Ndoshta pasi ju jepet leksioni i parë, studentëtëve të
arkitekturës, duke filluar me thënien e njohur të Luis Kahn “Edhe një tullë do të kthehet në diçka të rëndësishme”
dhe duke e shtjelluar më tej se si një mori tullash, qelqesh, pllakash, të mirëorganizuara
të frymëzojnë për të jetuar më mirë dhe më bukur.
Eshtë diçka e domosdoshme, për të nxitur fantazinë jo hapësinore
por shpirtërore të atyre, që aspirojnë të bëjnë të tyren një nga profesionet më
fisnike të njerëzimit.
Leksioni i Dytë, për mua duhet të nisë me këtë foto dhe të
titullohet:
Si nuk duhet të jetë
arkitektura e qendrës së një qyteti!
Le të themi, se leksioni nuk mbahet në Shqipëri dhe se asnjë
nga të pranishmit nuk e njeh Korçën. Nëse i pyet se : “C’shikoni këtu?” si do përgjigjen
vallë?
Hamendja ime është që një përgjigje mesatare do jetë:
-
Shohim një shesh ose trotuar të madh të shtruar me gurë,
por me një perspektivë të mbyllur për kalimtarët nga një vëllim i rëndë ngjyrë
kafe e errët, që nuk të shpie kund.
-
Ndërtime të paharmonizuara, që i bashkon vetëm një lloj
qethje e barabartë e lartësive.
-
Një kullë metalike telekomunikacioni, që duket pa shumë
lidhje me ç’ka e rrethon.
Kjo do ishte përgjigja e atyre, që nuk kanë kaluar kurrë në
këtë shesh dhe , që nuk mund të arrijnë të përcaktojnë se ku ndodhet.
Formulimi i keq i kësaj pjese të Korçës, që ka qënë dikur e
ndërtuar bukur, ka filluar shumë kohë më parë se të vinin bashkiakët e sotëm
dhe arkitekti Wilson .
U gabua me ndërtesën administrative (Komitetin e Partisë) dhe më shumë akoma me
antenën e Postës, për të cilën specialistët e kohës këmbëngulën të ishte jashtë
qytetit, por pseudo-argumentat teknike të inxhinierëve të PTT-së e bënë të
detyrueshme në atë vend.
Dy ndërtimet e fundit me autor Peter Wilson dhe sidomos
Biblioteka i japin dërmën e fundit këtij fragmenti hapësinor të rëndësishëm, ku
duken të pafajshme tre gështenjat e egra të mbjella dekada më parë.
Përse nuk duhet ndërhyrë kështu, të rinj , që aspironi të bëheni
arkitektë?
-
Sepse ndërtimet e reja janë të proporcionuara keq dhe
“arrogante”
-
Sepse nuk marrin në konsideratë dritën dhe ç’kanë tjetër
përreth
-
Sepse nuk sjellin asgjë të re dhe novative në një
mjedis ekzistues
-
Sepse zenë një vend, që nuk duhet ta zenë dhe cënojnë
peisazhin me vëllimin e tyre
-
Sepse edhe nëse i jepeshin si kuba dhe paralelpipedë
një fëmije për t’i vendosur, ai do kishte pak më shumë “bon sens”.
Shikojeni dhe rishikojeni; hiqni vëllime dhe luani me to;
mundohuni të shikoni diçka të bukur dhe nëse nuk e gjeni mos u dëshpëroni.
Kini mësuar se si nuk
duhet të ndërtohet!
No comments:
Post a Comment