Wednesday, 14 June 2023

Berlu iku. “Gjet’të xhehnemin hapur!”


Shprehja e anëve tona :”Gjet’të xhehnemin hapur!” përdoret kur mësohet lajmi se ka vdekur dikush me një emër jo të mirë. Eshtë më e rëndë se shprehja “La armët varur!” e cila ka një lloj ironie. E para është më e afërt me mallkimin.

Më duhet të pranoj se kjo më shkoi ndërmend kur mësova për shuarjen e tij. E njëjta më kishte shkuar kur vranë mikun e Berluskonit, Omar Kadafin. Ndonëse krimet e të dytit nuk mund të krahasohen me “paudhësitë“ e të parit, sërish, veç keqardhjes që mund të ndjesh për familjarët e të ndjerit, është mirë të thuash se “bota është më e mirë pa Berluskonin”.

Ndikimi i tij ka qënë negativ jo vetëm në brezat e rinj të Italisë, por edhe të shumë vendeve europiane, sidomos atyre të Europës Lindore. Ndoshta po të kishte ndenjur në botën e tij të biznesit dhe të futbollit, ndikimi i tij nuk do ishte aq i madh. Por Berlu, për tu mbrojtur nga Drejtësia italiane, zgjodhi të hynte në jetën politike duke u bërë shëmbull i hedonizmit maskilist dhe etjes për para dhe sukses duke shkelur mbi çdo lloj skrupulli. Ai u mundua t’i kthente në normale ato çka njerëzimi ka dhjetra shekuj që mundohet t’i luftojë - grykësinë për para, për të shfrytëzuar të tjerët dhe për të përdorur femrat. Ishte një lloj rikthimi në monarkët dhe krerët katolike të Mesjetës. Dhe këtë jo vetëm që nuk mundohej ta fshihte, por e manifestonte hapur madje ja u sugjeronte edhe të rinjve.

Një pjesë jo e vogël e italianëve tallej me të, por e ndryshme ishte gjendja në Europën Lindore të dalë nga Diktatura Komuniste, ku Berlu shihej si “heroi” i sistemit kapitalist. E gjithë Tirana ishte e mrekulluar me Berluskonin madje të shtuquajturit të majtë- Nano dhe Rama e deklaronin edhe në shtyp adhurimin që kishin për Silvion. Ende ka lokale në Tiranë dhe Durrës të quajtur “Berluskoni”.

Po ku qëndron e keqja e shembullit të Berluskonit?

Tek ne (dhe në vendet e tjera ish-komuniste) ka një bjerrje të plotë të moralit njerëzor. Shoqëritë e post-ateizmit kanë tani për Perëndi vetëm Paratë, Lluksin dhe Seksin dhe sigurisht mes shënjtorëve të kësaj lloj “feje”, Berlu është ndër më të shquarit. Edhe pse hiqej si liberal, sjellja e tij në politikë ishte ajo e një politikani autoritarist dhe miqtë më të afërt të tij ishin Putin, Kadafi dhe të tjerët si ata. Ndaj pjesa më e madhe e trashëgimisë së tij politike është e kalbur.

Eshtë e natyrshme, që edhe “xhehnemi” i politikanëve të ketë rrathët e tij dhe ndoshta Berlu nuk do jetë pranë Hitlerit, Duçes, Stalinit dhe Maos, madje as pranë Borxhiave, Kadafit apo Kaligulës, por mbase mund të ndjehet mirë pranë Katerinës së Rusisë, Kazanovës dhe Rasputinit. Në rrathët më pranë Purgatorit.

 

No comments:

Post a Comment