Wednesday, 17 February 2016

Rri gojembyllur!

Në ndjenjat e çastit ata u shkrinë…
Ndoshta është më mirë- “U shkrinë ata në të çastit ndjenja” ose “Ata u shkrinë në ndjenjat e çastit”; por nuk mund të hedhësh poshtë edhe versionet “Në të çastit ndjenja u shkrinë ata”, “Në ndjenjat e çastit u shkrinë ata” apo “Ata në të çastit ndjenja u shkrinë“. Edhe kombinime të tjera mund të jenë po njëlloj të pëlqyeshme dhe të nxitin pyetjet:
Cilët ishin ata? Pse u shkrinë? C’lloj ndienja të zjarrta ishin? Pse ishin të çastit? A mbetën të shkrirë apo u kthyen në gjendjen e më parshme? Sa ishin ata? Ndienjat ishin të njëjta apo të ndryshme? Ndodhi një reaksion ndienjash apo mbivendosje e tyre?Ata para se të përballeshin me ndienjat e çastit ishin në gjendje të natyrshme apo të ngrirë? Nëse ishin të ngrirë këtë e kishin pësuar nga lloje të tjera ndjenjash apo nga antindjenja?
E kështu me rradhë mund të formohen dhjetra e pyetje të logjikshme, me si, ku, kur, cilët dhe pse,që marrin shkas nga një grup fjalësh(gjoja metaforë), që dikujt i shkon në mendje ta shkruajë në një ditë dimri, kur nuk ka me se të merret. Mund të jetë përpjekja për të nisur një bisedë, vargu i parë i një poezie, një marrëzi fluturake ose çdo llojë fjalie e thënë në prani të të tjerëve.
Se të mendosh kuturu nuk e ke krejt në dorë, por mund të kontrollosh gojën dhe të mos flasësh kuturu. Që të mos ndjellësh me dhjetra e dhjetra pyetje të logjikshme, të cilave jo vetëm marrëzia, që ke nxjerrë goje nuk ju gjegjet dot, por dëmin nuk e zhbëjnë dot as dhjetra e dhjetra përgjigje të menduara mirë.
Mendo dhe rri gojëmbyllur!

Askush nuk ka për ta kuptuar se sa ke në kokë.

No comments:

Post a Comment