Friday, 9 September 2016

Të gjithë për një copë elektorati të majtë!

Stina elektorale shqiptare duket çdo ditë e më pranë. Pas “etheve të reformës”, që shkundën të gjithë politikën shqiptare dhe kryediplomatët e huaj, duket që të gjithë po lëvizin me synimin se ç’mund të “kapin” në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2017.
Në ndryshim nga zgjedhjet e dy-tre legjislaturave të mëparshme, kur votat vidheshin dhe pala humbëse kundërshtonte, duket që këtë rradhë votat kryesisht do blihen, do merren me premtime dhe në zona të veçanta edhe nëpërmjet kërcënimeve.
Ka një të veçantë elektorati i ynë, që duket se çdo ditë e më shumë shkon drejt të Majtës, por jo drejt një të Majte si ajo franceze, italiane, engleze apo gjermane, por drejt nje të majte tipike shqiptare.
Në të bëjnë pjesë nostalgjikët e Diktaturës, veteranët që ende nuk e kanë kuptuar se u tradhëtuan herët nga Komandanti dhe bashkëpuntorët e tij të afërt, soji e sorollopi i bllokmeneve, ish-punonjësit e sigurimit dhe ish-shefat e kuadrit dhe të tjerë që kanë kujtime të bukura nga ajo kohë e perënduar.
Sigurisht pjesa më e madhe e të majtës përbëhet nga njerëz në nevojë, pensionistë, fshatarë, mësues, mjekë, studentë, punëtorë, shitësa e njerëz të shumë profesioneve të tjera të varur drejtpëdrejt nga shteti apo nga politikat e tij ekonomiko-sociale.
Ka edhe një numur jo të vogël njerëzish, që e duan Qeverinë e madhe dhe me buxhet të madh. Këta janë punonjësit e drejtësisë sëbashku me gjithë llojet e sekserëve, të një pushtet qëndror sa më të fuqishëm, për të shkëputur llokma gjithnjë e më të mëdha nga proceset gjyqësore, ndjekjet penale etj.
Cuditërisht, për arsye të ngjashme, në këtë elektorat hyjnë edhe një pjesë e mirë e biznesit të madh e të mesëm, shtresë kjo që në vendet me demokraci normale, rreshtohet në krahun e djathtë të spektrit politik. Kjo pjesë e biznesit, në vend të luftojë për një qeveri më të vogël, për taksa më të ulta dhe më shumë liri në treg, preferon një qeveri me shumë kompetenca, që rrit borxhin publik, për të përfituar nga tenderat dhe koncesionet.
Por nëse kjo shtresë, nuk ka garanci afatgjata për të mbetur si pjesë e elektoratit të majtë, është një pjesë tjetër e popullsisë shqiptare, që për të njëjtat arsye do votojë në vazhdimësi për të Majtën Shqiptare. Kjo është pjesa më e errët e shoqërisë shqiptare. Ajo e krimit të organizuar. Me duart e future thellë në buxhetin e shtetit, nga pastrimet e qyteteve, entet e ujësjellësave dhe të energjisë elektrike, sektorët e ndërtimit të rrugëve e banesave, për përfitime nga fondet shtetërore dhe për pastrim të parave krimi i organizuar, i lidhur me politikën do bëjë ç’i vjen dore të vazhdojë e njëjta qeverisje. Politikat dhe praktikat qeverisëse të 20 viteve të fundit (edhe kur në pushtet ka qënë e ashtuquajtura e Djathtë), që favorizojnë të pasurit e të korruptuarit dhe ndëshkojnë të varfërit, i vijnë më së miri për shtati kriminelëve shqiptarë.
Për sa më sipër, për një copë sa më të madhe të elektoratit të majtë janë lëshuar të gjithë.
Rama me PS, që kanë pjesën e luanit, po mundohen të mbajnë të pacënuar pjesën e tyre.
Multimiliarderi Meta, synon të vazhdojë rritjen graduale të Partisë së tij, duke përdorur të njëjtat metoda të punësimeve në administratë dhe favorizimit të bizneseve pranë tij, për të arritur maksimumin e mundshëm.
Në skenë, i detyruar nga “thuajse përjashtimi”, ka hyrë edhe Koço Kokëdhima, për të fituar me një listë të tij, të paktën në rrethet e jugut, disa deputetë në parlamentin e ardhshëm.
Blushi dhe Hafizi( të përjashtuar “de-facto”) po përpiqen të matin forcat nëse mund të arrijnë një 10% të elektoratit të majtë, pa pasur mbështetje në para dhe pa lidhje me krimin e organizuar.
Në mënyrë të ngjashme me Metën, po vepron edhe Idrizi, që duke pretenduar se ka ngritur një parti nacionaliste të qendrës së djathtë, bën jo vetëm aleancë me të majtët po i drjetohet të njëjtit elektorat.
“I djathti” Duka, i kthyer tashmë në agraro-ambientalist, po mbledh rreth vetes socialistë “të padëshëruar” nga Rama, Meta e të tjerët, për të përfituar nga votat e të majtëve që nuk votojnë më as Ramën, as Metën dhe as të tjerët.
Zhgënjimi i të djathtëve nga politikat e ndjekura nga Berisha dhe Basha, e bëjnë këtë të fundit, që t’i mbajë sytë nga elektorati i majtë, duke premtuar po njëlloj, punësime në administratë, rrugë dhe koncesione, pa ofruar një model të ndryshëm ekonomiko-shoqëror të Shqipërisë.
Këto janë arsyet, që sjellin bjerrjen e shpresës tek shqiptarët. Edhe në media, hamëndjet rreth zgjedhjeve të ardhshme, rrotullohen kryesisht rreth pozicionimit të Metës, pro apo kundër Ramës.
Rreziku i stanjacionit ekonomik, i rritjes të borxhit publik, i rënies të shërbimeve jetike do vazhdojë të rrijë mbi kokën e shqiptarëve sepse alternativat e tjera mungojnë.

