Sunday, 25 June 2023

“O Safet ta bëri koka…!”

 

Ngjarjet, që kanë një efekt jo të zakonshëm, madje duhet quajtur i rëndë, se i tillë është arrestimi i dikujt, sjellin një lloj çorbavitje në kujtesë dhe ndonjë analogji të çuditshme.

Shprehja e përdorur si titull i këtij shkrimi i atribuohet një Safeti tjetër. Safet B. (i cili duhet të jetë shumë i moshuar ose nuk jeton më) ishte një hetues shumë i shkurtër dhe shumë energjik i kohës së Diktaturës. Me zellin e një njeriu shumë të shkurtër dhe me gëzimin që i vinte nga kompleksi i tij i Napoleonit, ai thurrte vargje ndërsa daktilografonte në zyrën e tij gjeneralitetet e Cvingut të arrestuar për bixhoz “O Ceço ta bëri koka/ Hyre ti na plasi rrota!” Sigurisht që Cvingu nuk donte ta rëndonte pozitën e tij fatkeqe dhe ishte i detyruar të dëgjonte edhe gëzimin cinik të hetuesit Safet.

Duke u hedhur tek i posaarrestuari Safet, mendja të shkon tek vargu i parë i bejtes së hetuesit adash. Safeti ka treguar me atë që kemi parë në video jo vetëm mendjelehtësi dhe fodullëk, por kryesorja është që Safeti dhe Safetët i futen politikës për përfitime të shpejta, të menjëhershme dhe të gjithfarllojshme. Sepse askush në Shqipëri nuk e beson se një njeri me biznese të konsoliduara hyn në politikë për të bërë diçka për njerëzit, qytetin apo vendin e tij.

Hyn dhe investon në blerjen e votave, për t’i kthyer në shumëfish ato që harxhon në fushatë nëpërmjet korrupsionit ose konfliktit të interesave.

Por koka e Safetit edhe pse u ngut në të gjitha veprimet e fundit nuk është koka që ka krijuar dhe po mban këtë sistem. Madje Koka e Zeusit, që sjell dhe inkurajon Safetët të hyjnë në politikë del “palagur” nga gjithë kjo histori, se sikundër hetuesi zellmadh i Diktaturës thotë: “Safet ta bëri koka  dhe cilido duhet të mbajë përgjegjësinë e vet!

Deri kur do vazhdojmë të presim video të Safetëve që ndajnë paratë apo përdhosin zyrat e shtetit me epshet dhe grykësitë e tyre të ndyra?

Ende nuk po kuptojmë se i gjithë ky sistem i Safetëve po derdh vazhdimisht fëlliqësitë e tij edhe mbi kokat dhe fytyrat tona?

Duhet të gëzohemi se arrestuan një Safet, kur SuperSafetët tallen çdo ditë me ne?

Kemi të bëjmë me një arrestim, që ngre shumë pyetje para nesh dhe nuk jep asnjë përgjigje.

Për më tepër koha e plazheve po vjen dhe nuk kemi nge të merremi me politikë dhe me shëndoshjen e shoqërisë shqiptare. Mbase nga shtatori fillojmë dhe shohim se çdo bëjmë.

Pyetje shtesë: (E ka njeri adresën e Alma K.?)

 

 

No comments:

Post a Comment