Ndoshta ka edhe një përbërës të karakterit psikologjik të shqiptarëve me atë c’ka po ndodh me Partinë demokratike. Duket që si popull ne kemi një raport shumë të sikletshëm me Vdekjen. Mbase pasojë e një kohe të gjatë nën një Diktaturë ateiste, që përmbysi një koncept tradicional të raporteve të njeriut me jetën dhe vdekjen.
Duket si një lloj analize tejet e sforcuar, por nuk kam se
si të shpjegoj atë ç’ka ndodhi më 1992 me Partinë e Punës (e cila duhet të
ishte shpërbërë-pra të kishte vdekur). Shqiptarët u munduan t’i bënin një
makiazh dhe ndonëse ja bënë me programe gjoja eurosocialiste, ajo është sërish
një Zombie, që vepron po njëlloj si para makiazhit. Një piramidë, e cila
kontrollohet plotësisht nga kreu i saj.
Por le të kthehemi tek shqiptarët që kanë krijuar partinë
opozitare , kanë milituar në të dhe i tremben vdekjes së saj. Një parti që
duhej të ishte shpërbërë që në vitin 1997, pas asaj “katrahure” që bëri në
Shqipëri, por n donëse e sëmurë rëndë, hiqte herë pas here dhe i “ringjiste”
pjesë të saj sikundër ishin ish-Aleancistët, Selamistët, Polloistët, Topallistët
dhe më vonë të tjera ndarje dhe rindarje.
Tashmë ka dy vjet që nuk është në gjendje të pranojë që është
në koma dhe duhet vendosur t’i hiqen tubat, për të vdekur në paqe dhe të
rikrijohen një, dy ose tre parti të tjera, serioze me një program të qartë, që
mund të jetë i Qëndrës, i Djathtë apo dhe shumë Konservator.
Që partitë të sëmuren rëndë dhe të vdesin është normale në
botë, duke përjashtuar këtu Amerikën, e cila edhe pse ka një demokraci të shëndoshë
nuk le hapësira për parti të tjera që mund të rivalizojnë dy kryesoret, të
cilat herë pas here kalojnë krizat e tyre por nuk vdesin. Nuk ka arsye të
shkojmë shumë larg, por mjaft të nxjerrim mësime nga dy vende mesdhetare, që
erdhën pas një të shkuare politike totalitare dhe që janë Italia dhe Greqia.
Demo-kristania italiane, që drejtoi vendin për disa dhjetvjeçarë nuk figuron më
në spektrin politik italian. Thuajse fat të njëjtë me të pati PASOK në Greqi, që
pasi drejtoi vendin për disa legjislatura pas vitit 1974, tashmë me vështirësi
del parti e tretë në vendin fqinj.
Vështirësia e jonë (gjë që e kam përsëritur shpesh në shënimet
e mia) është sa psikologjike aq edhe nga mungesa e një stofi (textile) i shoqërisë
shqiptare. Në të (për shkak të diktaturës ekstreme) nuk ka as shtresa të
caktuara, as klasa, as organizime të fuqishme, pra as “ind as majë“, të cilat të
jenë premisat për të pasur organizime politike të një profile dhe të një
ideologjije të caktuara. Ndaj duke mos patur “organizma të gjalla” të një profili
të caktuar dhe me një psikologji kolektive normale nuk mund të ketë as “vdekje”
të tyre. Sepse njerëzit që merren me politike varen tek strukturat (forma) dhe
jo në thelbin e një lëvizje politike. Për ta struktura është gjithshka sepse
ajo ju garanton mbijetesën në politikë.
Ndaj dhe PD-ja do jetë vazhdimisht në koma dhe do duhet një
mrekulli që t’i dalë shpirti. Dhe kur nuk ka vdekje ka ngordhje!
No comments:
Post a Comment