Një foto vitit 1992 e një fotografi austriak në apartamentin
e Edi Ramës edhe pse nuk është “çuditërisht e çuditshme”, plotëson mozaikun e
madh psikologjiko-artistik të kryeministrit tonë. Ata, të cilët e mbështesin,
mund të thonë se “Ky është Art!” dhe unë nuk e ve në dyshim se mund të
klasifikohet si instalacion modern. Problemi i vetëm me të dhe me artistin, që
fshihet pas veprës, është se ambiciet artistike, kur shoqërohen me shumë pushtet,
si të qënit Kryetar Bashkie apo Kryeministër, atëhere paraqesin rrezikun, që “instalacion”
të kthehen mjediset publike dhe qytetet.
Unë nuk rrekem të gjykoj artin e Ramës edhe pse ndër veprat,
që i kam parë herët në Galerinë e Arteve dhe më vonë në fotot e shtypit, më kanë
lënë mbresën se është një artist mediokër.
Por “des gustibus et
coloribus disputandum non est”. Ai i quan veprat e tij (ku hyn edhe dhoma e
ditës në foto dhe bunkeri me plaçka të përdorura) art dhe kjo nuk ka pse të
diskutohet. Përderisa artisti Rama mund
të ekspozojë pa përdorur ndikimin e tij si kryeministër, nuk ka pse të
paragjykohet arti i tij. Artistë edhe më ekscentrisë ka pasur e do ketë gjithnjë
në botë. Ramën e ndihmojnë idetë, kultura, filozofia (edhe paraqitja e tij) për
të lënë mbresa në rrethe artistësh dhe kritikësh. (Sipas Ornela Vorpsit ai kështu
mrekulloi gjithë Parisin.) Kritiku i njohur italian i artit Vittorio Sgarbi është
mik i Ramës dhe si ai ndoshta edhe shumë të tjerë.
Por (dhe këtu duhet një por
me gërma kapitale) Rama bëhet i rrezikshëm, kur imponon shijet e tij në lyerjet
e fasadave te apartamenteve të banimit në Tiranë, sikundër bëri në vitet kur ishte Kryetar
Bashkie.
Qyteti nuk është
dhoma e ndënies e Kryetarit –Artist!
Gjithashtu i rrezikshëm është kur afron arkitektë dhe
urbanistë, të cilët kanë shije të njëjta me të dhe i favorizon dukshëm ndaj të
tjerëve.
Paraqitja e një qyteti në një kohë të caktuar (flas për kohët
moderne dhe vendet demokratike) duhet të jetë një rezultante e shijeve të shoqërisë
dhe jo të një individi të vetëm.
Ngjyra e përdorur nga Rama në vitin 1992 dhe shkrimet mbi të,
më kujtojnë ngjyrat, që përdor arkitekti Australian Wilson, mik i Ramës, në
disa nga projektet e tij në Korçë. Sigurisht është më “i zbutur” se nëse Edi
shkruan WC në murin e tij, ai shkruan RED në majën e Kullës Vrojtuese të Korçës.
Mbase të dy janë aq avanguardistë, sa ne, vdekëtarët e
zakonshëm nuk i kuptojmë por pas 100 vjetësh, njerëzit do mrekullohen me veprat
e tyre.
Por unë dhe ti, i dashur lexues, jetojmë këtë kohën tonë dhe
nuk duam ta jetojmë të diktuar nga shijet e Ramës, Wilson-it apo të tjerëve
artistë si ata.
No comments:
Post a Comment