Gjithsesi deri sa kupa të fillojë të derdhet dhe pasojat të jenë tragjike për të gjithë.

Monday, 13 June 2016

4 vitet e mërzitshme të Presidencës së Hillërit

Janarin e ardhshëm, për herë të parë në historinë e SHBA, një grua do hyjë në Shtëpinë e Bardhë si Presidente. Vite më parë do ishte cilësuar si një ngjarje me rëndësi të papërshkruar historike, por shumë pak përmendet si e tillë gjatë muajve të fundit. Kjo vjen se fushata elektorale këtë rradhë nuk karakterizohet nga shpresa por nga frika. Pjesa më e prapambetur e popullsisë do votojë për Donaldin nga frika e emigrantëve, islamikëve dhe gjithë të huajve të tjerë, ndërsa pjesa më e ndriçuar do votojë nga frika se Trump mund të bëhet President.
Hillëri Klintën do votohet nga shumica(e pakët) thjesht nga frika e Trump.
Njerëzit kanë shumë pak shpresë se ajo do bëjë ndryshime të rëndësishme në jetën e shoqërisë amerikane. Popullariteti i saj është më i ulët se I çdo kandidati të majtë për President në 40 vjetët e fundit.
Edhe femrat amerikane nuk janë të entusiazmuara që një përfaqësuese e “seksit të dobët” do ulet në karrigen më të rëndësishme të shtetit më të rëndësishëm në botë. Dhe kjo jo për shkak të mosbesimit në gratë në përgjithësi, por për mungesën e besimit tek dëshira për ndryshime të mëdha e Hillërit. Krejt ndryshe do të ishte nëse kandidate e demoratëve do qe Elisabet Uoren.
Duke mos llogaritur ngjarje të mëdha të paparishikueshme , që mund të sjelin shtjellime të rëndësishme në botë, që do venë para sprovave të mëdha Shtëpinë e Bardhë, në vija të trasha 4 vitet e presidencës të Klintonit-grua mund të karakterizohen me fjalën – Statukuo. Ose më mirë të thuhet, Statukuo e kërkuar (nga korporatat).
Duke e thjeshtëzuar problemin, të pasurit do pasurohen akoma më shumë, shitblerjet e armëve do kenë një ngritje konstante, do shtohen konferencat ndërkombëtare për ngrohjen globale dhe refugjatëtë nga venet në luftë do mundohen të shojnë në vendet në paqe, që kontribuojnë në krijimin e luftrave në vendet e pazhvilluara.
Shpresa thuajse ka vdekur.
Ose më mirë po ringjallen shpresat(jo të shëndetshme) të ekstremeve të majta e të djathta, që sjellin rritjen e dhunës dhe psikologjisë së saj mes njerëzve.
A është më mirë apo më keq për njerëzimin Statukuoja?
Varet se me se e krahason.
Nëse e krahason me “furtunat sociale” sigurisht që kjo qetësi para furtunës është pakëz më e mirë, por sa zgjat ankthin e mbrritjes së “furtunave”, se nuk bën asgjë për të shpërndarë retë e errëta mbi njerëzimin, por në të kundërt ndihmon në zmadhimin e tyre.
Ndoshta do jetë më mirë të fitojë Trump, në mënyrë që “të plotfuqishmit”, të zgjohen nga ëndrra e neoliberalizmit, që nuk mund të zgjasë pafundësisht dhe të bëjnë diçka për të gjetur ekuilibre ekonomike mes shtresave dhe vendeve kudo në botë.
Por nuk ka për të ndodhur,
4 vite të tjera si ato  të 25 viteve pas Luftës së Ftohtë.
Me një fjalë:

