(vijim)
Në
materialet e dosjes personale të Andon Marës që më kanë rënë në dorë, mungojnë
diskutimet në mbledhjen e sekretariatit të Komitetit Qëndror që vendosi të
hidhte poshtë kërkesën e të përjashtuarit nga Partia në korrik të vitit 1950.
Nuk mendoj se ka ndonjë arsye që ato të jenë hequr nga dosja, pasi nuk bëhet
fjalë për “goditjen” ndaj një anëtari të rëndësishëm të Partisë. Gjithashtu nuk
mendoj se ka pasur ndonjë komplot ndaj babait apo lidhje me ngjarje të mëdha
brenda Partisë, pasi ai jo vetëm që jetonte në Korçë dhe në kohën e mbledhjes
së Sekretariatit ishte ende ushtar në Vlorë, por asnjëherë nuk ka qënë pjesë e
grupeve të dënuara nga Partia më 1948 apo më 1952. Ndaj çështja e tij është
individuale dhe vendimi përfundimtar ka qënë i ndikuar nga disa njerëz të veçantë,
që kishin njohje me të dhe që kishin ndikuar në vendimin e parë në rreth.
Nëse Liri
Belishova nuk ka qënë në Sekretariat në pranverën e vitit 1952 (të dhënat për
vitet e saj të studimeve në Moskë janë kontradiktore. Herë shkruhet filloi në
shtator 1951 dhe herë në shtator 1952), atëhere duhet të ketë qënë mbrojtja që i
ka bërë vendimit të përjashtimit Rita Markoja, i cili atë vit ishte Sekretar i KQ
të PPSH. Të tjerët kanë qënë pak të interesuar për fatin e një anëtari “mendjemadh”,
të cilin e njihnin pak ose aspak.
Ajo që më
bën të shkruaj këtë shënim disi të stërzgjatur, më shumë se sa ndjekja e
rrjedhës së jetës së babait, është të kuptoj se si po transformohej shoqëria
shqiptare në sajë të ndërtimit të një sistemi totalitar të çuditshëm, që nuk
kishte traditë në shoqërinë shqiptare dhe në mungesë të faktorëve të tjerë të
domosdoshëm për vendosjen e një Diktaturë të majtë. Nëse koha e Monarkisë
kishte qënë një sistem politik autarkik, asaj i mungonin tërësisht elementët e
përndjekjes së njerëzve për arsye politike, por edhe organizimet partiake që
sillnin përplasje njerëzish për karrierë, si edhe burokracia që merrej me të bërat
e të pabërat e njerëzve të ndryshëm apo të punonjësve të mesëm e të lartë të
administratës.
Ku i mësuan
komunistët, qysh në marrjen e pushtetit të tilla metoda të intrigave ndaj atyre
që nuk ju pëlqenin si dhe krijimin e një burokracie partiake që do mbante “të
pastër” Partinë?
Përgjigjet
më të thjeshta janë të thuash menjëherë “nga jugosllavët dhe rusët”, por
jugosllavët kishin po aaq pak përvojë në ndërtimin e shtetit-parti sa edhe
shqiptarët dhe në vitin 1950 ndikimi rus kishte vetëm dy tre vjet në Shqipëri.
Ka diçka
malinjë në natyrën njerëzore për të gjetur menjëherë diçka të keqe që të ofron
sistemi për të shkelur mbi të tjerët, që të ngjitesh vetë më lart?
Babait i
pëlqente të përsëriste një shprehje, që ai ja atribuonte Kadaresë -“Në socializëm përfitojnë të pazotët!”
Ndoshta Kadareja e kishte thënë në ndonjë bisedë apo e pat shkruar diku, por
besoj se edhe ai e kishte dëgjuar diku gjatë studimeve në Bashkimin Sovjetik.
Ndoshta të pazotët përfitojnë në të gjitha sistemet totalitare, por në socializëm,
ku alternativat ekonomike janë reduktuar në një të vetme, e gjithë “beteja” mes
njerëzve zhvillohet në një të vetme – karrierë në administratën partiake dhe
shtetërore të çdo lloji. Dhe në këtë betejë “të pazotët” shkëlqejnë. Energjitë
e tyre mendore për të ndërtuar minisisteme absurde janë pakufi. Ndaj ka kuptim
të fajësojmë sistemin dhe jo lehtësisht, si bëjnë shumë, t’i hedhim fajin vetëm
Enver Hoxhës. Enver Hoxha ka fajin, që për të mbajtur pushtetin e tij personal i
zgjati jetën sistemit, por ishin dhe qindra ndihmuan në të, veçanërisht forcat
negative në shpirtrat e të gjithë shqiptarëve. Nëse shumë njerëz të arsimuar
nuk e kishin për gjë, që të gënjenin që në vitet e para pas luftës, nëse shumë
prej tyre ngrinin dorën për të miratuar pushkatimin e shokëve, për këtë nuk
mund të themi se e bënin nga frika, sepse Diktatori bashkë me bandën e tij nuk
e kishin konsoliduar ende pushtetin e tyre. Sistemi që po ndërtohej ishte në
gjendje të nxiste energjitë më negative që janë brenda njerëzve për t’i bërë
keq tjetrit në emër “të së Mirës së Madhe”.
Kjo solli
Absurditetin vrasës, që solli jo vetëm vrasjen e kundërshtarëve, por mbi të
gjitha vrasjen e ekonomisë dhe sidomos të cilësive të mira njerëzore. Janë këto
që vuan ende sot shoqëria shqiptare.
No comments:
Post a Comment