Sunday, 1 January 2023

Absurditetet e një regjimi (2)




(vijim)

Si funksiononte ky grup njerëzish jo shumë i madh?

Lehtësisht mund të thuhet se pjesa udhëheqëse e Partisë Komunistë ishte një bandë kriminelësh, ose më mirë disa grupe kriminale në luftë me njëri tjetrin dhe nëse shumë udhëheqës të lartë ishin pushkatuar ose dënuar me burgime të rënda, përjashtimi nga Partia ishte një masë tejet e lehtë.

Por edhe ky përfundim është i nxituar dhe jo i mbështetur në faktet historike. Në udhëheqjen e Partisë Komuniste kishte njerëz si Sejfulla Malëshova, Ymer Dishnica, Qemal Stafa, Koço Tashko, Nako Spiru të arsimuar në universitete europiane dhe amerikane, që kishin ideale të qarta për një shoqëri më të mirë të njerëzve të barabartë. Mes tyre disa ishin nga familje shumë të pasura dhe po mohonin ato dhe pronat e tyre për një jetë pa shfrytëzues dhe të shfrytëzuar.

Por në çdo fazë revolucionare të Historisë, idealistët frymëzojnë, por ata që korrin frytet e një lëvizjeje janë oportunistët, karrieristët dhe kriminelët. Këndvështrimi i tyre i jetës është tepër pragmatik. Hyjnë në një lëvizje njerëzish, sidomos në ato përmbysëse, për të përfituar materialisht dhe kanë durimin dhe marifete të tjera për të mënjanuar idealistët dhe për të luftuar pragmatistët e tjerë rivalë. Enver Hoxha, KoçI Xoxi, Bedri Spahiu, Hysni Kapo, Liri Gega, Mehmet Shehu, Ramiz Alia,Liri Belishova dhe të tjerë ishin më të “talentuarit” mes tyre dhe krijuan tarafet e njohura që u përplasën me njëri tjetrin ende pa marrë pushtetin.  Sigurisht  që kishte edhe një kategori “qypash”, që ndiqnin verbërisht se ç’qëndrim do mbante banda që do kontrollonte Partinë dhe Shtetin, por pesha e tyre ishte e papërfillshme.

Ky model u përshtat edhe në “provincat”, ku shpejt “idealistët” u mënjanuan dhe vendet e drejtimit i morrën ata që dinin të përdornin intrigat, ose të mbanin lidhje të forta me “bandën” që drejtonte vendin në Tiranë.

Niko Xhoçka ishte një komunist i vjetër nga Progëri, me shumë ndikim në atë zonë, që kishte qënë një bazë e fortë mbështetëse e Frontit Nacional-Clirimtar. Pas lufte kishte qënë vazhdimisht Sekretar i Parë ose Sekretar Organizativ në Korçë. Parimor, i papërzjerë në tarafe, Xhoçka detyrimisht u përball me oportunistët dhe karrieristët në Korçë dhe në Tiranë dhe u sulmua për rënie në pozitat e mikroborgjezisë. U largua nga jeta politike dhe u kthye në Progër duke ndenjur i papërzjerë me jetën politiko-shoqërore deri në fund të jetës së tij.

Pjesa më militante, më injorante dhe më karrieriste e komunistëve në drejtim, pas largimit të Xhoçkës me urdhër të Enver Hoxhës, menduan të lanin hesapet edhe me disa intelektualë komunistë të sektorit të kulturës, që “nuk ju vinin pas ujrave”. Akuza më e thjeshtë ishte t’i quanin pjestarë të grupit të Niko Xhoçkës edhe pse as kishte ekzistuar ndonjëherë ndonjë grup i tillë. Marëdhëniet e Sekretarit të përjashtuar kishin qënë të respektit reciprok me këta intelektualë. Mes tyre ishin Andon Mara, NuçI Kondili dhe Pandi Marko. Dy të parët anëtarë partie dhe i treti kandidat. Por nuk ishte kaq e thjeshtë, sepse organizata bazë e sektorit të kulturës, ku bënin pjesë, nuk dëgjonte udhëzimin për t’i përjashtuar sepse i njihte mirë se ç’njerëz ishin. Kryesorët që këmbëngulnin për këto përjashtime ishin Peti Shamblli, Nuri Resnja, Rita Marko, Gaqo Pisha dhe Myftar Grabocka. Tre prej tyre patën karriera të gjata politike, veçanërisht Rita, që për një kohë të gjatë mbeti anëtar i Byrosë Politike. Nuri Resnja dhe Gaqo Pisha u mënjanuan në vitet ’60 dhe ’70 si pjesë e spastrimeve të herë pas herëshme që bënte Partia.

Akuza e “grupit të Niko Xhoçkës” ishte e lehtë të hidhej poshtë para se Shpresa Fuga të arrinte në Korçë, sepse nuk kishte ekzistuar një grup i tillë. Marëdhëniet e Andonit dhe të të tjerëve me ish-sekretarin kishin qënë tepër zyrtare.

(vijon) 

No comments:

Post a Comment