Kishte mbetur thuajse e plotë në mendjen time edhe pjesa hyrëse
dhe refreni i asaj kënge. Pra ishte këngë. Por një këngë misterioze, pa asnjë “cv”
të saj, që mund të më ndihte për ta dëgjuar. Edhe pas miliona herësh të dëgjimit
të këngëve franceze dhe italiane prej viteve ’50 dhe deri ato të këtij shekulli
ajo nuk e shfaqi asnjëherë “fytyrën” e saj të mbuluar nga vellot e viteve.
Deri në marsin e vitit që posa na la. Kur ishin lejuar udhëtimet
pas mbylljes për dy vjet të gjithshkaje. Dhe pas një humbjeje të madhe timen.
Gati sa nuk thirra “eureka”, kur u dëgjuan notat e para të melodisë dhe zëri i
ngrohtë i Sylvie Vartan. Lashë menjëherë atë që po shkruaja dhe ktheva
programin e YouTube. Kënga quhej “La Maritza” dhe niste me fjalët “Mariza është i imi lumë/ Si është për ju të
tjerët Sena…” Nuk ngopesha së dëgjuari dhe ridëgjuari , si për të zëvendësuar
50 vitet që kisha humbur. Ishte një pjesë e vogël, disa akorde, që ishin
transformuar në kokën time, por e gjithë melodia ishte po ajo. Pa fjalët. Nuk i
kisha ditur kuptimin e tyre edhe pse thellë botës sime prej fëmije pata ndjerë
trishtimin e tyre.
“Nga dhjetë vitet e
para të jetës/ Asgjë nuk më ka mbetur/As kukulla prej lecke/ Cdo gjë tretur /
Veç këtij refreni…”
Kënga është e vitit 1968, kur thuajse kisha mbushur 10 vjet.
Një përputhje e rastësishme e disa vargjeve me moshën time. Edhe pse e imja nuk
ishte e trishtuar. Por kënga (kur e kisha dëgjuar) më kishte lënë mbresë të
thellë. Ndoshta refreni më shumë, ashtu si kishte mbetur edhe në kujtimet e
vajzës që kishte shkuar në Paris. “ Kur
qielli u mbush me re/ Zogjtë u nisën në rrugën e shpresës/ Kështu u nisëm edhe
ne/ Për në brigjet e Senës…”
Tani, që kam kuptuar më shumë, nuk di ç’të bëj me këtë këngë
të vogël dhe të bukur, që më pëlqente në fëmijëri dhe më cfiliste viteve të
rinisë pasi e sillja ndër mend, por nuk e dëgjoja dot kërkund. E ridëgjoj dhe më
vjen të them, që ndoshta nuk u rrita kurrë, se mbeta po ai katërmbëdhjetvjeçar,
që këndonte një këngë të trishtë, të cilës nuk ja dinte fjalët, ashtu si
jetonte një jetë pa ja ditur kuptimin.
No comments:
Post a Comment