Wednesday, 4 January 2023

Flora


Ja kisha dëgjuar zërin që kur isha fëmijë. Si shumë të tjerë të brezit tim. Ishte folësja kryesore e Radio-Korçës, pasi ishte larguar Olimbia, të cilën mund të jenë të pakët që e kujtojnë.Nuk di si ta përshkruaj zërin e saj, se gjithnjë e kam lidhur me figurën e saj të bukur dhe serioze njëkohësisht. Le të them që ishte një zë i bukur dhe gjithashtu serioz. Jo vetëm kur lexonte lajmet, por edhe në emisionet e tjera dhe veçanërisht në “Program me muzikë sipas kërkesave së dëgjuesve”, që ishte programi më i ndjekur i Radios.

Edhe kur dëgjoja në shtëpi të zihej në gojë Flora e dija se ishte fjala për Flora Bibollin. Babai fliste shpesh me mamanë edhe për ato që ndodhnin në punën e përditshme në Radio-Korça dhe duke qënë një kolektiv i vogël, detyrimisht që edhe vajza e bukur e Titanëve do përmendej.

Shkoja shpesh në godinën e vjetër të Radios, por kisha droje t’i afrohesha. Përfaqësonte seriozitetin dhe magjinë e Radiostacionit, sepse zëri I saj ishte zëri që dëgjohej më shumë. Nuk kishte folës burra në atë kohë. Flora ishte për ne dëgjuesit, Radio-Korça e gjashtë ditëve të javës. Të djelave e zëvëndesonin folëset e tjera.

E njëjta droje më pat mbetur gjithë jetën, edhe kur kisha njohur djemtë e saj, Ilirin, Benin dhe të mrekullueshmin Emil. Doja ndonjëherë ta përshëndesja rrugës dhe t’i thoja se kush isha, por më dukej sikur do prekja magjinë e mikrofonit të Radios.

Babai kishte një konsideratë të veçantë dhe njëkohësisht i quante miq atë dhe Kiçon, bashkëshortin e saj. Kishte shkuar edhe vonë pas mesnate në shtëpinë e tyre për të ndjekur fluturimin e Apollo 11 për në hënë dhe ndeshje boksi të Muhamed Aliut. Bibollët ishin nga të parët në Korçë , që kishin marrë televizor. Kur kthehej na i tregonte edhe ne me pasion ato që kishte parë. Vinte i mbushur me emocione nga ngjarjet e rëndësishme ndërkombëtare dhe nga mikpritja e Bibollëve.

Këtë shtator e takova Floran. Më priti me një dashuri, që më befasoi. Foli me më shumë dashuri për vitet që kishte punuar në Radio-Korça me babanë. Ishte intervista më e ndjerë e të gjithë dokumentarit. E mençur, e qartë, kumbuese, Flora Bibolli mund të sfdojë çdo 87 vjeçare kudo në botë. Takova një zonjë, që kishte mendësinë e një europianeje dhe amerikano-verioreje. Ndaj jo vetëm prej Kiços, kanë patur aq cilësi dhe talente djemtë e saj.

U përafuam disa herë gjatë vizitave të mija, si për të zëvendësuar ato takime që nuk i kishim bërë më parë. Flora ndoshta çmallej edhe me vitet e saj të bukura të Radios dhe me Andon Marën, të cilin e kishte dashur dhe respektuar. Në disa biseda mësova shumë rreth saj, jetës me ulje dhe ngritje, por të përballuar me forcë shpirtërore dhe me mënçuri.

Sa me fat u ndjeva që e njoha edhe vetë!

No comments:

Post a Comment