Si popull i prapambetur ne kemi raporte tepër të çudishme me
vdekjen, që variojnë nga rite ekstreme të të vajtuarit me shkulje flokësh,
rrahje gjoksi, klithma kafshërore e deri në dhunime të varreve, sherre gjatë
varrimeve dhe manifestime politike me arkivol në supe.
Rrahjet e pardjeshme në Varrezat e Dëshmorëve në Tiranë, janë
një shembull i qartë i këtij primitiviteti shoqëror dhe emocional.
Duket si një pyetje, për të cilën do “kërcejnë“ shumë
komunistë, militantë socialistë dhe familje dëshmorësh duke thënë frazat e stërpërsëritura
“Kujtimi i tyre është paharrueshëm; derdhën gjakun, që ne të gëzojmë sot
etj.etj.”. E vërteta është se “kujtimi i dëshmorëve” u materializua, u përdor
ideologjikisht, me një fjalë u përçudnua gjatë viteve të Diktaturës.
Ai humbi kuptimin njerëzor, por u kthye në një element
abstrakt politik.
E tillë ishte thënia e shumëpërdorur, që i atribuohej një nëne
labe “kur më
merr malli për ty dal e shikoj Shqipërinë!”
Me kalimin e viteve, në sajë kryesisht të propagandaës,
humbja e njerëzve shumë të dashur në rininë e tyre në luftë, u zëvendësua me një
dëshirë për të përfituar vende në administratë, të drejta studimi, dalje jashtë
shtetit. U zhduk në shumicën e rasteve pyetja normale, që ndodh tek njerëzit në
çdo qoshe të globit, për humbjen e të rinjve; “Përse?” “A mund të evitohej”, “Kush ishte shkaku?”, “A kishin përgjegjësi ata , që i udhëhiqnin?
E të tjera si këto. Dëshmorët u kthyen në eterikë në ndërgjegjen e shumë
familjeve. Edhe krijimi i Varrezave të veçanta për ta kontribuoi në këtë lloj
ndryshimi të dimensionit njerëzor tek ta.
U krijua legjenda e madhe se të rinjtë pjesëmarës në luftë
ishin ngritur jo vetëm për Atdheun, por edhe për drejtësi shoqërore, gjë që
edhe nëse kishte pak të vërtetë, lidhej me manipulimin , që ju bëhej në moshë
shumë të re adoleshentëve, nga “ustallarët”, që luftonin për të marrë pushtetin
vakant të lënë nga mbreti Zog.
Askush nuk dha llogari, që në luftë ishin pranuar edhe të
mitur dhe një pjesë syresh kishte humbur jetën.
Askush nuk dha llogari, se të rinj 17-18 vjeçarë u shtynë të
hynin në formacionet partizane, pa asnjë lloj trainimi dhe të drejtuar nga njerëz
jokompetentë dhe pa arsimim ushtarak.
Askush nuk dha llogari, që një pjesë e mirë e dëshmorëve nuk
dhanë jetën në luftën ndaj të huajve, por duke luftuar me shqiptarë të tjerë.
Këtu pat humbur edhe koncepti i Drejtësisë dhe i llogaridhënies
për jetën e mijra të rinjve. 5 Maji u kthye në një ditë vizitash në shtëpitë e
familjeve të dëshmorëve dhe një pjesë e mirë “sarahoshësh” mbatheshin mirë e
mirë me raki duke ngritur gotat e duke thënë “I përjetshëm kujtimi i tyre!?
Ky lloj politizimi dhe lidhje e jetëve të humbura, e gjakut
të derdhur me “të kuqen” e flamujve komunistë dhe Udhëheqësit të lavdishëm,
sjell edhe në këto manifestime të deformuara me flamuj me yll dhe foto të
Komandantit edhe tani, pas gati 30 vitesh, kur shumë gjëra janë bërë të qarta.
Në vend të përkulen me dhimbje dhe të mendojnë për ato mijëra
jetë të këputura në rini, njerëz me tru ende të shpëlarë, nxitojnë, që ditën e
përkujtimit të heronjve, të manifestojnë për Udhëheqësin që përfitoi nga vdekja
e tyre dhe që vdiq në shtratin e vet.
Por kësaj trushpëlarje, por në kah të kundërt, nuk i kanë
shpëtuar as kundërshtarët politikë të komunistëve. Në një vend të shenjtë, në
një ditë përuljeje ndaj të rënëve, “të verbër” të tjerë ju sulën atyre, që
mbajnë foton e Enverit duke treguar se sa thellësisht jonjerëzorë jemi.
Të gjorët të rënë, nëse vërtet janë në gjendje të na shikojnë
“nuk zgjasin duart nga dheu të mbajnë rrënjët e nënës Parti”, por dëshpërohen
me marrëzinë dhe mungesën e humanizmit tek ne.
No comments:
Post a Comment