Pikej, Dio dhe Pixhi janë tre personazhe të qytetit tim, që
jetojnë në pika të ndryshme të globit. Nuk di se sa njihen me njëri tjetrin dhe
nëse kanë ndonjë lidhje gjenetike, por karakteristikat i kanë shumë të përafërta.
Bile edhe ato fizike. Shtatlartë, me trupa thuajse atletësh dhe me vështrime
zhbiruese, të folur me zë të impostuar dhe fraza të zgjedhura mirë.
Të tre patën qëlluar të pafat. Me ambiciet, vullnetin dhe
aftësitë për të krijuar situata të favorshme për veten, nëse do ishin lindur në
Gjermani, Francë apo Amerikë, apo edhe nëse do kishin patur mundësi të emigronin
në perëndim do kishin arritur në majat e politkës, artit apo sportit. Nuk ishin
të interesuar për shkencën. Por mbetën në Korçë dhe u shquan për sukseset, po
aq edhe për shkatërrim jetësh të të tjerëve. Se ndjeheshin ose ishin diçka si “supernjerëz”.
Dhe “superat” detyrimisht nuk kanë pse të mendojnë shumë për jetën e të
zakonshmëve. Bile në “seleksionin natyror”, “superat” ngrihen dhe shquhen mbi
jetët dhe karrierat e të tjerëve.
Të paarritshëm në gjenialitetin e tyre malinj, kujtohen mirë
edhe për thëniet e tyre ekzemplare mbi të cilat shquan:
“Kur më njohën kushërinjtë
perëndimorë të gruas, i thanë asaj,-Ti nuk je martuar me një njeri, por me një
Perëndi!”
Edhe pse mund të duket se është shprehje e Dios, ajo i atribuoet
Pikejt. Dhe me të vërtetë, duke qënë edhe shumë i afërt me Degën e Punëve të
Brendëshme, ai kishte luajtur rolin e Zotit, në shumë çështje delikate
financiare dhe kishte rënduar pozitat e të akuzuarve edhe pse e dinte se ishin
të pafajshëm.
Pixhi nga ana tjetër, pas rënies së sistemit, akuzonte
Sigurimin se i kishte punuar shumë intriga, ndërkohë, që duke qënë funksionar
partie i devotshëm, kishte “fundosur” shumë të rinj, që nuk ishin në “përputhje
të plotë me vijën e Partisë“. Sukseset në jetë ja dedikonte: “Kulturës familjare, besimit të fortë në
Zoti, përkushtimit dhe tolerancës.” Diku
duhet të kishte patur punë me Djallin, por imitimi i tij, duket se pak kishte ndikuar në sukseset e arritura.
Të tre kishin qënë dhe mbeteshin thellësisht të tërhequr pas
femrave pa dallim feje, moshe apo ideje. I bënte të ndjehshin të pushtetshëm. I
motivonte për të arritur majat e sukseseve dhe për të shkelur mbi rivalët. Dio
përdorte shpesh një shprehje shumë të sukseshme kur refuzohej : “ Ti nuk ke zemër! Ti ken jë gur në vend të
saj!” E theshte me një ton deklamues, imponues dhe zemërdredhës, që i bënte
të mendoheshin dy herë, ato, të cilat donte të shpinte në shtrat.
A ishin dhe janë monstra?
Nëse do dëgjosh ata, që janë prekur drejtpërdrejt nga
intrigat e tyre, vërtet kanë qënë të tillë.
Unë do i cilësoja si qënie bashkëkohore të suksesshme.
Sot, ky lloj është shtuar shumë e më shumë.
Dikur numuroheshin me gishtat e dorës.
Mes tyre shquheshin Pikej, Dio dhe Pixhi.
No comments:
Post a Comment