Friday, 13 January 2023

Të gjitha betejat e mija të humbura


Vendi ku jetoj, ose mosha, ose të dyja sëbashku, më kanë bërë të mos i trembem cilësorit “humbës”. Ne e përdorim më pak në shqip, nëse e krahasojmë me “loser” në anglisht. Madje Kadareja i ka dhënë një kuptim më të largët, tek esseja e tij “Eskili, ky humbës i madh”. Parapëlqejmë, që atë që humbet një garë apo një betejë, ta quajmë “i munduri”.

Ndonjëherë mendoj se dështimet më vijnë për shkak të mosçuarjes deri në fund të një beteje, herë të tjera, që kam nisur beteja pa llogaritur mirë forcat (që më bën një lloj Don Kishoti), por më të shumtën e rasteve mendoj që kam i ndërgjegjshëm, që do humbisja.

“Fushat e betejës” kanë qënë blogu im, mediat sociale dhe ato tradicionale në Shqipëri. Kam “sulmuar” kryesisht politikanët e korruptuar, jam përpjekur të ndal ndërtimin e Kullës Vrojtuese në Korçë, kam kritikuar Peleshin dhe Gollashin për fajet në ndërtimet në Korçë, kam dashur të demaskoj si një arkitekt-sharlatan Peter Wilson, kam shkruar shpesh për të rikthyer statusin e Mësonjtores së Parë Shqipe. Sigurisht që nuk prisja që korrupsioni në Shqipëri do zhdukej se shkruaja edhe unë, por kisha shpresë se ndoshta Kulla mund të mos ndërtohej dhe Mësonjtores t’i kthehej statusi si Muze Kombëtar. Asgjë nuk ndodhi. Peleshi dhe Gollashi vazhdojnë të abuzojnë me fuqinë e tyre për ndërtimet në Korçë, Peter Wilson vazhdon të projektojë edhe këtë vit në qytet dhe Mësonjtorja ka mbetur si një Muze i thjeshtë në provincë.

Mosbesuesit në “veprimin qytetar” mund të thonë me gojën plot -“Po kot o e kishte dhe ay, sa i binte legenit! Ce s’e dimë ne që nuk bëhet gjë!” Të tjerë “çizmelëpirës” mund të thonë me marifet -“ Shkruan me mllef dhe i mungon objektiviteti” dhe ka edhe shumë që parapëlqejnë të mos thonë asgjë ose mendojnë se unë dhe të tjerë si unë, nuk kanë me se të merren dhe kritikojnë vend e pa vend.

Duhet edhe të jem i sinqertë dhe të pranoj që kam avantazhin, që kritikat ndaj “të fuqishmëve” nuk më lenë pa rrogë, si mund të lenë kritikët , që jetojnë në Shqipëri. Më bëjnë vetëm një “humbës serial moral”. Nuk më cënojnë kushtet e jetesës.

Një kolegu im, vite më parë, më thoshte me dashamirësi : “Ciften e ke të mirë, por qëllon në bythë elefandi!” Ishte një lloj këshille, që të mos merresha me gjëra , të cilat nuk mund të ndryshojnë. Por unë vazhdoj “të shtie” me saçmat e mija të vogla, pikërisht se nuk e kam humbur besimin tek e mira. Kjo është në bazën e çdo lloj “donkishotizmi”. Eshtë të qëndruarit larg nga qëndrimi “racional”, apo më keq ai “cinik”, që e “keqja është stërmadhe dhe nuk mund të luftohet.”

Dielli lind çdo ditë dhe i gëzon edhe të korruptuarit, edhe cinikët, edhe racionalët, edhe kritikët edhe “humbësit” si unë. Eshtë kjo në bazën e çdo dëshire, sado naïve, që gjërat mund të ndryshojnë edhe me përpjekje sado të vogël. Eshtë kjo në bazë edhe të mendimit mijëvjeçar, se Goliadhi mund të rrëzohet edhe duke shtënë “me prazhgë“. Sigurisht që “e qëlluara “ e Davidit i ka shanset një në njëmijë, a mbase edhe një në një million, por duke hequr dorë nga përdorimi i prazhgës je më se i sigurt që do jesh jo vetëm “humbës”, por pjestar i një tufe të madhe me “të humbur”.

Ndaj le të humb vazhdimisht edhe këtë vit!

No comments:

Post a Comment