Ka një prirje në historiografi, që thekson rolin e " të urtëve" në Historinë e Njerëzimit. Ka shumë të ngjarë të jetë e stërmadhuar, sepse në historitë e popujve të ndryshëm, figurat më të rëndësishme historike kanë qënë "të dhunëshmit" (pra të fortët)dhe ndryshimet (apo edhe evoluimi i një shoqërie) ka ardhur si rrjedhim kryesisht i veprimtarisë së tyre.
Por le të mos e tejkalojmë "objektivin" e këtij shënimi të shkurtër, që ka të bëjë me një lloj analogjie të ngjarjeve të disa shekujv më parë me ato të sotmet. Dhe pikërisht me sjelljen e "të fortëve", të cilët në shoqëritë me institucione të dobëta bëjnë ligjin.
Unë dhe shumë moshatarë të mij u lindëm në pjesën "fushore" të Korçës, jo për shkak se " i urti" Iliaz bej Mirahori kërkoi nga Sulltan Bajaziti t'i jepej fshati Peshkëpi, porse i biri i tij, Safet beu, pas vdekjes së Iliazit. zhvendosi me dhunë tregun nga Mborja në vendin ku është sot Pazari i Korçës.
"Po mirë bëri," mund të hidhen e të thonë disa që nguten- "pse skërkave do rrinim?"
Këto rrjeshta nuk janë për të gjykuar Safet beun. Janë një lloj meditim-analize për rolin që kanë në shoqëri "njerëzit e dhunës".
Njerëzit e "fortë" përgjithësisht nisen nga motive tepër materialiste si paratë, pronat, gratë etj. Edhe nëse ka raste që motivet mund të jenë në dukje ideologjike ose ndjesore si feja apo hakmarrja, në bazë përsëri janë shkaqet materiale dhe territoriale. Në rastin e Safet Mirahorit, ai kërkonte çvendosjen e tregut në territorin e tij, për të marrë taksadhe për të pasur zhvillim krahasuar me vendbanimin "rival", që ishte Mborja. Edhe në Mborje shumica e popullsisë ishte kthyer në myslimane dhe kishte veç tregut edhe një xhami dhe një hamam.
Mënyra e përdorur nga Safet beu është gati identike me ato që përdorin "zullumqarët" e sotëm, Në fillim trimat e tij nisën të krijonin sherre dhe turbullira në pazar, më pas rrëmbyen "kazanin" (boilerin) e hamamit dhe shpunë në territorin e tyre. Edhe pas ankesave në Stamboll të mborjarëve, tregu gradualisht u zhvendos atje ku është edhe sot dhe kështu filloi rënia e një vendbanimi dhe lulëzimi i një vendbanimi tjetër.
Në këtë histori të 500 viteve më parë nuk ka as rol të pushtuesve turq, nuk ka as dasi fetare por ka "të dhunshëm", që ushtrojnë forcën dhe terrorin për të përfituar ata vetë dhe klani i tyre.
Vendet perëndimore kanë nxjerrë mësime nga historia dhe për të kufizuar pushtetin e "të fortëve" janë përpjekur të krijojnë institucione të forta, të cilat edhe nëse nuk aplikojnë dot një drejtësi totalisht të kulluar ndalin terrorin dhe arbitraritetin. Eshtë pikërisht kjo arsyeja, që "të fortët" e Shqipërisë duke nisur me kapot e krimit të organizuar dhe duke vazhduar me politikanët kryesorë dhe jetëgjatë, janë kundër krijimit dhe forcimit të institucioneve. Me forcimin e këtyre të fundit, pushteti i tyre zbehet së tepërmi.
Mjaft të shohësh arrogancën e kryeministrit të sotëm, që më shumë se kurrë do të identifikohet si "i fortë" dhe autoritativ. Krijimi i pushteteve serioze juridikë dhe legjislativë i sjellfundin sundimit të tij, që bazohet mbi vjedhjen, krimin dhe terrorin. (Terror është ç'ka ushtrohet me lënien pa punë të njerëzve, që janë kundër drejtimit të tij; blerja e mediavedhe të tjera mënyra , të cilat shumë i quajnë të zgjuara dhe të ligjshme.)
Shqipëria ka për të ndryshuar atëhere, kur "të urtët" të jenë në gjendje të zotërojnë fushën e mendimit dhe atë poltike.
Për fat të keq, kjo ditë edhe nëse nuk zgjat edhe 500 vite të tjera, do jetë e largët.
No comments:
Post a Comment