Na pëlqen apo nuk na pëlqen, shprehja “Ballkani- fuçi baruti” është një shprehje e goditur. Ndoshta të tilla “fuçi” ka edhe në vende të tjera të Globit, por ne na bëhet vonë për këtë “fuçinë“ tonë, që gjithashtu është edhe shumë e rëndësishme për Perëndimin.
Të paktën prej viteve të “luftërave ballkanike” të fillimit
të shekullit të XX-të, periudhat e paqes në Ballkan kanë qënë të pakëta. Më të
gjatat janë ato të kohëve të Diktaturave komuniste dhe fashiste në thuajse të
gjitha vendet Ballkanike. Për shkak të “luftës së ftohtë“ regjimet e e vendeve
ballkanike ishin të detyruar të mbanin një ekuilibër në marëdhëniet me fqinjët
dhe të shtypnin popujt brenda shteteve të tyre.
Ka diçka tepër të komplikuar në Ballkan për të cilën është vështirë
të bësh ndarjen në fajtorë të mëdhenj e fajtorë të vegjël, duke përfshirë këtu
edhe Fuqitë e Mëdha, të cilat kanë kontribuar jo pak në strukturimin dhe
destrukturimin e kësaj “fuçie baruti”.
Të gjitha vendet
ballkanike hiqen “viktima”!
Mund t’i numurojmë pa anjë hezitim të gjitha, duke nisur me
sllovenët në veri dhe duke përfunduar me grekët në jug. Të gjithëve ju janë
marrë trevat e tyre, të gjithë kanë vuajtur nga kriminelët fqinjë, ju janë mohuar të drejtat e popujve të tyre,
nuk ju është njohur sa duhet kontributi, Fuqitë e Mëdha kanë qënë në anën e
armiqve të tyre etj.etj.
Pra ka aq të vërteta sa edhe shtete të Ballkanit. Asnjë nga
këto shtete nuk ka kurajon e nevojshme të thotë “Kemi vuajtur të gjithë e të gjithë kemi bërë krime- le të hapin përfundimisht
kapitullin e paqes!” Patën bërë krime ndaj njëri tjetrit edhe popujt e
Europës Perëdimore, por nxorrën mësime nga hisoria pasi humbën në disa luftëra
breza të tëra të rinjsh. Eshtë një shembull që duhet kuptuar në rradhë të parë
dhe duhet zbatuar.
Shtetet e ish-Jugosllavisë nuk nxorrën mësime as nga luftërat
mes tyre të viteve ’90. Vazhdojnë me të njëjtën frymë nacionaliste të “fryrjes
së gjoksit” dhe të ankimit për padrejtësitë që ju janë bërë. Pa lënë të dëgjohen
zërat e arsyeshme brenda shoqërive të tyre.
Idea për një Ballkan të demilitarizuar jo vetëm që nuk është
e mundur , por duket plotësisht naïve në këtë klimë, kur të gjithë vazhdojnë të
rritin buxhetet e armatimeve.
Cfarë i duhet Turqisë të ketë ushtrinë e dytë në NATO? Më të
madhe se të Francës dhe të Anglisë. Nga cila fuqi ushtarake rrezikohet Turqia?
Nga kurdët?
C’farë i duhet Greqisë blerja e avionëve luftarakë nga
Franca?
E kështu mund të vazhdohet me rradhë. Të gjithë e kanë
mendjen për të forcuar dhe modernizuar ushtritë.
Turqia po tregohet prej vitesh më agresive sidomos në raport
me Greqinë për çështjet e ishujve. Bullgaria ka nisur “t’i shkelë syrin” Sërbisë
dhe Shqipërisë për një ndarje të mundshme mes të treve të Maqedonisë. Republika
Sërpska bashkë me Sërbinë po bëjnë ç’është e mundur të shpërbëjnë Bosnjën. Mali
i Zi orientohet njëherë nga Perëndimi e një herë nga Sërbia dhe Rusia.
(vijon)
No comments:
Post a Comment