Saturday, 17 June 2023

Kurti, Rama dhe çështja shqiptare (fund)

 


(vijim)

Deri tanimë nuk duket kërkund të ketë një platformë serioze se çdo bëjnë shqiptarët për të patur një shtet të tyre më të madh dhe të konsoliduar. Do përpiqen të bashkohen nën kornizën e bashkimit Europian? Do vazhdojnë te jetojnë në shtetet e tyre diku si shumicë dhe diku si minoritete? Do jenë tërësisht të orientuar ndaj Amerikës dhe Brukselit apo do ndjekin një politikë të jashtme më elastike? Cili do jetë raporti i tyre me Turqinë dhe vendet e Konferencës Islamike? Do bëjnë marëveshje me lëshime të dyanshme me fqinjët?

Këto janë disa nga dhjetra pyetjet që duhet t’ju japë përgjigje një platformë mbarëshqiptare e hartuar nga akademikë, diplomatë, ekonomisë dhe historianë seriozë. Fakt është që Tirana(e cila duhet të udhëhiqte krijimin e saj) nuk ka një të tillë dhe sjelljet herë folklorike, herë grindavece dhe herë servile ndaj Perëndimit janë varur nga Berisha, Nano, Rama dhe këshilltarët e tyre për politikën e jashtme. Kjo ka qënë një barrë e rëndë për supet e tre njerëzve të arsimuar në shkollat komuniste të Diktaturës dhe që po mësojnë politikën dhe diplomacinë në këto vite. E njëjta vlen për Presidencën e Shqipërisë, që mund të ketë më shumë kohë për të udhëhequr një projekt të tillë, por është drejtuar nga nga njerëz pa vlera ose militantë të një partie politike.

I vetmi traktat politik i botuar për çështjen shqiptare mbetet ai i Sami Frashërit “Shqipëria ç’ka qënë, çështë dhe çdo të bëhet”, që është shkruar 125 vjet më parë. Më pas ka një boshllëk edhe në kohët kur shteti shqiptar ishte i stabilizuar, si gjatë gjysëm-diktaturës së Zogut dhe diktaturës së Hoxhës. Ndaj dhe kushdo që vjen në krye mund të ndjekë një politikë të jashtme si e mendon në interesin e tij personal, sipas formimit të tij amatoresk ose jo dhe shpesh në varësi të rrethanave të çastit. Nuk ka shtylla bazë të cilat të mbeten të pandryshuara pavarësisht se cilës parti do i besohet drejtimi i Shqipërisë, për një mandat ose më shumë.

Mund të pyetet me të drejtë se për ç’platformë mund të bëhet fjalë, kur nga Shqipëria dhe Kosova të rinjtë po mundohen të ikin në masë?

Por ndoshta edhe mungesa e një platforme dhe e zbatimit të saj mund të jetë një nga arsyet që të rinjtë e shohin pa të ardhme rajonin tonë. Fuqizimi i një Kombi, që varet jo vetëm nga forca ekonomike, por edhe nga uniteti, edhe nga prestigji që ka në botë, edhe nga të pasurit stabilitet është një arsye që njerëzit mos braktisin vatrat dhe njerëzit e tyre.

Acarimet e fundit Kurti - Rama dëshmuan edhe një herë se sa larg janë fjalimet patriotike nga veprat. Dëshmuan edhe një herë se Edi Rama mund të shesë këdo, kur vjen rasti që t’i preket interesi i tij personal apo t’i cënohet sadopak figura e tij në sytë e opinionit shqiptar dhe atij botëror.

Mbetet një udhëheqës që nuk meriton të jetë i tillë, pikërisht sepse i mungojnë cilësitë bazë dhe që janë dashuria për njerëzit, dhimbshuria për ta dhe çështjet e rëndësishme njerëzore të popullit të tij dhe të popujve të tjerë. Me zgjuarsinë e një intriganti ai është munduar të sillet “poltikisht-korrekt” në takimet me ndërkombëtarët duke mos aplikuar brenda vendit dhe bashkësisë panshqiptare asnjë nga parimet bazë të shoqërive të përparuara perëndimore. Me një fjalë është dikush që do ngjallë akoma më shumë përçarjen ndaj shqiptarëve, sepse të tillë karakter ka dhe kështu e ka ndërtuar karrierën e tij prej politikani.

A do rrëzohet Kurti para Ramës apo do ndodhë e kundërta?

Me gjithë të metat, Albin Kurti sjell diçka të mirë në shoqërinë shqiptare, kurse Edi Rama veç të këqia.

No comments:

Post a Comment