Monday, 30 January 2023

Gjurmë mbi rërën e lagur

Unë i njoh gjurmët e mija mbi rërën e lagur,

Gjatësinë e gishtërinjve,

Mbi thembrat peshë,

Të tabanit kurbë,

Ashtu si njoh ritmin e vargut,

Dhe melodinë e rimave që më rri në vesh.

Po ndërsa gjurmët,

Pas disa çastesh vala do i fshijë,

Dua vargjet shpirtra të trazojnë,

Të ngjethura të sjellin

Për ata që i shohin

Dhe me zemër i dëgjojnë;

A ndoshta dhe të tjerë që më pas do vijnë.

Për dikë që nuk do të shkojë dëfrimeve

Ndonëse është e shtunë

Dhe ndërsa kohën për të vrarë,

Rastësisht dora i kap librin tim,

Dhe deri në fund një poezi lexon

Të thotë:

“Kështu jam ndjerë edhe unë!”

No comments:

Post a Comment