Unë nuk jam një kozmopolit i kulluar edhe pse do doja të isha i tillë. Aq më pak jam një nacionalist. Disa herë kam shprehur bezdinë jo vetëm nga nacionalizmat absurde të Ballkanit, por edhe nga flamurët. Më duket “idiotllëk” puthja e flamurit apo betimi para një bezeje të ngjyruar. Do e kisha shumë më të lehtë të betohesha para varrit të një njeriu të famshëm, që admiroj, qoftë ky Naim Frashëri, Sharl Bodler apo Valter Gropius.
E megjithatë ka një “nacionalizëm”, që është i ndryshëm nga
ai i flamujve dhe i kufijve. Eshtë kultura shqiptare për të cilën jam i
interesuar të mbrohet dhe të zhvillohet, jo sepse është më e mira në botë, por
se është kultura që njoh dhe më bën të ndjehem më mirë. E ndjeva që e kisha në
nëndërgjegje edhe nga një fakt i thjeshtë. Kur isha në Korçë mendova ç’dhuratë
t’ju blija nipit dhe mbesës dhe më e goditura mu duk dy qeleshe. Nuk kishte nga
të zonës së Korçës, por bleva me kënaqësi një qeleshe Labërie me thumb dhe një
të Veriut.
“Nacionalizmi kulturor” është shumë i paqtë. Ka vetëm një
sens, atë pozitiv. Nuk ndjen urrejtje për asnjë tjetër, qoftë ish-pushtues,
fqinj shovinist, vend kolonialist apo Superfuqi agresive. Diçka ngjan me mënyrën
e të ushqyerit. Parapëlqej të ha ushqime të Ballkanit, Mesdheut, por mund të ha
me dëshirë edhe sushi apo kasadija. Dhe
sa më shumë shtyhesh në vite, aq më tepër kërkon të hash lakror dhe tavë kosi,
apo të dëgjosh edhe këngën “O po ç’ke moj zoçkë që po qan!”.
Kjo më ka bërë, që pas shumë viteve të një tërheqje të fortë
nga “Style Internationale” në arkitekturë (si ju ndodhte të gjithë studentëve
të brezit tim) krijova bindje të forta se arkitektura e një vendi duhet të ketë
cilësitë dhe karakteristikat e arkitekturës tradicionale. Kjo vlen për qasjen
ndaj dritës, materialet e përdorura, ritmin brenda objektit, ngjyrat, hollësitë
arkitekturore dhe përbërës të tjerë të një rëndësie më të vogël. Dhe kjo nuk
përjashton përdorimin e materialeve të reja dhe as prirjet që ka arkitektura
ndërkombëtare bashkëkohëse. Por nuk ka kuptim të projektojmë ngjashmërisht me
japonezët, afrikanët apo me amerikano-veriorët. Përfitimi nga logjika e
ndërtimeve tradicionale është përfitimi nga një përvojë disa shekullore për të
mos më thënë më shumë.
Më duhet të shtoj, që “nacionalizmi kulturor” në arkitekturë
nuk ka aspak të bëjë me projektimin e një ndërtimi stërmadh, që ka hartën e
Shqipërisë në fasadë, apo një tjetër ndërtim shumëkatësh, i cili i ngjan një
koke në skulpturë të Gjergj Kastriotit. Në rastin më të mirë, ky është një
nacionalizëm naiv dhe i cekët, që përdoret shpejt nga arkitektët e huaj për t’i
dhënë një “shije shqiptare” veprës së tyre të zakonshme. Në rastin më të keq
është një përpjekje e nxitur nga politikanët që miratojnë lejen e ndërtimit,
për t’i hedhur hi syve publikut dhe specialistëve të fushës.
