Titulli është një përshtapje e thënies brilante të të ndjerit PSB. Po dal pak nga tema e Niqkës për të thënë se asgjë nuk po bëhet për të botuar trashëgiminë gojore filozofike të korçarit të shquar, projekt ky i nisur nga Koki i Parë - Ruajtësi i Traditave. Diçka nuk funksionon si duhet në DMTK të Korçës, që ende nuk po boton vëllimin e parë me thëniet e figurës së njohur poliedrike.
Kjo thënie më shkoi në mendje kur mësova se kanë arrestuar
Gjushin. Nuk u gëzova, se nuk është mirë të gëzohesh, kur arrestohet dikush dhe
për më tepër Gjushin e kemi të sektorit tonë të ndërtimit. Por u gëzova se më
shkoi në mendje Niqka, i cili ndonëse punon me vetmohim nuk ka asnjë dosje të
hapur në SPAK, apo në ndonjë prokurori tjetër. Thashë me vete se ja ç’bën sjellja
me urtësi, buzëqeshje, fjalë të bukura dhe pak jargë që i varen gojës. Dosje me
paudhësira – Zero.
Se ndonjë dumbarallëk të mesëm edhe e ka bërë Niqka i Rilindjes,
por e ka bërë në kohën e duhur, në vendin e duhur dhe në mënyrën e duhur. Vetëm
kështu ka arritur të “pijë sisë“ edhe në Tëtëma e Korçës dhe në Tëtëma e
Mbrojtjes. Se dhe të mos lëpijë pak gishtat , kur i ka duart thellë në qypat me
mjaltë nuk është e mundur. Por ama gjithshka sipas rregullave. (Kjo më kujton
një trainer futbolli të njohur të anëve tona, që në një ndeshje në Tiranë ju thërriste
mbrojtësve të tij: “Bjeruni këmbëve!”
dhe më pas si për të qetësuar tifozët kundërshtarë që e dëgjonin të tmerruar
shtonte: “Po brenda rregullave!”)
Se këta Rilindasit e tjerë (tani sikur e quajnë veten Përparista)
janë lëshuar në çdo Ministri dhe Bashki të rrëmbejnë pa kriter. Por jo në
Ministritë, që ka drejtuar Niqka. As dhe në Bashkinë e Korçës. Ndaj kjo më ngazëllen
edhe mua, që vend e pa vend i kam sulmuar, por në fund kam shtuar ; “Pavarësisht nga ndonjë e metë, e përgjithshmja
është pozitive!”
Ndaj me këtë pozitivitet punët e drejtuara nga Niqka do
shkojnë gjithnjë e më përpara. Se edhe Gjushi i vuri në vijë punët në Durrës,
por sipas thënieve të avokatit të tij tani është i stresuar. E stresuar është
dhe Sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Shëndetsisë, e cila nuk kishte
refuzuar një zarf, për të cilin i kishin thënë se kishte diçka të ëmbël brenda
dhe ajo kishte kujtuar se ishte një çokollatë. Në fakt zarfi kishte brenda “një
tufë me Asdrena”, që e ka bërë tani të jetë e stresuar.
Nuk është i stresuar Niqka ynë, gjë që na e bën edhe më të
lehtë jetën neve, që i dhamë edhe njëherë votën për të na udhëhequr drejt
horizonteve të ndritura.
No comments:
Post a Comment