Në një shkrim të djeshëm të analistit të njohur Mero Baze, të
titulluar “Erdogani si dublant i drogës, kundër negociatave” theksohet se
afrimi i Ramës me Erdoganin po përdoret nga opozita si mjet për të penguar
hapjen e negociatave me Bashkimin Europian, pasi dështoi propaganda e
kanabizimit të vendit, ose ajo e lidhjes së Tahirit me trafikantëtë e drogës.
Le të pranojmë për një çast se konkluzioni i Bazes është i drejtë
dhe nuk ndikohet nga qëndrimi i tij i theksuar anti-opozitar dhe pro-Ramë.
Sipas kësaj logjike, meqënëse gjendja ekonomike e vendit është
e shkëlqyer dhe meqënëse asgjë nuk u provua në lidhjet e Tahirit dhe funkionarëve
të tjerë të policisë me trafikun e drogës, opozita nuk ka asnjë kartë tjetër për
të luajtur, por veç të “trembë“ zyrtarët naivë të Brukselit, se Rama ka lidhje
shumë të forta dhe të dyshimta me Erdoganin. Pra një opozitë shqiptare miope
dhe një Gjermani dhe Francë pjesërisht miope.
Në Parlamentin Europian apo edhe në parlamentet e vendeve
europiane mund të ketë edhe deputetë me kulturë të pamjaftueshme, që nuk dinë
se ç’është Shqipëria dhe cilat janë problemet kryesore të saj, apo edhe se ç’përfaqëson
me të vërtetë Erdogani. Por shërbimet inteligjente të këtyre vendeve janë të
mirëinformuar në shekuj se cila është Turqia dhe si ka ndryshuar ajo në 100
vjetët e fundit. Sidomos ndryshimi i saj në “erën-Erdogan” është ai , që i shqetëson
më së shumti. Gjithashtu ata janë të informuar edhe se ç’ndodh në Shqipëri. Të
mendosh se negociata mund të pengohen nga propaganda e opozitës, është një
parapërpjekje për të justifikuar më pas një dështim të mundshëm.
Miqësia e Ramës me presidentin turk është demonstruar hapur
nga të dy palët. Ajo ka qënë jashtë kornizave të përdorura nga kryeministrat
shqiptarë në 27 vitet e fundit. Ka qënë vetë Rama, që e ka përdorur si një lloj
“karshillëku” ndaj Europës, “që në rast se nuk na pranoni në Europë ne do kërkojmë
shtigje të tjera zhvillimi dhe orientimi”. Kryeministrit kjo lloj loje mund t’i
jetë dukur edhe si zgjuarsi gjeopolitike , që sjell “para turke” në Shqipëri dhe
njëkohësisht ngut Europën “të na futë në shtrat, që të mos shkojmë me jaranin
turk”.
Por kjo miqësi e tepruar, Shqipërisë i ka sjellë më shumë dëme
se përfitime. Nëse duhet të themi me plot gojë se jemi europianë është shumë më
mirë, që aeroporti i Vlorës të jetë një investim gjerman apo francez se sa
turk. Edhe nëse vonohet edhe për pesë apo më shumë vite të tjera. E kështu me
rradhë për investime të tjera strategjike turke. Investimet nga vendet me
demokraci të konsoliduar janë përherë më të sakta dhe më pak të dyshimta.
Më tepër se miqësi me
Erdoganin, Rama është në dashuri me modelin e qeveritarit Erdogan.
Pikërisht këtu është edhe shqetësimi më i madh i opozitës
dhe Europës.
Në një demokraci hibride si e jona, promovimi i miqësisë me
Erdiganin është njëkohësisht promovim i një shtetari autokratik dhe antidemokratik.
Ashtu si “sulltani” turk, Rama po qeveris këtë vend pa përfillur
shtyllat e pushtetit të një vendi demokratik. Egërsia ndaj mediave, shpërfillja
e opozitës, mosrespektimi i presidentëve, presionet mbi pushtetin juridik janë
disa nga karakteristikat e përsëritura të stilit së qeverisës Rama.
Ndaj dhe afrimi i tij me Erdoganin “dorëfortë“, më shumë se
për arsye gjeopolitike, nga Berlini në mënyrë
të veçantë shihet si një përqasje e Ramës ndaj një modeli antidemokratik
qeverisës. Erdogani e mbylli vetë derën e Europës për Turqinë, me lojën e tij
arrogante, megallomane dhe antirepublikane. Turqia e sotme mund të jetë më mirë
ekonomikisht se 20 jet më parë, por në demokraci ka shkuar 50 vjet pas.
Ashtu si për Europën edhe për ne, problemi nuk është Turqia,
por Erdogani.
Ndaj “lagavitjet” e Ramës me Taipin duhen sulmuar me të
gjitha forcat nga të gjitha shtresat prodemokratike shqiptare.
Vetëm kështu mund t’i afrohemi çdo ditë e më tepër Europës.
No comments:
Post a Comment