; Berisha përpos që kishte thyer bllokadën e naftës ndaj Millosheviçit kishte një qëndrim të njëanshëm ndaj një grupimi politik kosovar dhe pat qënë edhe kundër marëveshjes së Rambujesë; Rama është përpjekur vazhdimisht të ndjekë një politikë paternaliste ndaj Kosovës pa u këshilluar thuajse kurrë me shqiptarët atje për problemet e Republikës së Kosovës dhe politikën panshqiptare.

Arsyeja e tretë është se dhe vetë Amerika dhe BE nuk janë të qartë në planin e të ardhmes së Ballkanit. Rajoni është i komplikuar dhe ka jo vetëm përplasje interesash të të mëdhenjve, por edhe paqartësi se si do jetë një Ballkan i ardhshëm. Qarkullojnë projekte (dhe jo pa rëndësi), që të krijohen tre qendra të mëdha në Ballkan dhe që do jenë Kroacia e Madhe, Sërbia e Madhe dhe Shqipëria e Madhe. Kjo nënkupton “gëlltitjen”e Maqedonisë, Bosnjës dhe Malit të Zi. Një projekt i tillë mund të jetë joshës për disa nga politikanët shqiptarë, por mund të jetë i papranueshëm për disa të tjerë, se balancat e sotme nuk mund të prishen lehtë pa sakrifica të mëdha të popujve të tjerë në Ballkan.

Sigurisht që lufta në Ukrainë pati efektet e saj në çështjen e Kosovës dhe atë shqiptare në përgjithësi. Por edhe para saj, në mënyrë absurde dy shtetet shqiptarë nuk ishin të koordinuar për çështjen e “Open Balkan”. Tek këto qëndrime të kundërta ze fill çarja e madhe midis dy qeverive shqiptare. Ishte e domosdoshme që në atë Forum ose shkonin të dy bashkë ose të mos  shkonin fare. Nëse nuk je në gjendje të kuptohesh dhe të shtrosh të mirat dhe të këqijat e një kompleksi marëveshjesh me një shtet vëlla nuk ke se si të merresh vesh me fqinjët. Unë nuk jam kundër marëveshjeve dhe negocimeve, por në rradhë të parë këto bëhen me aleatin më të afërt.

Pa justifikuar Albin Kurtin, tek i cili nuk jam në gjendje ende të kuptoj se ku ze fill marksisti i tipit Varufakis dhe ku përfundon patrioti sovranist, duhet të theksoj se gabimet më të mëdha edhe në acarimet e fundit janë të Ramës. Nuk dua të besoj se ai ndikohet nga sërbët, por duke qënë një politikan me dosje korrupsioni në “zyrat e më të mëdhenjve”, kam përshtypjen se është më pak i pavarur se Kurti në bisedimet me të tjerët. Të gjithë politikanët që kanë “skelete në dollapet e tyre” janë të shantazhueshëm. Edhe nëse Ramës nuk ja kujtojnë në takimet kokë më kokë, dihet edhe nga ai edhe nga ata që është më pak rezistues ndaj një projekti që duhet të kalojë shpejt sipas interesave të çastit të më të mëdhenjve.

Përsëri nuk mund të them me bindje se cili është qëndrimi më i mirë ndaj çështjes shqiptare, por fakti që paraqitemi të përçarë na dobëson në tavolinat ku vendosen fatet e popujve dhe të shteteve. Ka edhe një të metë tjetër të madhe, për të cilën nuk mund të fajësojmë vetëm Ramën dhe Kurtin.

Nuk kemi një platformë solide të çështjes shqiptare për dhjetvjeçarët që po vijnë.

(vijon)

No comments:

Post a Comment