Duhet të përmend që në nisje, se këto rrjeshta janë një lloj stërmadhimi me nota humori, të ndjenjave që përjetoja, kur kaloja këtë tetor në parkun "Rinia".
Ka qënë që
në fëmijërinë time një vend i paqtë ku mund të shëtisje, të shkoje me shokët
duke fantazuar lojëra në natyrë apo edhe "gjueti rabeckash me
llastikë". Atje na shpinin edhe edukatoret e kopështeve, të zënë njëri pas
tjetrit pas grykëseve të bardha sa kalonim në rrugët ku kalonte një makinë çdo
gjysëm ore dhe më pas shtriheshim lëndinave të parkut ose ju binim pas
fluturave dhe buzëbardhave. Nga buzëzinjtë kishim frikë, ose na kishin mësuar
të kishim frikë. Po të kishe edhe një “dhjeçkë“ xhepave, mund të dilje edhe
foto në shatërvani, ku priste me durim Miti Kecka.
Nuk di
tani se si mendojnë dhe ndjejnë fëmijët e Korçës, kur shkojnë në atë Park,
ndonëse kohët kanë ndryshuar dhe fëmijët tani shkojnë nga një vend në tjetrin më
shumë me makinat e prindërve dhe ndoshta nuk dinë as se si bëhet një llastikë për
t'ju shtënë rabeckave, micakëve dhe verdhashëve. Po më mirë që nuk dinë.
Eshtë
propaganduar shumë nga grupi i Rilindjes, se investimi i para disa viteve tek
parku i ka shtuar atij "dimensionet" artistiko- rekreative, por unë
mendoj se Parkut nuk i është shtuar ndonjë gjë e madhe. Ka mbetur i njëjti
koncept disi klasik që ishte në projektimin e parë ala-sovjetik dhe janë shtuar
ndenjëse të
gjata
(tmerrësisht të gjata) përgjatë aksit kryesor shëtitës të tij. Të krijohet përshtypja
se ka vend për thuajse njëzetmijë prapanica korçarësh, që të ulen dhe të shohin
të tjerët kur shëtisin. Pit Uilson, autor i çdo projekti të Bashkisë së Korçës
i pëlqen vijat shumë të drejta.
Por
ndenjëset e gjata dhe të drejta (natyra nuk ka vija të drejta shkruante dikur
Zaha Hadid) nuk janë elementët terrorizues të Parkut. Edhe pse ndonjëherë të
sjellin në mendje “rrugën e drejtë marksiste-leniniste që ndiqte Partia e Punës.
Në fund të fundit ne shiptarëve na pëlqen të rrimë ulur dhe sa të rrimë
kafeneve, më mirë në ajrin e pastër të Parkut.
"I
terrorizuar" unë ndjehem kur kaloj para një grumbulli të madh me gurë të
skalitur, që administrata e Bashkisë i quan skulptura. Dhe padashur t'ju ul
vlerat e tyre artistike (një edhe rrotullohet më duket), se vërtet mund të jenë
skulptura, puna është që janë aq pranë njëri tjetrit dhe me aq shumë thepa, sa
më duket sikur mua dhe kundërshtarëve të tjerë të "ideve bashkiake"
na thonë: "Po mos e mbyllët
gojën pas
këtyre gurëve do t'ja u përplasim kokën!" Ndaj edhe një kokëgdhë si unë trembet
sepse e di që gdhëri nuk është më i fortë se guri.
Sikur të
mos mjaftonin "skylptyrat e Ishullit të Pashkëve", mbi kurorën e
gështenjave të buta dhe pemëve të tjera të kodrës së Belvederes, po ndërtohet
një kompleks “luftarak” me Kulla zengjinësh, që do ketë si në pëllëmbë të dorës
të gjithë Parkun.
Dhe ka
rrezik, që zengjinët e rinj të mos hedhin “euro” nga frëngjitë e kullave të
tyre apo edhe nga ballkonet neo-klasike. Pas ndonjë "party
dëfrimtare" në ditët e gjata verore mund edhe të lëshojn ndonjë shishe të
boshatisur uiski, që e tërhequr nga Forca e Gravitetit (që gjithnjë është në
disfavor të fukarenjve), të bjerë mbi ndonjë kokë të pambrojtur pensionisti, që
shëtit vend e pa vend në park. Ndaj shpejt kalimi në pjesën e gjelbëruar të
Parkut do jetë si kalimi i Odisesë me shokë mes Shillës dhe
Karibdës.
Nga njëra anë gurët ciklopikë me një prej tyre që rrotullohet dhe nga ana
tjetër, të fuqishmit mbi kokat e korçarëve, që mund të lëshojnë veç rrufeve
edhe çdo lloj sendi të ngurtë apo të lëngët.
E
megjithatë duhet të pranoj, se Rilindasit e mbrojtën Parkun dhe e rigjeneruan.
Se mund të ndërtonin edhe banesa kolektive, bujtina dhe ndonjë kazino nëse ju
thoshte mendja se në fund të fundit qytetarët ju kanë dhënë votën dy herë dhe
bashkë me votën ju kanë thënë: "Korça është qyteti ku mund të
rrëmbeni"
No comments:
Post a Comment