Thursday, 26 January 2023

Ata e "urrenin" Korçën


Ka pasur një dukuri jo të këndshme për ne korçarët, që dallonim njerëz të cilët kishin antipati për Korçën në vitet '60 dhe '70. Ndodhte tek një pjesë e të ardhurve nga Tirana, që ishin të detyruar të punonin në Korçë.

Transferimi në rrethe për të punuar kishte qënë edhe në vitet '50 për ushtarakët e Ministrisë së Mbrojtjes dhe ata të Brendëshme, si dhe për funksionarët e lartë të Partisë dhe Komiteteve Ekzekutive, pornë vitin 1966, me luftën kundër burokracisë u shtri edhe në nivele të nëpunësve më të ulët. Nëpunës të Ministrive dhe të ndonjë institucioni qëndror, nisën t'i transferonin nëpër rrethe, gjë që prishte mjaft jetën e tyre familjare, sepse në kryeqytet e kishin ndërtuar një të tillë. Pa llogaritur këtu, që transferimi ishte një hap i madh pas në karrierën e tyre. Korça ishte më pak e preferuar nga të gjitha qytetet e tjera të mëdha, për shkak të distancës nga kryeqyteti dhe dimrit të ashpër. Duheshin të paktën 4 orë nëse mund të gjeje një makinë mallrash dhe 8 orë me linjë të rregullt tren-autobuz. Nuk kishte linjë të drejtpërdrejtë autobuzi Tiranë-Korçë.

Vetë jeta në Korçë kishte marrë të tatëpjetën prej ardhjes në fuqi të Diktaturës, për shkak të mbylljes së kufijve me Greqinë, me të cilën ishim në gjendje lufte. Një pjesë e mirë e intelektualëve, për arsye të ndryshme kishin ikur në Tiranë dhe në qytetet të tjera dhe nga qëndra e kulturës shqiptare në vitet e paraluftës, Korça kishte filluar të merrte natyrën e një qyteti provincial.

"Të transferuarit", të cilëve ju rrinte mbi kokë "mungesa e afatit", për arsyet e mësipërme dhe nga që nuk shprehnin dot pakënaqësinë ndaj Partisë, e kishin drejtuar pakënaqësinë e tyre ndaj Korçës. Ndoshta rol luante edhe një lloj homogjenizmi i popullsisë vendase dhe integrimi i ngadalshëm i "të ardhurve". Ata shpesh shoqëroheshin mes tyre dhe "qanin hallin" e largësisë nga Tirana e tyre dhe se ç'gurë po lëviznin për t'u kthyer në kryeqytet.

E kisha ndjerë disa herë vetë dhe edhe pse nuk e kisha diskutuar me njeri më dhembte, që njerëz që vlerësoja të mos kishin simpati për qytetin tim dhe njerëzit e tij. Për mua ishte gjithshka, sepse jo vetëm që isha fëmijë dhe në të gjeja gjithshka të bukur, por isha rritur edhe me ndjenjën "Korça është e para!", e ushqyer nga im atë, i cili madje nuk kishte lindur në Korçë. Ato që përmendin të rriturit, të cilët kishin edhe një lloj anësie për qytetin, ishin kultura, edukata e punës, respektimi i rregullave, klima dhe qytetërimi. Vite më vonë, kur u rrita dhe pata më shumë udhëtime në Shqipëri e kuptova që kishin patur përgjithësisht të drejtë.

Sigurisht të drejtë kishin edhe "të ardhurit", që nga një jetë më e mirë në Tiranë ishin të detyruar të jetonin në një qytet të largët dhe me pak mundësi karriere. Ajo që më pat lënduar më shumë, kur kam qënë 13-14 vjet, ishte kur lexova rastësisht në bllokun e një bashkënxënësi një shënim që pak a shumë ishte i tillë: "Korça -Parisi i vogël. sepse këtu janë mbledhur të gjitha vogëlsitë dhe të këqiat e Parisit ngathashethemet, intrigat, zilitë, kopracia..." U ndjeva shumë keq sepse nuk e prisja një përshtypje të tillë dhe ndonëse isha në praninë e bashkënxënësit tim nuk i thashë gjë. Ndjeva që ishte një deduksion "i mëkuar" në familje. Kishin vite që rronin me ëndërrën e kthimit në Tiranë. Në fundin e viteve '70 dhe fillimin e viteve '80 e hasa edhe tek të tjerë njerëz, disa prej të cilëve ishin edhe me origjinë nga Korça. I kuptoja arsyet e tyre dhe tani kuptoj edhe pse antipatia dhe urrejtja duhet të drejtohen diku dhe në ato raste drejtohej ndaj qytetit dhe njerëzve që nuk ju kishin ndonjë faj. Jose qyteti im dhe njerëzit e tij ishin të përsosur, por them pa frikë që ishin ndër më të mirët e shqiptarëve. Nëse nuk gjeje dot të mirat në një qytet si i imi, kjo vinte nga fakti se nuk doje t'i gjeje këto të mira. Ishe i predispozuar të kërkojetë keqen.

Rreth 20 vjet më parë, u takova me një bashkënxënësen time, që në mesin e viteve '70 ishte transferuar në Durrës. Kishte jetuar 4-5 vjet në Korçë, pasi kishin qënë familisht në Tiranë. U çudita kur më tha se pasi kishte jetuar fillimin e adoleshencës në Korçë, jeta në Durrës kishte qënë mbytëse për një vajzë të re. Kisha patur përshtypjen se Durrësi i kohës së Diktaturës ishte ndoshta qyteti më liberal dhe i përparuar, për shkak të Portit dhe kontakteve më të shumta me të huajt, por nuk paska qënë i tillë. Ndjeva një lloj "hakmarrjeje" të ëmbël ndaj atyre që më kishin lënduar në fëmijëri dhe adoleshencë me anti-korçarizmin e tyre.

No comments:

Post a Comment