Më duhet të pranoj që në krye të këtij shkrimi të gjatë, që në disa shkrime të mëparshme rreth kësaj teme edhe “ja kam futur kot”, sepse nuk e njoh në thellësi problemin si edhe shoqërinë kosovare. Shumë gjëra i kam marrë me mend nga sa njoh Ramën dhe sjelljen e tij, Amerikën dhe politikën e saj të jashtme, si dhe politikën shpesh të hallakatur të Bashkimit Europian, që mbetet një bashkim heterogjen i drejtuar kryesisht nga Gjermania dhe tanimë (prej largimit të Anglisë) gati në paritet me Francën. Së fundmi jam rrekur të kuptoj më shumë dhe të mësoj më shumë.
Unë jam shumë skeptik në sjelljen e Ramës në politikën e
jashtme për disa arsye. E para se në përgjithësi në Shqipëri ka munguar shkolla
e diplomacisë dhe një traditë e tillë për shkak të Diktaturës, e dyta se veç
amatorizmit dhe vetbesimit Rama ka plotësisht monopolin e politikës së jashtme
dhe e treta se dosjet e tij korruptive e venë në pozita jo shumë të favorshme për
një politikë të jashtme thellësisht në dobi të interesave shqiptare.
Por duhet pranuar se me një lloj “flamboyance”, duke ditur të
krijojë lidhje personale, si dhe me një elasticitet të madh “ndaj të fuqishmëve”,
Rama shihet me sy të mirë në kanceleritë europiane dhe amerikane. Kjo ka qënë
dhe një nga arsyet që këto zyra kanë mbyllur nga një sy kur vjen falja për
korrupsionin e Ramës dhe shkeljen e rregullave demokratike në zgjedhje dhe në
jetën e shoqërisë shqiptare. Marëdhëniet e tij të ngushta me Erdoganin dhe Vuçiç
e bëjnë veçanërisht për europianët edhe një lloj ndërmjetësi të mirë për të
zgjidhur krizat e rajonit.
Nga ana tjetër, shoqëria shqiptare e Kosovës dhe veçanërisht
shteti i saj janë të ndryshëm shoqëria e Shqipërisë dhe shteti shqiptar. Shteti
i Kosovës është ende i brishtë se nuk është anëtar i OKB-së dhe i shumë
oraganizatave të tjera të rëndësishme, nuk i ka të zgjidhura problemet me Sërbinë
dhe ka ende forca ndërkombëtare në territorin e tij. Shteti shqiptar nga ana
tjetër është një shtet i konsoliduar, por edhe shumë i korruptuar në të gjitha
shtyllat e tij.
Shoqëria kosovare është një shoqëri jo homogjene, e
krahasuar me shoqërinë shqiptare. Brenda saj bashkëjetojnë një elitë
intelektuale europiane me fundamentalistë islamikë, ndjekës të Gandit të Europës
me ekstremistë të majtë, fshatarë shumë të prapambetur me akademikë të shquar.
Për shkak të izolimit nga bota gjatë Diktaturës, shoqëria shqiptare nuk është e
tillë. Mungojnë ekstremet, por njëkohësisht stofi i shoqërisë lejon që
korrupsioni të jetë ekstrem. Dhe veçanërisht elita politike tepër agresive dhe
që nuk respekton rregullat e demokracisë. Kosova ka tregues shumë më të mirë të
demokracisë edhe pse një shtet më pak se 20 vjeçar.
Kjo lloj shoqërie ka nxjerrë në krye të shtetit jo vetëm “fitimtarët”
e Luftës, por edhe ithtarët e “rezistencës paqësore” dhe tashmë edhe sovranistë
të afërt me ekstremin e majtë. Në Shqipëri vazhdojnë të drejtojnë prej dy
vitesh dy parti , të cilat janë anë të së njëjtës medalje. Pa asnjë ndryshim
ideologjik dhe me qasje të njëjtë ndaj demokracisë dhe problemeve të vendit.
Asnjë grup që Lufton korrupsionin nuk ka arritur të përfaqësohet dot në
Kuvendin shqiptar, e jo më të fitojë zgjedhjet sikundër ka ndodhur në Kosovë.
(vijon)
No comments:
Post a Comment