Për vetë faktin historik, që nga një qytezë e vogël në vitin
1920 Tirana u kthye në qytetin më të madh të vendit në disa dhjetvjeçarë, bumi i
ndërtimeve në të zgjati për një shekull. Eshtë një dukuri jo e shpeshtë në
arkitekturë ndaj edhe përmban rrezikun që të ndërtohet një qytet pa një
identitet arkitekturor. Aq më pak mund të ketë një natyrë “kombëtare”
arkitektura e qytetit. Nga një qytezë mesjetare me ndërtime prej qerpiçi, në
fazën e parë ajo u kthye në një “miks” me ndërtime ekzistuese në krah të
ndërtimeve “futuriste”, por edhe neoklasike të arkitekturës italiane. Ishte kjo
arkitekturë, që i dha një lloj vule pjesëve qëndrore të qytetit deri në vitin
1944. Pati peshën e saj kjo lloj arkitekture deri në vitet ’70, por njëkohësisht
u ndërtuan nga komplekset ala-sovjetike, tek veprat e veçanta të frymëzuara nga
“Style Internationale” dhe deri tek blloqet e shëmtuara me parafabrikate, që i
përkisnin një tjetër “stili ndërkombëtar”, atij të Bllokut Komunist. Ndërtime
identike me ato të Alliasit gjen edhe në Kubë. Një shembull me të cilin qeshnim
në fillimin e viteve ’80 ishte bulevardi “Stalin” (sot Zogu I) në të cilin mund
të gjeje arkitekturën e Azerbaxhianit, arkitekturën modern të Kolevicës,
neoklasiçizmin bajat sovjetik dhe deri në pallatet “me arkitekturën e
kopracllëkut socialist”.
Ndaj në vendbanimin më të madh shqiptar, kur u hoqën
kufizimet në projektim me ndryshimin e sistemit ekonomiko-shoqëror, nuk
ekzistonte “arkitektura kombëtare” me përjashtim të ndonjë vepre të veçantë.
Pra mungonte një bazë e mirë referimi për arkitektët me përvojë dhe veçanërisht
ata të rinj. Bumi i natyrshëm në ndërtime, për shkak të çvendosjes së madhe të
popullsisë fshatare në kryeqytet solli edhe një kakofoni më të madhe në
ndërtime, dukuri që vazhdon edhe sot e kësaj dite. Kapriçiot artistike të
politikanëve dhe veçanërisht të Ramës sollën në zonat qëndrore të kryeqytetit
ndërtime dhe komplekse nga më të çuditshmet. E gjithë sipërfaqja brenda unazës
së vogël është kthyer në një lloj “bulevardi Stalin” ku gjen ndërtime, që i
përkasin të gjithë rrymave të arkitekturës europiane dhe shumë ndërtime
ordinere, që nuk i përkasin asnjë lloj rryme.
E megjithatë është shumë e lehtë të konstatosh dhe të thuash
se sa të bësh. Gjendja e arkitekturës së kryeqytetit dhe qyteteve të tjera
shqiptare nuk mund t’i “faturohet” vetëm Ramës dhe politikanëve të tjerë. Ndonëse
një nga studiuesit e arkitekturës tradicionale, Leka Meksi, ka qënë një kohë jo
të shkurtër kryeministër i vendit. As nuk mund të thjeshtëzohet duke thënë se
duhet ta bënte Drejtoria e Trashëgimisë Kulturore. Duhet të zërë fill në
shkollat tona të arkitekturës, në të cilat duhet të përcaktohen qartë se ç’janë
arkitektura ballkanike dhe mesdhetare dhe se cilat janë veçantitë e arkitekturës
sonë. Vetëm me një edukim të tillë të thellë profesional, idea për të
projektuar “sipas vendit dhe kuvendi” mund të përqafohet nga një masë e madhe
arkitektësh.
A është njëlloj si të vesh një qeleshe në kokë dhe të
ndjehesh një shqiptar i vërtetë?
Jo, por nuk është e pamundur dhe ka për të qënë autentike
dhe më e bukur
No comments:
Post a Comment