Sunday, 29 January 2023

“Përgatitja” jonë për luftë (fund)


(vijim)

Nuk e kam kuptuar ndonjëherë se përse të diplomuarit në universitet, pas një kursi 3 ose 6 mujor bëheshin oficerë rezervistë dhe të tillë nuk ishin ata , që kishin bërë nga dy ose tre vjet ushtri. Ne, “të shkolluarit” ishim sipas Partisë më të aftë për të drejtuar “trupat”, apo i përkisnim një klase të privigjeluarish? Gjithsesi, kjo na vinte për shtat, se e kishim një lloj ideje se ]’ishin dy vitet e ushtrisë. Disa muaj nuk ishin keq nëse krahasoheshin me një minimum prej 24 muajsh. “Artin ushtarak”, që kishte ndryshuar nga ai i “ushtrisë së kazermave” tek ai i “tezave të zeza të rrëshqitjes” dhe kishte përfunduar në “gjithë populli ushtar” duhet ta përvetësonim në tre muaj dhe të ishim në gjendje të drejtonim një togë apo një kompani.

Nuk di nëse kishte ndonjë gjatë kursit tonë 3-mujor, që donte të përvetësonte “artin ushtarak”, por mua dhe shokëve të mij nuk ju bëhej vonë as për stërvitjen, as për mësimet dhe as për provimin, që duhet të jepnim në fund të kursit. Ishte viti 1984 dhe edhe nëse nuk ishim kthyer në disidentë, ishim totalisht indiferentë ndaj çështjeve të mbrojtjes së Atdheut. Nuk di nëse kishim siguri, që nuk do na sulmonte njeri apo nuk na bëhej vonë edhe nëse na sulmonin. Kishte filluar racionimi i ushqimeve dhe gjendja ekonomike e vendit sa shkonte dhe keqësohej më shumë. Nuk kishim kureshtje as për përrallat me NATO dhe Traktat i Varshavës, që thurrnin plane se si të shuanin “fanarin ndriçues në brigjet e Adriatikut”. Donim vetëm të shtynim ato tre muaj të bezdishëm e të fillonim punë për të marrë një rrogë.

Si oficerë rezervë duhet të bënim 21 ditë në vit “shërbim ushtarak”, që përfshinte dy javë grumbullimi me trupat dhe një ose dy “alarme” dhe një javë studim dhe rifreskim të mësimeve. “Alarmet”, që ishin prova të gatishmërisë nëse sulmoheshim papritur nisnin me një trokitje pas mesnate, (që alarmonte tërë familjen) dhe duhet të nxitoje të arrije në kohë atje ku ishte “pika e hapjes” tek e cila kishe uniformën, paisjet dhe armën. Ato dy orë, që na merrte ecja deri në pikën e hapjes, si dhe veshja, rrjeshtimi dhe e hipura në makina për të shkuar në front, ishin të mjafta, që armiqtë të na ksihin bërë “bërlok”, por Partia kishte një shërbim të lavdishëm kundërspiunazhi, që mësonte disa orë para se kur do na sulmonin NATO-ja, Traktati i Varshavës apo ndonjë vend fqinj. Kjo na siguronte se avionët do rrëzoheshin në kohë nga shërbimi kundërajror dhe parashutistët, që do desantonin do ishin likuiduar nga ushtarët dhe forcat vullnetare, që do kishin zënë me kohë qendrat e zjarrit.

Unë bëja pjesë në një brigadë artilerie, që do merrte pjesë në luftime luftarake të zgjatura kundër “objektivave armike” në distancë dhe ndaj tankeve armiq. Armatimet ishin kryesisht kineze, por kishte ende edhe topa sovjetikë. Por si na kishin mësuar gjatë gjithë viteve që përgatiteshim ushtarakisht, njeriu ishte mbi armën dhe jo arma mbi njeriun. Kjo na bënte të kishim epërsi ndaj armiqve, që mund të kishin armë më të sofistikuara, por nuk kishin në shpirt “zjarrin” që ndizte zemrat tona, se luftonim për të mbrojtur Atdheun, socializmin dhe idealet komuniste. Në vitet ’80 nuk kishim më as ndihmën e 700 milion kinezëve, që si të tjerët, kishin tradhëtuar marksizëm-leninizmin.

Ajo që na bënte të ndjeheshim të sigurt, që nuk do kishte luftë, nuk ishte as përgatitja jonë, as besimi në pathyeshmërinë e “popullit ushtar”, por një ndjenjë se nuk do kishte luftë në Europë pas asaj ç’kishte parë Europa gjatë Luftës së Dytë. Dhe duke përjashtuar përplasjet midis grupimeve katolike dhe protestante në Irlandën e veriut, që përgjithësisht ishin veprime terroristësh, në Europë nuk pati luftë deri në vitet ’90, kur nisën luftërat në Jugosllavi.

Populli ynë, që nga një “popull ushtar” ishte populli më pak luftëdashës në gjithë Europën. Për fat të mirë nuk ishin krijuar qarqe të fuqishme ushtarakësh, të cilët mund të rrezikonin në çdo çast në një vend të paqëndrueshëm vendosjen e një Diktature të djathtë ose të majtë. Oficerët e liruar emigruan në masë dhe një pjesë hapën biznese të vogla ose u morrën me kambizëm. E theksoj për fat të mirë, jemi një vend ushtarakisht i dobët, dhe nuk kemi njerëz që t’ju marrë koka erë dhe të krijojnë konflikte ushtarake me fqinjët. Ndoshta në urrejtjen për armët dhe uniformat ndikoi për mirë edhe Partia jonë e lavdishme, që na mbajti në një tension imagjinar të përgatitjeve për luftë.

No comments:

Post a Comment