Monday, 2 January 2023

Absurditetet e një regjimi (3)

 


(vijim)

Mbetej vetëm arsyeja e “dezertimit”, që në vendim ishte formuluar fjalë për fjalë kështu: “8)Eshtë ç’këputur nga reshtat e ushtris N.Cl që më 43 pasi ishte plagosur pak yri në qytet ku qëndroj deri në çlirimin pa punuar.” Vendimi i shkruar nga ndonjë gjysëm analfabet është firmosur nga shoku Rita Marko. Të bie në sy që nuk përmendet fjala dezertim, që në kohë lufte kishte shpënë edhe në pushkatim të disa partizanëve. Por me djallëzi përmenden “i plagosur pak” dhe “pa punuar”, që nënkupton i paangazhuar në punët e Partisë dhe të Frontit. Askund nuk përmendet, që në kohët kulmore të Luftës së Frontit në Shqipëri, në korrik të vitit 1944, Andon Mara ishte pranuar në Partinë Komuniste.

Rreth kësaj pike, në dosjen e “komunistit të përjashtuar”, ka disa deklarata dhe dëshmi kontradiktore, që dëshmojnë se që në vitet e para të pasluftës ishte krijuar brenda Partisë një frymë karrierizmi, shtrembërimi të të vërtetës dhe e luftës mes njëri tjetrit. Nesti Zoto (duhet të jetë ai që quhej nga të gjithë me nofkë Nesti Zoçka), më 1950 punonjës i Ministrisë së Jashtme, edhe pse dëshmon që në Korçë ishte dërguar për t’u kuruar nga mjeku i Spitalit partizan dhe ishte i dobët edhe pas kurimeve, shton se “nuk ka qënë njeri i sakrificës dhe gjithnjë ngrinte çështjen e sëmundjes”.

Më e rëndë është deklarata verbale që Vandush Vinçani, njeri për të cilin Andoni kishte një vlerësim të madh, i bënte Shpresa Fugës.  Plagosja nuk ka qënë aq e madhe dhe mund të ishte kuruar edhe në mal. Ka zbritur më duket me leje dhe është mjekuar në shtëpi dhe jo në spital…i është thënë të dalë përsëri në mal, por nuk ka dalë nga frika.” Vandushi ishte mik i babait dhe njëkohësisht mesa tyre që e rekomanduan si të denjë për të hyrë në parti dhe njëkohësisht përgjegjësi i celulës së Partisë Komuniste ku bënte pjesë Andoni. Përse duhet ta bënte një deklaratë të tillë? Nga koniukturat dhe nga që nuk donte të prishej me ata që kishin vendosur përjashtimin dhe që ishin Peti  Shamblli, Rita Marko dhe Liri Belishova? Eshtë e vështirë të gjesh sot një përgjigje të saktë, sepse nuk ka mbetur asnjë i gjallë nga ata që njihnin njerëzit e asaj kohe dhe marëdhëniet mes tyre.

Edhe pse me deklarata të tilla të disave, duket se nga “hetimi” i Shpresa Fugës ka rezultuar se thuajse të gjitha arsyet kishin qënë të sajuara ose të stërzmadhuara, ndaj thuajse dy vjet pas përjashtimit dhe më se pas një viti të kërkesës së Andon Marës për të anulluar vendimin e Pleniumit të Partisë së Korçës, Kolegjiumi i Komitetit Qëndror përgatit me shkrim Projekt-Vendimin e Sekretariatit të Komitetit Qëndror me këtë tekst:

“ VENDOSI: Të konsiderojë të rëndëpërjashtimin nga Partija për Anton Marën. Anton Mara të kthehet në Parti me vjetërsi dhe për gabimet e tij të bëhet vërejtje në kartën e rregjistrimit.” Projekt-vendimi është firmosur nga Sekretari i KQ, Spiro Pano.

Diçka ka ndodhur në Mbledhjen e Sekretariatit të Komitetit Qëndror të pranverës së vitit 1952, që e ka përmbysur këtë projekt-vendim. Dikush ose disa nga pjestarët në mbledhje ka këmbëngulur që vendimi i parë ka qënë i drejtë dhe se Andon Mara nuk meritonte të ishte anëtar partie.

 (vijon)

No comments:

Post a Comment