Partia Socialiste e Shqipërisë, nuk është tashmë as Partia e
Punës dhe aq më pak një Parti e Majtë Europiane. Bile nuk funksionon as si një
parti e zakonshme europiane. Këtë gjë të njohur e ridëshmuan edhe ngjarjet e
fundit të nisura me nismën e Ben Blushit për zgjedhje të Kryetarit në Kongresin
e saj të ardhshëm.
Duke u ngritur mbi bazën e një Partie Bolshevike, në një sistem
parti-shtet diktatorial, sigurisht që nuk kishte se si të trashëgonte demokraci
të brendëshme, gjë që është themeltare për partitë e majta dhe të djathta
europiane, të cilat janë bashkësi të njerëzve të lirë dhe të barabartë, që
grumbullohen rreth nje programi ideo-politik, që përputhet me interesat,
formimin dhe kulturën e tyre.
Ndaj(si e kam shkruar edhe më parë) Partia e Punës, për
interesat e vendit, duhet të ishte shpërbërë
në vitin 1992.
E megjithatë, kjo nuk ka nfodhur ndaj është e padobishme ta
përsërisim 24 vjet më vonë.
Sot kjo “parti” është një lloj bashkësie pa ideologji të
qartë, me një statut që nuk respektohet, por që ka sjellë në pushtet me anë të votave
një grup politikanësh sundues-grabitqarë, që drejtojnë vendin duke mbushur
xhepat e tyre dhe të miqve. (E njëjta vlen edhe për dy partitë e tjera të mëdha.)
Pra është një lloj makine që siguron vota dhe asgjë më tepër. Lufta bëhet se
kush do ketë në dorë çelsat e kësaj makine.
Këtu është edhe synimi i deputetit Blushi. Ai më mirë se
kushdo e di që kjo “makinë“ nuk mund të përmirësohet, bile e di se këtë rradhë
as mund të shtjerë në dorë çelsat e saj, por bën përpjekje, për të fajësuar ‘drejtuesin”
e sotëm të “makinës”, për të kosoliduar pozitën e tij para të huajve e për të
mbetur një aktor kryesor në politikën shqiptare.
A është e dobishme për vendin përpjekja e Blushit?
Përpjekja e Blushit, si çdo përpjekje qoftë fëminore për
demokratizimin e vendit dhe jetës politike nuk është e dëmshme. E megjithatë,
duke u marrë me degët dhe jo me rrënjët e problemit, ajo bëhet edhe më utopike
dhe më pak e dobishme se nuk këmbëbgul në atë ç’ka ndodh në të vërtetë në të
Majtën shqiptare: Dy parti të drejtuara nga oligarkë anti-antikomunistë, të cilëve
nuk ju bëhet vonë as për sindikatat, as për mbrojtjen e të dobtëve, as për shpërndarje
më të mirë të të mirave material dhe për asgjë tjetër që aspiron e Majta në
vendet e zhvilluara.
C’duhet atëhere të bëjë Blushi ose Blushët e tjerë?
Duket vërtet si një gjë e paarritshme, por mund të jetë më e
lehtë se reformimi i Partisë Socialiste.
Përpjekje për ta shpërbërë.
Kjo do kohë, përkushtim ndoshta edhe mbështetje financiare,
gjëra që ju mungojnë sot politikanëve shqiptarë. Por shembujt e Podemos, apo “Cinque
stelle”, apo edhe durimi i Bernie Sanders mund t’I ndihmojë.
Shpallja e një programi të qartë të majtë, demaskimi i tre
partive kryesore dhe udhëheqësve të tyre të korruptuar, duke krijuar besim tek
rinia universitare, intelektualët e mënjanuar, shtresat e varfra e të tjerë,
mund të bëjë që shumë shpejt të fillojë shkërmoqja e Partisë Socialiste.
A do duhen për këtë një, pesë apo dhjetë vjet. Këtë e tregon
koha, por me gjendjen ekonomike të Shqipërisë nuk është çudi të ndodhë shumë më
shpejt. Nëse synimi është i qartë dhe përpjekjet e besueshme.
Në të kundërtën periudha Berisha-Rama do zgjatë edhe 25 vite
të tjerë.
No comments:
Post a Comment