Ndoshta duhej shkruar "tanë" për të përfshirë edhe shokët e mij, por disa prej tyre kanë pasur mësues të tjerë, ndaj dhe unë po qëndroj tek "të mijtë".
Ka patur diçka të çuditshme në të gjithë brezat rreth nesh, përsa i përket marëdhënieve me mësuesit e fiskulturës. Edhe në 8-vjeçare edhe në të mesme ne kishim pak orë në javë me ta(ndoshta vetëm dy), e megjithatë ata zinin vendin qëndror në trupën e mësuesve. Kishte një lloj "aureole" rreth tyre edhe pse më të shumtit rrinin me tuta, ndryshe nga pedagogët e tjerë, që mbanin kostume. Ishte sepse mësonim prej tyre si të kishim aftësi në lojrat, sepse kishin qënë sportistë të shquar, apo se ishin shembuj të njerëzve më të kompletuar, të cilëve donin t'ju ngjisnim, këtë nuk mund ta them. Di vetëm se disa prej tyre kishin më shumë autoritet se të gjithë mësuesit e tjerë.
Tani të gjithë janë larguar nga jeta, veç Kristaq Titilit, që ishte mësuesi im i vitit të parë gjimnaz. Të gjithë kishin qënë kampionë ose sportistë të shkëlqyer.
Peço Mileja, futbollist e boksier, një nga qendërmbrojtësit më të mirë të "Skënderbeut" të të gjitha kohërave.
Pandi Balli, kampion i vendit në boks dhe peshëngritje, trainer i afirmuar basketbolli dhe komentator sportiv.
Kiço Nukeja, atlet kampion, rekordi i të cilit në 400 metra me pengesa u thye pas 20 vitesh.
Gjergji Kotelli, volejbollist me emër i "Skënderbeut", i njohur si "shyteri" më i shpejtë i "të shkurtërave" në Shqipëri.
Dhe padyshim, Maqo Kostallari, për të cilin kam shkruar dhe herë tjetër, që pat qënë një futbollist më se i talentuar, por që mund të ishte i shkëlqyer edhe në çdo lloj sporti tjetër.
Nuk besoj se ka qënë rastësi, që mësuesit e fiskulturës kanë qënë më autoritarët dhe më të admiruarit, veçanërisht nga djemtë e brezit tonë (baby boomers). Kishte të bënte me faktin se sportistët përgjithësisht admiroheshin ato kohë? Kishte të bënte me personalietet e tyre, të ndikuara nga bota e arritjeve të sportit dhe një lloj karamaderie që ka ajo botë? Kishte të bënte me një sallë që ëndërronim të hynim sidomos në dimër dhe që ishte palestra? Ndoshta të gjitha këto bashkë dhe ndoshta edhe të tjera gjëra më të vogla. Ishte e çuditshme , që lënda "më e lehtë" për të gjithë nxënësit lidhej me mësuesit më autoritarë.
Kur kam hyrë në klasë të parë, në një shkollë të pazakontë, se kishte nga klasa e parë fillore dhe deri në vitin 11 të së mesmes, autoriteti i dyshes Petro Mile-Pandi Balli ishte i padiskutueshëm. Në fillore ne nuk kishim të bënim me ta, por i dëgjonim nga nxënësit më të rritur dhe e ndjenim edhe ne rëndësinë e tyre. Peçoja ishte irespektuar në të gjithë rrethet e fiskulturës të qytetit, veçanërisht për punën e mirë që kishte bërë me gjimnastët e shkollës "7 nëntori". Nga ajo shkollë kishin dalë disa nga gjimnastët më të mirë të "Skënderbeut", që konkuronin edhe për kampionë vendi në vegla të veçanta, por edhe në të gjitha garat. Vëllezërit Pula dhe më vonë vëllezërit Meta kishin kaluar nga palestra e asaj shkolle.
