Monday, 23 January 2023

A duhet të festohet 11 janari si Festa e Republikës?


Një gazetar, që nuk është mes më "zorraxhinjve" të socialistëve të Ramës. diku kishte përmendur 11, 17 dhe 21 janarin, duke nënvizuar se buja rreth vrasjeve të 21 janarit të bëra me urdhërin e Berishës, kishte errësuar rëndësinë e Shpalljes së Republikës dhe 555 vjetorin e vdekjes së Skënderbeut.

Në historinë e çdo Kombi ka data shumë të rëndësishme, ka data të rëndësishmemdhe data në të cilat mund të kujtohet një ngjarje. Më të rëndësishmet, bëhen ditë pushimi për tu festuar sa më mirë, disa festohen mirë edhe pa u shpallur festa dhe të tjerat përkujtohen në ndonjë mbledhje jubilare.

11 janari i vitit 1946 nuk duhet të bëjë pjesë në më të rëndësishmet dhe as në të rëndësishmet, po qe se e krahasojmë me ditët e lindjes dhe vdekjes së Gjergj Kastriotit apo edhe me Ditën e Shënjtërimit të Nënë Terezës.

Ka një arsye të fortë, që më bën të arrij në këtë përfundim edhe pse jam ithtar i Republikës si formë shteteërore dhe kundërshtar i flakët i Monarkisë. Në janar të vitit 1946, pasi ishin kryer zgjedhjet jo të rregullta për Asamblenë Kushtetuese, banda e Enver Hoxhës pasi kishte shkelur çdo premtim, që i kishte bërë popullit për tu ngritur në luftë, apo edhe nacionalistëve për t'u bashkuar në Frontin nacional Clirimtar, kishte edhe rreth 14-15 muaj që ushtronte terror ndaj kundërshtarëve të mundshëm politikë. Ishin vrarë pa gjyq dhjetra kundërshtarë, disa kolaboracionistë, por edhe shumë të tjerë që nuk kishin bashkëpunuar me pushtuesin.

Në një klimë të tillë terrori zgjedhjet nuk kishte se si të ishin të rregullta, megjithëse Fronti edhe në zgjedhje të lira duhet të kishte fituar shumicën. Por problemi i formës së shtetit ishte përcaktuar më parë dhe pikërisht në Kongresin e Përmetit, më 24 maj 1944, datën e të cilit mbante edhe Stema e Republikës së Re. Pra kemi një Kongres të thirrur në mesin e luftës nga një forcë ushtarako-politike, e cila përjashton nga proçesi politik i pasluftës Mbretin Zog. Veprim arbitrar, shumë i dyshimtë dhe që tregon frikën që kishin komunistët ngazgjedhjet e lira dhe nga ndikimi i Zogut nëse do lejohej të kthehej në Shqipëri.

Shteti shqiptar, që në fillimet e tij në vitet e pasluftës së Parë, kur u njoh zyrtarisht nga Fuqitë e Mëdha ishte përcaktuar si një Monarki. Por duke qënë një Monarki pa Mbret ishte drejtuar për shumë vite nga një Regjencë, që në vetvete ishte një lloj kompromisi politik deri sa të gjetej një zgjidhje më e saktë. Pas dështimit të grushtit të shtetit të vitit 1924, Zogu me mbështetësit e tij, por edhe me individë asnjëanës vendosën të zgjidhnin problemin e Regjencës të pafuqishme dhe në janar të vitit 1925 ndryshuan kushtetutën e Shqipëris dhe e kthyen në shtetin shqiptar në një Republikë Parlamentare, të quajtur Republika Shqiptare. Edhe pse kushtetuta i jepte presidentit fuqi të mëdha, shteti përsëri mbetej shumë herë më demokratik se sa Republika Popullore e vitit 1946. Ishin të njëjtët njerëz, të cilët pas gati katër vitesh e kthyen Republikën në Monarki Kushtetuese me Mbret Zogun, një veprim i uzurpimit tëpushtetit. E megjithatë, kalimi nga Monarkia në Republikë nuk duhej të bëhej si u bë në procesin Kongres i Përmetit-Asamble Kushtetuese.

Republika e vitit 1946 është Diktatura e Proletariatit, që në vetvete nuk ka asgjë të përbashkët me formën republikane të qeverisjes. 

Edhe ndonjë liri demokratike e përcaktuar në letër, u hoq përfundimisht në Kushtetutën e vitit 1976, që e ktheu Shqipërinë në Republikë Popullore Socialiste. 

Me rrëzimin e Diktaturës, Shqipëria u rishpall Republikë Parlamentare dhe u quajt Republika e Shqipërisë. Nëse na duhet të kemi një festë të Republikës duhet të përcaktojmë ose atë të vitit 1925 ose atë të vitit 1991. Ose të veprojmë si shumë shtete europiane dhe t'i quajmë Republika e Parë dhe Republika e Dytë.

11 janari nuk është data kur populli merr në dorë pushtetin për ta ushtruar, si nënkuptohet në fjalën "demokraci". Eshtë një datë. kur me gënjeshtra dhe terror, komunistët vendosën pushtetin e tyre. Një ripërcaktim i kësaj date duhet të ndiqet edhe nga ripërcaktimi i drejtuesve të shtetit shqiptar në ato vite, që quheshin Presidentë të Republikës ose të Presidiumit të Kuvendit Popullor. Emrat e Omer Nishanit, Haxhi Lleshit apo Ramiz Alisë (për vitet e Diktaturës) nuk duhet të përmenden si krerë të shtetit. 

Ai shtet kishte emrin e tij të pafshehur Diktaturë e Proletariatit (sipas komunistëve forma më e lartë e demokracisë) dhe një Diktator (emër që nuk thuhej), i cili ishte Enver Hoxha.

No comments:

Post a Comment