Monday, 30 January 2023

A i korrupton dot Rama funksionarët e lartë amerikanë?

 

Qarkullojnë prej vitesh fjalë në Shqipëri, se Rama me Rilindasit i kanë korruptuar funksionarët amerikanë duke nisur nga ambasadorët, punonjësit e ambasadave dhe deri në anëtarë të Kongresit apo funksionarë të Departamentit të Shtetit. Janë zëra , që ushqehen nga opozita, e cila nuk e mund dot në zgjedhje dhe besohen nga një popull, që në vite është ushqyer me idenë se Amerika është e plotfuqishme dhe ka në dorë gjithshka. Rasti i fundit i një oficeri të lartë të FBI-së, i bën më të vendosur  përkrahësit “miopë“ të kësaj teorie konspirative dhe që janë në të dy krahët e elektoratit shqiptar. Edhe vetë “Rilindasve” ju pëlqen të qarkullojë kjo legjendë, për të dëshmuar forcën që nuk e kanë.

Eshtë e natyrshme, që Rama me bandën e tij të përpiqet të korruptojë zyrtarë amerikanë. Ndodh në çdo vend të botës. Në vendet me institucione të fuqishme, për të patur informacione dhe për të ndikuar vendime në dobi të vendit të tyre dhe në vendet “lëngër-dëngër” (si i joni) për të mbrojtur interesat e klikave drejtuese. Por edhe pse nuk është e pamundur të korruptosh një zyrtar amerikan, gjithashtu është shumë e vështirë. Jo se të gjithë zyrtarët amerikanë janë ëngjëj, por pjesa dërmuese e tyre nuk do të rrezikojë karrierën për një shumë parash, sado joshëse të jetë. Karriera në segmentet e shtetit amerikan për ta është konsolidim ekonomik dhe njëkohësisht i reputacionit. Thuajse të gjithë funksionarët e lartë, pas pensionit nga punët shtetërore shkojnë në biznese private me pagesa shumë herë më të mëdha. Kjo në sajë të emrit të mirë dhe të lidhjeve , që kanë.

Po si shpjegohet atëhere rasti McGonigal dhe zhurrma rreth tij?

Drejtuesi i drejtorisë së Kundërzbulimit të FBI-së për shtetin e Nju Jorkut është një funksionar i nivelit jo të lartë. SHBA ka 50 shtete dhe FBI-ja ka shumë drejtori në çdo shtet dhe më shumë në qendër. E megjithatë ai ka qënë dikush që ka pasur në dorë dhe ka marrë një “dorë me para” për të bërë diçka të thjeshtë. I tillë është “korrupsioni” i tij në raport me Agron Nezën dhe qverinë shqiptare. Bëj diçka që është e ligjshme, si hapja e një dosjeje për dikë që është ngatërruar me Bashën dhe për këtë mori shpërblim!

Të qënit plotësisht “i korruptuar” është në rastin kur Rama me Nezën e “futin në thes” dhe janë në gjendje të marrin vazhdimisht shërbime prej tij. Asnjëri prej tyre nuk ka pasur dot në kontroll McGonigal veç i kanë dhënë një shumë dollarësh, që me siguri vijnë nga xhepa “hajnash” të tjerë të Rilindjes.

McGonigal ka bërë diçka të ligjshme në hapjen e dosjes për “çështjen Basha”, përveç marrjes së ryshfetit që bie në kundërshtim me ligjin.

Sigurisht kjo që ndodhi i vjen për shtat Berishës dhe pasuesve të tij, që mund të bëjnë tashmë të sigurt se në të njëjtën mënyrë është arritur të shpallet “non grata” Saliu dhe familja e tij. Por kjo as e shpëton Saliun dhe as e rrëzon dot Ramën, veç i zgjat jetën politike edhe pak një “kufome politike” si Berisha.

 

 

 

No comments:

Post a Comment