Same shitt. 4 more years.

Tuesday, 1 March 2016

Etyd

Qielli i ka dëbuar poshtë shpendët,
Deti me dallgë stërmëdha dridhet;
Në qelqin e trashë të tryezës së kafeve
Pluhuri prêt të shkruaj diçka
A të vijëzoj lakuar
Shenjën e dashurive.
Strehët çurk rrjedhin
Se ujëmbledhësit janë plot me fletë,
Ashtu si i mbushën të pavërtetat
Arteret e dashurisë
Dhe s’lanë më të rridhte jetë.
Një robin i trembur
Duket se kërkon puplat e verdha
Lënë në një fluturim të kotë
Diku ndër të pamëshirme driza;
Për Pranverën që nuk dihet nëse vjen,

Me zë të dridhur qan Mariza*.

Saturday, 20 February 2016

Prehu në paqe professor Eko!

Qëlloi, që lajmin e papritur e mora kur isha duke lexuar në anglisht librin e tij “Mbi letërsinë“. Një dhuratë e vyer, që bëhet akoma edhe më e vyer kur mendon,që pena e tij nuk do shkruajë më rrjeshta të tjera brilante. Thashë , që lajmi ishte krejt i papritur dhe tronditës, se jo vetëm nuk kisha dëgjuar të vuante, por sepse shkruante vazhdimisht me një mençuri, e shkathësi pene të një gjeniu tridhjetvjeçar. Dukej se do largohej pasi të na kishte mësuar me mijra gjëra të tjera mbi letërsinë, artin dhe jetën. Mbi të gjitha se si të luftohet për të kërkuar e për të thënë të vërtetën. Shpresoja që në këto vite të merrte edhe çmimin Nobël për letërsinë.
Ju ktheva faqeve të fundit që kisha lexuar dje nga libri i tij. Duhet të them që është një libër, që të mëson dhe njëkohësisht të ndjesh se sa pak di nga filozofia, letërsia, mënyrat e të shkruarit, estetika dhe fusha të tjera që Umberto Eko i ka studiuar gjërësisht dhe thellësisht.
Mes dhjetra paragraphësh perla, zgjodha këtë të mëposhtëmin, për t’i mbyllur këto rrjeshta të thjeshta në kujtim të njeriut më të mënçur të italisë dhe njërit prej më të mençurve të dy shekujve të fundit në botë:
“…Ndoshta janë kohët modern, që shpikën nocionin e poetikes, due kuptuar se ata që lexuan Homerin në kohët e tij dhe disa shekuj më pas , e konsideruansi një enciklopedi të njohurive universale, po ashtu si lexuesit mesjetarë do konsideronin Virgjilin, apo Nostradamusin të tjerë lexues të mëvonshëm. Sot jemi ne që kërkojmë që në poezia, shpesh edhe në prozën letrare, të gjejmë jo vetëm shprehjen e emocioneve, apo një zinxhir aksionesh, apo një moral të caktuar, por dhe shkëndija simbolike, elementë të përafërt të të vërtetave të thella, të cilat nuk i kërkojmë më t’i gjejmë tek feja.”

(Nga fjala “Mbi Simboliizmin” mbajtur në Konferencën rreth Simbolizmit në Siena, 1994)

Wednesday, 17 February 2016

Rri gojembyllur!

