“Nga Korça”, “pe Korçe” apo “korçar” nuk ka rëndësi shumë të
madhe. Gjatë një shekulli Shqipëri, vetëm një ministëri brendshëm ka qënë korçar
dhe quhej Koçi Xoxe. Bile teknikisht, as Koçi nuk ishte korçar, se kishte lindur
në Negovan të Greqisë në një familje maqedonase. Më parë dhe sidomos pas tij, të
gjithë ministrat e policisë dhe sigurimit ishin ose matjanë, ose kosovarë,
mallakastriotë, tepelenas, lebër, skraparllinj, kuksianë, tiranas, shkodranë,
gramshiotë dhe dibranë. Asnjë korçar për be.
Pasojat tashmë dihen.
Polici dhe Sigurim i egër gjakatarësh deri në fillimin e
viteve ’90 dhe më pas korrupsion, “një çiçkë drogë“, viza fallco dhe të tjera
skandale si këto kanë pushtuar Ministrinë, që duhej të ishte në Frontin e luftës
ndaj krimit.
Nëse të duheshin pashaporta fallco, patenta për njerëz që
nuk ngisnin dot makinë, lidhje për të transportuar kanabis, i gjeje pranë
drejtorive të policisë. Në çdo qeveri dhe nën çdo ministër. Bile sa më gjatë
rrinte në karrige një ministër, aq më shumë i zhytyr në krim ka qënë. Më jetëgjati,
ishte tepelenasi Saimir Tahiri, që pasi i veshi policëve “poture të reja” i lëshoi
të ruanin parcelat me kanabis.
Ja edhe ministri reformator, labi Fatmir i Xhafajve, vëritet
është një jurist i përkushtuar, por nuk shpëton dot nga trimëria dhe prirja për
zullume e sojit të tij lab, që po mos vjedhë do merret me refugjatë dhe po mos
ketë refugjatë do nakatoset me pakëz drogë.
Fundi i llafit duhet korçar!
Eshtë e mira të jetë jurist ose ushtarak, por edhe një
karrierë e shquar në qeverisje dhe administratë, për mendimin tim është e
mjaftueshme, për të ngritur një “polici të painkriminuar”.
Që duhet të jetë i Partisë Socialiste, kjo nuk vihet në
dyshim, se nuk ka kuptim të rrëzohet qeveria, që të vemë një korçar.
Kandidati më i përshtatshëm duket Niko Peleshi, por tani në
maj, në kulmin e punëve bujqësore kur janë mbjelljet, vaditjet, prashitjet,
terharrjet, spërkatjet, lesimet dhe qilizmat, lëvizja e Ministrit të Bujqësisë
do sjellë një dëm të paparë në sektorin e Bujqësisë, që përfaqëson 20% të GDP-së
të vendit.
Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka, mund të jetë një kandidate
e spikatur, por me lëvizjet shumë agresive të Putin në Ballkan dhe lidhjet e
saj familjare me sho Servet Pëllumbi (një filorus i thekur) nuk është aq e udhës
që të dijë gjithë sekretet e shtetit. Vërtet tani drejton ushtrinë, po ne
ushtri s’kemi, radarët i mbajmë të shojtur dhe aeropllanë nuk blemë dot, kështu
që posti i Ministrit të Mbrojtjes lidhet vetëm me paradat.
Raqi Filoja është një administrator i mirë, por Edi Rama i ka
nxjerrë namin , që “ka frikë nga pulat” dhe nuk është e udhës, që të vihet
Ministër i brendshëm një pulëfriguar.
Petrika Tollkuçi.
I vendosur, militant, me lidhje të hershme familjare me
Partinë, vigjilent, i dalluar për të mbajtur në shënim emrat e kundërshtarëve,
tradhëtarëve dhe revizionistëve, edhe pse pa arsimin përkatës, Tollkuçi mund të
jetë një ministër i përsosur. Tingëllon edhe bukur!
“Si e theksoi edhe ministri
Tollkuçi, terrorit të bardhë do i përgjigjemi me terror të kuq!”
Tamam sikur të godasin me shkop kauçuku.
Xhafaj ik!
Shqipërisë i duhet një si Tollkuçi!
No comments:
Post a Comment