Tuesday 1 May 2018

Pleqtë


Ata janë të heshtur
Edhe kur papushim vetes i flasin,
Në kërkim të përkujdesjeve,
Ndërsa ngadalë,
Shumë ngadalë hedhin hapin,
Si të penduar për kohën kur vraponin,
Duke harruar
Se vraponin drejt vdekjes.
Përpiqen jetën t’i zgjatin kasketës
A një shalli nga mola ngrënë,
Në fijet e tyre kërkojnë kujtimet
Me zbokun përzjerë,
Aromën e puthjeve të dikurshme
Dhe flokët e rënë.
Në xhepa
Pranë fotove të fëmijve të larguar,
Një mbajtës i tejdukshëm plastik,
Më kokrrat e numuruara të ditës,
Që kanë zënë vendin e tespieve,
Dhënë nga ndonjë doktor marrok.
Vitet çuditërisht nuk sollën një tjetërsim mistik
Në mendjet e lodhura të tyre,
Por përforcimin e dijeve
Se me formula të padeshifruara kimie,
Mund të luftojnë dhimbjet.
Po dhimbjen e ziles, që nuk bie
Për orë të tëra
Dhe për muaj të tërë,
A do e fashitin dot kokrrat e skaduara të shpresës,
Teksa mundimet kujtoni,
Qumështin nga gjinjtë flashkur
Dhe gjithshka të jetës dhe trupit
Që bijve ju kini dhënë,
Kur grimcat e fundit bien në sahatin me rërë?

No comments:

Post a Comment