Diçka ishte shkruar diku,
Në retë mbi Olimp
A në zgafellat e Dantes,
Bashkë nuk mund të qëndronim gjatë,
Ishte e pamundur,
S’mund të arrinim fundin e shfaqjes.
Ty nuk të pëlqenin zhbirimet që bëja nëntokë
As “hulumtimi i gjeometrisë së rastit”;
Unë nuk duroja dot mbrëmjet mondane,
Shtrëngimin e frakut,
Përcëllimin e përsosmërisë;
Doja të plluskoja në lirinë e çastit.
Të kapur fort pas njëri tjetrit
Duke dashur të mposhtnim të pamundshmin fat të shkruar,
Llërët tona
coptuam,
Prej të fortave tërheqje,
Me bindjen se çdo gjë mund të bëjnë
Dy njerëz marrëzisht të dashuruar.
Një ditë perdja do bjerë,
Por nuk do jetë e përbashkët.
I mbeturi pas do kujtojë
Që ishim të dy njëherë,
Në një stinë dashurish të çmendura,
Në një kohë që nuk dinim se kujt i përkiste,
Në një eterike hapësirë
Dhe në një vend të ashpër.
No comments:
Post a Comment