Thursday, 3 May 2018

Je suis, tu es, il est, nous sommes, Saimir Tahiri


Unë shqetësohem se Saimir Tahirit i janë shkelur të drejtat e tij ligjore, pasi është përgojuar nga “kushërinjtë e tij të dhjetë kriminelë“. Të gjithë kemi “kushërinj të dhjetë kriminelë“. Bile edhe më të afërt.
Në 6 muaj, që prej kohës kur u akuzua, Tahiri shkrojti fjalimin më të gjatë të tij, ku më akuzoi mua, ty, atë dhe ne, se jemi më të këqinj se ai. Për një çast i dhashë të drejtë, sepse edhe unë po të kisha qënë në një presion të tillë, për të më futur në burg pa patur faj, do i akuzoja të gjithë si edepsëza. Eshtë në natyrën e shqiptarit, që kur e prekin, të mbrohet duke sulmuar.
Por pasi e “ftoha” veten emocionalisht, bëra pyetjen?
Pse nuk u bëra ministër unë, ti, ai dhe ne, por pikërisht Saimir Tahiri?
Ti mund të më përgjigjesh, se unë po afroj të 60-tat dhe ti vetë nuk ke mbaruar juridik, por pse mos bëhej Ai? Ose një tjetër nga Ne?
Ketu , Ti nuk gjen përgjigje dhe unë detyrohem ta shtjelloj si më poshtë.
Tahirit nuk i mungonin motivet.
Zakonisht të tillat janë ideologjiko-patriotike, por në rastin e Tahirit dhe Tahirëve, janë ato të “karrierës duke fituar lehtësisht para”.
Të tillq qënie “të motivuara” nuk ngurojnë të futen nëpër formacione politike, që në vitet e hershme të rinisë, të ndryshojnë parti herë pas here, të lëpijnë prapanica të liderave, të premtojnë besnikëri ndaj tyre, të shpien një pjesë të mirë të parave tek udhëheqësit, një pjesë tjetër tek Partia dhe një pjesë ta mbajnë për vete.
Të tilla qënie “të motivuara” nuk e kanë për turp të ulen në tavolina me kriminelë, të kërkojnë mbrojtje prej tyre dhe t’ju ofrojnë mbrojtje, të flenë me gratë e shokëve dhe me shokët e grave, të marrin para pa numuruar dhe të japin qindarka të numuruara, të mbajnë pas pasvanë, që ju paguajnë faturat.
Të tilla qënie “të motivuara” nuk kanë nevojë të lexojnë libra, se gjithshka ju duhet e kanë mësuar kafeneve, se të tjera të thonë në sy dhe të tjera ju thonë në telefon atyre me të cilët ndajnë paratë, se nukk e njohin një fjalë të thjeshtë të shqipes , që ka vetëm një rrokje dhe katër gërma – TURP.
Të tilla qënie “të motivuara” ecin kryelartë rrugëve, takohen dhe përqafohen me militantë dhe kriminelë dhe ndjehen zotër të qyeteteve, tokave përreth dhe qiejve mbi to.
Deri sa humbasin “vigjilencën dhe shohin se një qënie tjetër “e motivuar” ja u ka bërë gropën.
Dhe këta nuk jemi as Unë, as Ti, as Ai dhe as Ne!

No comments:

Post a Comment