...
Në vendin e tij ato kohë ishin turqit dhe Spanja ishte e largët, ndërsa Espanjola shumë herë më e largët, a ndoshta parardhësit e tij nuk kishin dëgjuar për të. Gjithshka për ta ishte në Lindje dhe Perëndimi e kishte fundin në Romë dhe në vendin nga kishin ardhur Anzhutë. Allamanët ishin larg dhe më larg ishin rusët. Rusët ishin edhe armiq të Sulltanit.
Qyteza e të parëve të tij kishte qënë e vogël dhe nuk kishte lumë të madh. Deti ishte larg. Veç një nizami, që kishte përfunduar në një nga anijet e flotës turke, nga ai vend nuk kishte patur marinarë. Pa patur marinarë ishte zor të mësoje ç'bëhej në vendet përtej detit.Lajmet i sillnin vetëm qerraxhinjtë. Edhe ata nuk shkonin më larg se Vllahia. Më të kuturisurit ishin degdisur deri në vendin e mamlukëve, prej ku nuk ishin kthyer më. Nuk kishte patur lajmeas nga vendi i mamlukëve.
Rakip Marinari, nizami që kishte përfunduar që ishte kthyer nga Izmiri kur i kishte lënë të dyzetat, ishte çdo ditë i dehur në një nga "qylhanat" e Pazarit dhe tregonte të njëjtën histori, kur kishin ndjekur dhe djegur anijen e piratëve pranë Kretës. Ishte i gjatë dhe ezmer. Faqet i kishte të futura brenda kafkës, sa të dukej sikur i mbante përherë të thithura. Në cepat e syve kishte katër rrudha të thella, të cilat të krijonin përshtypjen se mbeteshin të tilla edhe kur flinte. Pasardhësve të tij, nga Rakipi ju kishte mbetur vetëm mbiemri Marinari, se të gjithë kishin qënë të shkurtër dhe me mollëza ngjyrë trëndafili. Nuk kishte mbetur më asnjë shënjë e detarit të vetëm të qytezës. Vetëm historitë rreth bëmave të tij dhe një pijetore e quajtur "Spiranca", që Marinarët pasardhës e kishin prej më shumë se një shekulli në Pazarin e Ri. Në vendin më të dukshëm pas banakut, kishin vënë një portret në vaj të Rakipit, të bërë nga një piktor i qytezës, bazuar në foton e më të vjetrit të Marinarëve. Rakipi, me një shami të kuqe pështjellë rreth kokës në pikturë ishte topolak dhe me sy të mëdhenj zhbirues. Fotoja kishte qënë e njërit prej stërnipërve të tij të shumtë.
Marinarët thoshin se idea e "Spirancës" kishte lindur nga që në atë vend kishte qënë qylhana e vjetër, ku thuhej se detari i famshëm kishte hedhur spirancën për herë të fundit pas shumë udhëtimesh. Por kjo ngjallte shumë zënka mes tyre dhe pazarxhinjve të tjerë, të cilët theshin se Pazari i kohës së Raipit kishte qënë në Kala, prandaj dhe këtij pranë Varoshit të Poshtëm ja kishin vënë Pazar i Ri. Por Marinarët ngulnin këmbë se Pazari nuk kishte qënë asnjëherë në Kala, por gjithnjë në Varoshon e Poshtëm dhe për këtë sillnin shembuj të gjitha qytezat e tjera me kala që nuk kishin pazare brenda mureve të tyre. Rakueli, më i shkolluari i Marinarëve, sillte si argument për emërtimin Pazar i Ri, se pasi ishte djegur tre here, dyqind vjet më parë, banorët kishin hequr dorë nga ndërtimet e drunjta dhe të gjitha dyqanet i kishin ndërtuar dykatëshe prej guri dhe me qemere guri si mbulesa, mni të cilat ishin shtuar tjegullat e dorës vetëm si dekoracion.
Madje ai shkonte më tej në mbrojtjen, që i bënte vendit ku kishte kaluar pleqërinë parardhësii tyre i bujshëm. Gjatë ndërtimit të një nyjeje të re sanitare në bodrumin e pijetores, kishin gjetur një palë tespije të bëra me dorë prej koralesh, që sipas tij ishte provë e sigurt se Rakip Marinari jo vetëm që kalonte gjithë ditën ne ate vend, por pikërisht atje kishte humbur edhe tespijet. Dhe tespije korali nuk mund të mbante kush tjetër veç një detari.
...
No comments:
Post a Comment