Në ndjenjat e çastit ata u shkrinë…
Ndoshta është më mirë- “U shkrinë ata në të çastit ndjenja” ose “Ata u shkrinë në ndjenjat e çastit”; por nuk mund të hedhësh poshtë edhe versionet “Në të çastit ndjenja u shkrinë ata”, “Në ndjenjat e çastit u shkrinë ata” apo “Ata në të çastit ndjenja u shkrinë“. Edhe kombinime të tjera mund të jenë po njëlloj të pëlqyeshme dhe të nxitin pyetjet:
Cilët ishin ata? Pse u shkrinë? C’lloj ndienja të zjarrta ishin? Pse ishin të çastit? A mbetën të shkrirë apo u kthyen në gjendjen e më parshme? Sa ishin ata? Ndienjat ishin të njëjta apo të ndryshme? Ndodhi një reaksion ndienjash apo mbivendosje e tyre?Ata para se të përballeshin me ndienjat e çastit ishin në gjendje të natyrshme apo të ngrirë? Nëse ishin të ngrirë këtë e kishin pësuar nga lloje të tjera ndjenjash apo nga antindjenja?
E kështu me rradhë mund të formohen dhjetra e pyetje të logjikshme, me si, ku, kur, cilët dhe pse,që marrin shkas nga një grup fjalësh(gjoja metaforë), që dikujt i shkon në mendje ta shkruajë në një ditë dimri, kur nuk ka me se të merret. Mund të jetë përpjekja për të nisur një bisedë, vargu i parë i një poezie, një marrëzi fluturake ose çdo llojë fjalie e thënë në prani të të tjerëve.
Se të mendosh kuturu nuk e ke krejt në dorë, por mund të kontrollosh gojën dhe të mos flasësh kuturu. Që të mos ndjellësh me dhjetra e dhjetra pyetje të logjikshme, të cilave jo vetëm marrëzia, që ke nxjerrë goje nuk ju gjegjet dot, por dëmin nuk e zhbëjnë dot as dhjetra e dhjetra përgjigje të menduara mirë.
Mendo dhe rri gojëmbyllur!

Askush nuk ka për ta kuptuar se sa ke në kokë.

Thursday, 11 February 2016

Shpërbërja e Partisë Socialiste

Partia Socialiste e Shqipërisë, nuk është tashmë as Partia e Punës dhe aq më pak një Parti e Majtë Europiane. Bile nuk funksionon as si një parti e zakonshme europiane. Këtë gjë të njohur e ridëshmuan edhe ngjarjet e fundit të nisura me nismën e Ben Blushit për zgjedhje të Kryetarit në Kongresin e saj të ardhshëm.
Duke u ngritur mbi bazën e një Partie Bolshevike, në një sistem parti-shtet diktatorial, sigurisht që nuk kishte se si të trashëgonte demokraci të brendëshme, gjë që është themeltare për partitë e majta dhe të djathta europiane, të cilat janë bashkësi të njerëzve të lirë dhe të barabartë, që grumbullohen rreth nje programi ideo-politik, që përputhet me interesat, formimin dhe kulturën e tyre.
Ndaj(si e kam shkruar edhe më parë) Partia e Punës, për interesat e vendit, duhet të ishte shpërbërë në vitin 1992.
E megjithatë, kjo nuk ka nfodhur ndaj është e padobishme ta përsërisim 24 vjet më vonë.
Sot kjo “parti” është një lloj bashkësie pa ideologji të qartë, me një statut që nuk respektohet, por që ka sjellë në pushtet me anë të votave një grup politikanësh sundues-grabitqarë, që drejtojnë vendin duke mbushur xhepat e tyre dhe të miqve. (E njëjta vlen edhe për dy partitë e tjera të mëdha.) Pra është një lloj makine që siguron vota dhe asgjë më tepër. Lufta bëhet se kush do ketë në dorë çelsat e kësaj makine.
Këtu është edhe synimi i deputetit Blushi. Ai më mirë se kushdo e di që kjo “makinë“ nuk mund të përmirësohet, bile e di se këtë rradhë as mund të shtjerë në dorë çelsat e saj, por bën përpjekje, për të fajësuar ‘drejtuesin” e sotëm të “makinës”, për të kosoliduar pozitën e tij para të huajve e për të mbetur një aktor kryesor në politikën shqiptare.
A është e dobishme për vendin përpjekja e Blushit?
Përpjekja e Blushit, si çdo përpjekje qoftë fëminore për demokratizimin e vendit dhe jetës politike nuk është e dëmshme. E megjithatë, duke u marrë me degët dhe jo me rrënjët e problemit, ajo bëhet edhe më utopike dhe më pak e dobishme se nuk këmbëbgul në atë ç’ka ndodh në të vërtetë në të Majtën shqiptare: Dy parti të drejtuara nga oligarkë anti-antikomunistë, të cilëve nuk ju bëhet vonë as për sindikatat, as për mbrojtjen e të dobtëve, as për shpërndarje më të mirë të të mirave material dhe për asgjë tjetër që aspiron e Majta në vendet e zhvilluara.
C’duhet atëhere të bëjë Blushi ose Blushët e tjerë?
Duket vërtet si një gjë e paarritshme, por mund të jetë më e lehtë se reformimi i Partisë Socialiste.
Përpjekje për ta shpërbërë.
Kjo do kohë, përkushtim ndoshta edhe mbështetje financiare, gjëra që ju mungojnë sot politikanëve shqiptarë. Por shembujt e Podemos, apo “Cinque stelle”, apo edhe durimi i Bernie Sanders mund t’I ndihmojë.
Shpallja e një programi të qartë të majtë, demaskimi i tre partive kryesore dhe udhëheqësve të tyre të korruptuar, duke krijuar besim tek rinia universitare, intelektualët e mënjanuar, shtresat e varfra e të tjerë, mund të bëjë që shumë shpejt të fillojë shkërmoqja e Partisë Socialiste.
A do duhen për këtë një, pesë apo dhjetë vjet. Këtë e tregon koha, por me gjendjen ekonomike të Shqipërisë nuk është çudi të ndodhë shumë më shpejt. Nëse synimi është i qartë dhe përpjekjet e besueshme.

