Monday, 2 January 2023

Mërzia dhe Trishtimi

 


Në një përkthim shumë të mirë nga italishtja, të bërë si zakonisht nga avokati im që nga Tiroli i Jugut , Mërzia kishte zëvendësuar Trishtimin dhe nga kjo rrodhi një përsiatje ndaj këtyre dy kategorive, nëse janë të afërta apo jo.

Unë jam shpesh i trishtuar por jo i mërzitur dhe nëse do jem një kohë të gjatë i mërzitur, ka rrezik të më kaplojë një trishtim i papërballueshëm. Dua t’i shmangem sa më shumë mërzitjes pikërisht për të parandaluar trishtimin ekstrem.

Trishtimi është paralizues ndërsa mërzia jo. Mërzia (nëse do i referohemi këngës së njohur të “Kalifit” – Tutto il resto e noia) të bën të ikësh menjëherë nga një vend tek një tjetër, atje ku nuk ka mërzi. Nëse je i trishtuar nuk të shtyhen këmbët të shkosh kërkund. Mërzitesh në një takim me dy ose tre shkrimtarë mesatarë, që i tregojnë meselera një tufe të rinjsh, sepse nuk ka asgjë të bukur, informuese ose që të sfidon intelektin. Shkon prej aty tek tregu i plaçkave të përdorura për të dëgjuar rromuzet pikante të kurbatkave dhe për të parë se si i përzgjedhin njerëzit rrobat që më parë i ka veshur dikush tjetër. Ka shumë e më shumë jetë dhe fantazinxitje në një vend që paraprakisht dikujt mund t’i duket më i mërzitshëm se një takim me shkrimtarë mesatarë.

Një femër e bukur mund të të mërzitë me marrëzitë që nxjerr nga goja, por nuk të trishton. Mjafton të këndosh këngën e Mazinit “Bella stronza”, (duhet thënë që Mazini është një këngëtar i trishtuar, por jo i mërzitshëm) dhe e ke kaluar rrezikun e trishtimit dhe shkon të kërkosh një shtrat tjetër, ku mund të dëgjosh edhe fjalë me mend. Mërzia është më tepër e ndikuar nga ç’ka na rrethon, ndërsa trishtimi është i brendshëm. Ndjekësit e Jungut mund të thonë pa nguruar  se Mërzia është një femër ekstroverse ndërsa Trishtimi një mashkull introvers. Ose nëse do qëndronim në botën e këngëtarëve italianë, diçka sikundër janë Mina dhe De Gregori.

Po pse shpesh herë themi “jam i mërzitur” pasi na ka ndodhur diçka jo e mirë në punë, shoqëri ose në familje? – ka të drejtë të pyesë çdo lexues.

Për mendimin tim është një përdorim jo i saktë i kategorisë Mërzi. Kur na ndodh diçka jo e mirë mund të jemi nervozë, të acaruar, të trishtuar, të shqetësuar,  por kursesi të mërzitur. Mërzia (noia-it ose boredom-ang) është gjendja e paraHiçit do thoja. Më shumë se ndjenjë pozitive apo negative, ajo është një gjendje neutrale, e vakët, e frikshme, që të sjell në periferinë e zonës së Vdekjes dhe Asgjësë. Ndaj duhet të ndryshosh vend (se në kohë nuk udhëton dot) për të gjetur diçka eksituese, që mund të të sjellë gëzim (më mirë), por edhe në sjelltë trishtim përsëri është më mirë se një gjendje në Mërzi.

Na mërzite gajden me këtë përsiatje!” mund të thoni me të drejtë pas leximit të këtyre rrjeshtave dhe të hyni në një faqe tjetër në Internet dhe kjo nuk do më trishtojë, se dimrit është më mirë të jesh vetë.

 

No comments:

Post a Comment