Friday, 6 January 2023

Shoku jonë më i mirë - Jani


30 vjet më parë, në rrethana të mistershme, humbi jetën Jani Papanaumi. Atë vit mbushte 34 vjet. E kujtoj tronditjen e atij mëngjesi mesjanari, i vrenjtur, por pa dëborë. Nuk di sa ditë kisha pa e parë, se edhe pse ishim të ngarkuar me punë atë vit, kthehesha ndonjëherë në Bar-Restorant Valbona, ku ai punonte.

Jani ishte më i pjekuri dhe më i mënçuri i të gjithë Maturës ’78 të Themistokliut. Nga ajo maturë kanë dalë kryetarë bashkie, prefektë, ambasadorë, doktorë shkencash, por asnjë nuk kishte urtësinë e Janit. Ishte një “lider” që nuk donte të ishte i tillë. I tërhequr, fjalëpak, i drejtë, ai bënte ta ndiqnin pas dhe ta dëgjonin të gjithë ata, që qëllonin të ishin rreth tij.

Nuk ishte në klasë me ne, por e kishim njohur pak që në vitin e fundit të 8-vjeçares, kur konkuronim në volejboll dhe basketboll mes shkollave. Ai ishte lojtari më i mirë i klasës sportive të “Naum Veqhilharxhit”. Edhe ne të Muzikës, megjithëse vetëm një klasë, konkuronim atë vit mirë me klasat sportive, që përgjithësisht zinin vendet e para në ato kampionate. Mobilizoheshim veçanërisht kur luanim me “Naum Veqhilharxhin”. Ai vazhdoi të merrej me atletikë edhe për shumë vite si dhjetëgarist. Ishte lloji i sportit që i përshtatej dhe bënte të kishte një trup shumë të formuar.

Gjatë viteve të shkollës së mesme ai ishte djaloshi , që donin të kishin shok të gjithë djemtë. Një model për të gjithë ne dhe edhe pse nuk ishim në një klasë, në dy vitet e fundit të shkollës u afruam shumë. Atë kohë dalluam që ishte vërtet ai që dukej nga larg. I zgjuar, i vëmendshëm, i vërtetë dhe besnik. Nuk druhej të të theshte kur gaboje. Këndonte bukur dhe po aq bukur luante valle. Me një elegancë dhe teknikë, që nuk di ku e kishte mësuar. Por këtë cilësi të fundit ja kisha parë gjatë dasmave të rrethit të tij familjar, se në mbrëmjet e vallzimit të shkollës nuk e kujtoj të ngrihej. Nuk donte të binte në sy.

Dy javë të verës së vitit 1979 i kaluam në “Sharra” në Durrës. ishim 7 shokë, të gjithë në pritje të “vendimeve” të konkurseve dhe të seksionit të arsimit për të marrë të drejtat e studimit. Jani kishte konkuruar për në Institutin e Fiskulturës dhe kishte qënë padyshim më i miri mes kor]arëve. Megjithatë, në atë kohë, sikundër edhe sot, jo gjithnjë më të mirët shpalleshin fitues. Ishte një vit me shumë pak të drejta studimi dhe “miqësitë“ luanin shumë rol.  I jati, Nuni, u nis në Tiranë për të zgjidhur atë vendim të padrejtë dhe pati fatin e keq të sëmurej dhe pas disa muajsh të ndërronte jetë. Jani nuk konkuroi më vitin tjetër. Ndoshta nuk besonte më. Shkoi më vonë të kryente shërbimin ushtarak dhe kur u kthye, si shumë djem të brezit tonë nisi punë në Ndërmarjen Tregëtare të Ushqimit Social.

Mblidheshim shpesh për të kënduar dhe “pirë ndonjë gotë“, kryesisht në shtëpitë e njëri tjetrit. Kishte një zë të ëmbël tenori. Nuk “gërthiste” si bënim ne të tjerët pas disa dopiosh. E ruajti gjithnjë vetpërmbajtjen, gjë që e bënte përsëri “lider” mes shumë shokëve të tij të NTUS-it.

C’pat ndodhur atë natë të zezë duke u gdhirë 16 janar, që mori jetën e shokut tonë më të mirë?

Edhe pse ishte ndryshuar sistemi, hetimet shpesh nuk bëheshin të thella, për të ruajtur gjithfarë raportesh ndjenjash, marëdhëniesh, rreziqesh për skandale. Ne mbeteshim ende një shoqëri e prapambetur, që nuk ishte në gjendje të përballej me të vërtetat.

Por ndoshta të gjithë përball ndjenjën e thellë-“ Jani nuk kthehet më! C’rëndësi ka!”

Kështu e përcollëm për të fundit herë shokun tonë të vyer, Jani Papanaumi.

 

No comments:

Post a Comment