Pandi Balli sa kishte filluar si trainer i ekipit të basketbollit i të rriturave të "Skënderbeut" dhe ekipi kishte nisur të konkuronte edhe me më të mirat e "17 Nëntorit", që kishin 20 e më shumë vite rrjesht, që dilnin kampione të vendit. Nga shkolla jonë, luanin edhe dy lojtare kryesore, Bardhyle Mulla, që ishte edhe kapitene dhe Zhani Averiku. Të dyja më vonë u martuan në Shkodër dhe Durrës dhe luanin me ekipet e atyre qyteteve. Ndoshta në dimrin 1967-68, vajzat e drejtuara nga Pandi Balli thyen "mitin" e pathyeshmërisë të "17 Nëntorit" dhe fituan Kupën e Republikës. Ishte vërtet një gëzim dhe admirim i gjithë fëmijëve dhe adoleshentëve të shkollës sonë të kishe sportistë, që shkëlqenin edhe në rangun kombëtar. Vetëm në brezat, që u diplomuan deri në vitin 1970, tek "Themistokli Gërmenji", nën drejtimin edhe të mësuesve të sipërpërmendur, shkëlqyen Niko Dishnica në volejboll me "Skënderbeun" dhe "Studentin", Andrea Cale dhe Dhimitër Kacorri në basketboll po me këto ekipe, Piro Zguro në mundje klasike me "Skënderbeun", "Partizanin" dhe "Flamurtarin", Doloreza Zguro gjimnaste me "Skënderbeun" dhe "Studentin" etj.
Përkushtimi i dy mësuesve të sipërpërmendur ishte i pakrahasueshëm. Ata bënë të mundur ngritjen e këndit të veglave gjimnastikore në oborrin e shkollës, duke u gdhirë pranë zjarreve me nxënësit maturantë, deri sa forcohej betoni i bazamenteve të veglave. Nuk ishte detyra e tyre dhe nuk ja u kërkonte njeri, por e bënin për të pasur kushte më të mira për orët e fiskulturës dhe për të futur tek nxënësit dashurinë për sportin.
Mësuesi im i parë i fiskulturës ishte Pandi Balli. Tepër serioz, ndoshta edhe pse në një klasë me ne ishte djali i tij Arturi, ai ishte i përqëndruar në zbatimin me rigorozitet të programit shkollor, si dhe të arritjes së normave sportive për moshën tonë. Nuk e kishim të lehtë t'i kërkonim të na jepte një top dhe të luanim futboll. Ato dy vjet me tëzhvilluam edhe një dashuri për basketbollin, sepse përkoi edhe me hapjen e kanalit televiziv maqedonas dhe ndeshjet e basketbollit jugosllav, që nisëm t'i ndiqnim me fanatizëm. Filluam të kalonim po aq orë sa luanim futboll edhe me basketbollin.
Kur na erdhi mësues Gjergji Kotelli, patëm nisur të luanim rregullisht basketboll duke zbatuar të gjitha rregullat. Kotelli ishte një "gjigand" i fuqishëm, por thyhej më shpejt kur i kërkonim të luanim gjatë orës së mësimit. Kur ishim në vitin e fundit të 8-vjeçares ishim në gjendje të konkuronim edhe me klasat sportive në basketboll edhe pse ishim vetëm një klasë, madje me dy tre djem që luanin edhe instrumenta.
Pasi bëmë në vitin e parë të së mesmes me Kristaq Titilin, që posa kishte lënë atletikëndhe ishte një mësues korrekt, nisëm orët e fiskulturës me "legjendën" e "Themistokliut", Maqo Kostallarin. I vetmi mësues që mund "të vinte në zap" të gjithë shkollën dhe për të cilin një pjesë e madhe e djemve mund të hidheshin në zjarr. Ai kishte gërshtuar në mënyrë intuitive dashurinë për nxënësit, me distancën e nevojshme, por edhe me prirjen për t'i dëgjuar kur kishin probleme. Tek ai gjenin mbështetje gjithë "sherretët" e shkollës. Bujar dhe me humor, Kostallari i bënte të larmishme dhe të këndëshme orët e mësimit. Nuk hezitonte të luante edhe vetë volejboll me ne, sepse i pëlqente të tregonte nivelin e tij të lartë si volejbollist. E shihnim si model dhe si një të afërm tek i cili mund të mbështeteshim. Donim thellësisht të meritonim miqësinë e tij dhe shumë prej nesh e ruajtën deri në vitet, kur u largua nga Korça për në Selanik. Kishte krijuar një "kredi" të padiskutueshme tek të gjithë nxënësit e tij dhe në çdo ndërmarje, që shkonte për të kërkuar diçka për shkollën njerëzit bënin për të të pamundurën. Dhe kreditë krijohen vetëm kur ke dhënë shumë nga vetja!
Këta ishin mësuesit e mij të fiskulturës, që edhe pse nuk mund të ishin të përsosur, kanë qënë një njerëzit me cilësitë më të mira mes mësuesve, që kam patur gjatë viteve. Ndoshta ka qënë
rastësi a ndoshta ka diçka në botën e sportit , që i ndihmon karakteret e njerëzve.
No comments:
Post a Comment