(vijim)
Me oficerët patëm pak të bënim edhe gjatë viteve të
gjimnazit, kur filluam të “stërviteshim” ushtarakisht. Shkolla kishte një
oficer, që ishte nëndr
Ne patëm “fatin” të na i bënte një mësues letërsie, që ishte
lindur për oficer dhe që na i bënte të padurueshme ditën e ushtarakes, e cila për
të tjerët ishte thuajse një ditë pushimi. Zelli “ushtarak” i Dh.K. ishte për
t’u admiruar dhe nuk kujtoj gjatë gjithë viteve të së mesmes të kemi folur
ndonjëherë me të për letërsinë. Vetëm për ushtrinë, Bashkimin Sovjetik dhe sportin.
Ishte admirues i hapur i rusëve ( të kohës së Stalinit) edhe pse kjo nuk tingëllonte
shumë mirë në kohët kur ne ishim në “luftë me revizionistët”. Nuk i përcolli
dot asnjë nxënësi zellin e tij dhe besoj se bëri që ta urrenim më shumë
përgatitjen luftarake.
Brezi para nesh dhe ata pas nesh kishin bezdi të madhe nga
stërvitjet ushtarake. Flas për rininë e qyteteve, se ndoshta në fshat kishte
shumë të rinj me dëshirën për t’u “veshur”, që t’i shpëtonin punëve të rënda të
bujqësisë. 99% të kontigjentit të shkollave ushtarake ishin nga fshatrat dhe
qytezat. Karriera ushtarake ishte gati e papranueshme për qytetarët. Kishte
ikur edhe koha e kolonelëve dhe gjeneralëve, sepse prej vitit 1966, sipas
modelit kinez, ishin hequr gradat në ushtri. Histori nga më qesharaket
tregoheshin nga ata që kishin mbaruar shërbimin ushtarak dhe përgjithësisht
njerëzit talleshin me ushtarakët. Pjesa dërmuese nuk i hiqnin uniformat as në stadium,
kinema, vizita familjare, sa dukeshin të çuditshëm kur i shihje rrallë herë të
veshur civilë.
Ishte kjo që ka ndikuar edhe në një lloj indifference që
popullsia ndoqi spastrimet në ushtri të viteve 1974-75, ku ajo që u quajt “fshesa
e hekurt” goditi jo vetëm oficerët madhorë, por edhe shumë e shumë të tjerë në
pozita të mesme dhe të ulëta. Por pas këtij spastrimi përgatitja ushtarake e
popullsisë civile u bë edhe më e shpeshtë dhe më e rëndë. Në çdo lloj ndërmarjeje
dhe institucioni njerëzit u detyruan të bënin “dezhurne” 24 orëshe, me zarfe
sekrete në sirtare dhe me një skemë të lajmërimit të “kontigjenteve” nëse do
sulmoheshim. Tensioni i “mbrojtjes nga armiqtë“ ishte tërësisht artificial
sepse nuk kishte asnjë lloj zhvillimi në Europë, që të justifikonte një gjendje
të tillë, përfshi edhe instalimin e mijëra QZ në gjithë territorin shqiptar.
(QZ ishin qendrat e zjarrit, që sot njihen si bunkerët.) Më shumë se paranoia e
Diktatorit se do e rrëzonin nga jashtë, ishte frika e tij se njerëzit nën
ndikimin e brendshëm mund të fillonin të shprehnin hapur pakënaqësitë nga
shkurtimet e ushqimeve, që vinin si rrjedhojë e shkurtimit të ndihmave nga
Kina.
Ne ishim pjesë e “gjithë popullit ushtar” dhe në
universitet, ku bënim çdo vit 3 javë “zbor”, si dhe një herë në muaj roje tek
depot e armëve në Qytetin e Studentit. Kishim nisur të kuptonim më shumë se ç’bëehej
në vendit tonë “të çuditshëm” dhe të reagonim pasivisht ndaj urdhërave idiote të
oficerëve. Për fat të mirë, shumica e pedagogëve, që përbënin shumicën e
drejtuesve ushtarakë në zbore kishin të njëjtën ide ndaj marrëzisë të mbrojtjes
nga NATO dhe Traktati i Varshavës. Kodrave të Mamurrasit dhe brigjeve të Droit
shtynim ditët duke u shëllërur dhe duke u tallur me të gjithë ushtarakët e botës.
Po përgatiteshim si një brez, që ishte tërësisht kundër çdo lufte dhe kundër çdo
lloj arme. Nuk ndjenim asnjë kënaqësi as kur bënim qitje ndërsa oficerët vërdalloseshin
mbi kokat tona duke bërë kujdes “të mos na ndodhte ndonjë ngjarje e jashtëzakonshme”.
(vijon)
No comments:
Post a Comment