Në të kundërtën periudha Berisha-Rama do zgjatë edhe 25 vite të tjerë.

Monday, 8 February 2016

Në Shqipëri punët nuk shkojnë mirë.

Në Shqipëri punët nuk shkojnë mirë.
Punët nuk shkojnë mirë se kryeministër është Rama, por jo për faktin se drejton keq qeverinë por se ka shkelur statutin e Partisë Socialiste dhe Kushtetutën e Shqipërisë, se nuk lejon demokracinë brenda Partisë duke injoruar shume nene të të dy dokumentave themeltarë dhe sidomos nenin ku thuhet se kryetari duhet zgjedhur çdo katër vjet. Këtë e thotë deputeti Blushi duke e mbështetur me shumë fakte dhe dokumenta dhe duke ofruar edhe veten së bashku me platformën e tij për tu zgjedhur si kryetar i partisë Socialiste, për të mirën e partisë, atdheut dhe të gjithë rajonit.
Rama përgjigjet se po bën reforma për të cilat do duhen edhe ndryshime të Kushtetutës por edhe të statutit të Partisë dhe se pengesat vijnë nga Ilir Meta, që nuk do të ndryshohet Kushtetuta në mënyrë që të ketë mundësi për të ndryshuar ligjin elektoral që do e forcojë në luftën për pushtet dhe do e shpëtojë nga një burgim i mundshëm, gjë të cilën e kërkojnë ndërkombëtarët. Ilir Meta nuk thotë asgjë, por le të kuptohet se ai është gati të pranojë reformat, po të mos preket kryeprokurori Adriatik Llalla, i cili është gati të mos pranojë reformat, që mund të sjellin arrestimin e ministrave, por ta përqëndrojë luftën kundër krimit tek ish-ministrat. Por në ish-ministrat hyjnë gjithë deputetët e opozitës, përfshirë këtu edhe kryeministrin Sali, I cili nuk do të lejojë as heqjen e Llallës, as ndryshimin e Kushtetutës, pa u bërë më parë gara për zgjedhjen e kryetarit të partisë socialiste që do shënojë demokratizimin e mëtejshëm të jetës së vendit. Në ish-ministrat mund të jetë edhe një deputet i veriut që i ka premtuar ta mbajë “si gocë sheiku” këngëtaren Xhesika Ndoi, gjë që e vështiron akoma më tepër situateën reformuese.
Në gjithë këtë situatë konfrontimesh zëri më i qartë është i ambasadorit Lu, që kërkon reformën e gjyqësorit, e cila do sjellë jo vetëm dekriminalizimin e politikës, dekriminalizimin e gjyqësorit, dekriminalizimin e popullsisë, por edhe dekriminalizimin e Fondacionit Soros, gjë e kërkuar me forcë nga Berisha dhe Aurel Plasari.
Në lojë ka hyrë dhe Aleanca Kuq e ZI, veprimtarët e së cilës, të mbështetur nga pularia e Tom Doshit dhe Dritan Priftit, kanë sulmuar me vezë ministrin Beqja(edhe ky i ardhur nga fondacioni Soros) që ka dhënë me koncesion kontrollin e gjjinjve të femrave për të kryer reformën e shumëpritur të silikonit.
Në Shqipëri punët nuk shkojnë mirë.

Askush nuk i do reformat!