Tuesday, 17 January 2023

“Heronjtë“ e FRESSH-it

 

Diku lexova që dje është festuar 31 vjetori i formimit të Forumit të Rinisë Eurocialiste të Shqipërisë. Pra duhet të ketë qënë janari i vitit 1992. Sa ishte rrëzuar Qeveria e Stabilitetit dhe urrejtja ndaj Partisë së Punës (që sa kishte ndërruar emrin në Socialiste) ishte në majat më të larta. Veçanërisht të rinjtë ishin të mbushur me mllef edhe ndaj prindërve të tyre, që kishin qënë pjesë e atij sistemi të egër dhe absurd. Ndaj më dukej e pallogjikshme në atë kohë, që të rinjtë të rrjeshtoheshin me gëzim në një organizim që lidhej me ish Partinë e Punës dhe me veteranët e saj fanatikë. I mendoja se më të mirët mes tyre duhet të ishin “idiotë“ ndërsa më të këqijtë ishin fëmijë sigurimsash dhe kriminelësh të tjerë, që donin të shpëtonin baballarët e tyre nga ndonjë dënim i mundshëm.

Veçanërisht i pashë me përbuzje Majkon dhe Metën, që kishin qënë mes studentëve të dhjetorit, që takuan Ramiz Alinë dhe tani, deputetë, kryesonin këtë detashment të kuq të rinjsh. Por në janar të vitit 1992 Sigurimi i Shtetit ende kishte në dorë të krijonte skema organizatash, partish politike dhe institucionesh të ndryshëme. Në këtë kuadër ishte angazhimi i emrave të sipërpërmendur si dhe të shumë anëtarëve të FRESSH-it të posakrijuar. Nuk është e thënë që “heronjtë“ e FRESSH (si i quajnë sot disa) të kenë qënë bashkëpunëtorë të Sigurimit. Mes të rinjve dhe adoleshentëve ka edhe shumë të tillë, që ndikohen nga fjala e prindërve, ose dhe nga ata që indinjohen se hidhet baltë mbi gjyshërit. Jo të gjithë rebelohen ndaj prindërve.

Sigurisht që gjatë viteve të qeverisjes së Berishës dhe gabimeve të tij të mëdha, rradhët e rinisë opozitare do shtoheshin, por ky organizimi asnjëherë nuk u kthye në një organizim i dobishëm për vendin apo për shtresat e dobëta, të cilat kanë nevojë për mbrojtje. FRESSH-i i Metës dhe Kryemadhit u kthye në një shkollë që nxirrte “politikanët më hajdutë“, që ka nxjerrë Shqipëria. Andis Harasani, Dritan Prifti dhe të tjerë ministra e zv.ministra pa mbushur mirë të 30-tat bënë kërdinë në kohën e Metës kryeministër dhe kur ai ishte në poste të tjera qeveritare.

Filozofia e FRESSH ishte pararendësja e filozofisë së Rilindasve të Ramës. “Rrëmbe sa të mundësh dhe pa t’u dridhur qerpiku!” Nuk di se sa në këtë filozofi ndikon mosha dhe sa ndikon DNA-ja reale e anëtarëve të FRESSH-it. Padyshim që pjesa më e madhe e tyre kanë qënë bij funksionarësh të mesëm dhe të lartë të Nomenklaturës. Këto dy faktorë shpjegojnë mungesën e frikës nga Ndëshkimi, që ka qënë më i pranishëm në politikanët më të mëdhenj në moshë dhe në ata që vinin nga shtresat e të persekutuarve. Kuptohet, jo se këta të fundit nuk ishin hajna, por ishin më të përmbajtur.

Më 1986 u mbajt Kongresi i 9-të i PPSH, që u quajt Kongresi i Vazhdimësisë. Edhe pse vazhda e Partisë së Punës dhe Republikës Popullore Socialiste u ndërpre më 1991-92, shtresa e Bllokut dhe e Nomenklaturës së lartë të Tiranës vazhdon të drejtojë vendin dhe të zotërojë një pjesë jo të vogël të ekonomisë shqiptare. Mbiemrat Nushi, Balluku, Klosi, Cuçi, PeçI janë ende të pranishëm në nivele të larta të qeverisjes ose biznesmenë të fuqishëm. Një pjesë e mirë e tyre kanë kaluar nëpërmjet FRESSH-it.

Dhe veç heronj nuk janë!


No comments:

Post a Comment