Monday 28 May 2018

Një vit është pak apo shumë?


Sigurisht, që varet nga fusha e jetës rreth të cilës diskutohet.
Një vit në bujqësi është përgjithësisht një cikël prodhimi ndaj duket pak; në letërsi shpesh nuk mjafton për të shkruar një roman dhe sigurisht, që romancierëve ju duket pak; në ndërtim nuk është pak, se mund të përfundosh edhe një objekt të rëndësishëm ndërsa në politikë dhe në gazetari(që është kryesisht reflektimi i të parës) një vit është shumë.
Isha kureshtar të shihja, se ç’pata shkruar në blog në fund të majit të kaluar, sepse e kujtoj si një periudhë parazgjedhjesh në Shqipëri dhe “të bollshme” edhe në opinionet e mija rreth jetës shqiptare dhe veçanërisht asaj të Korçës.
Duket që shumë pak ka ndryshuar në 365 ditë të mbushura me të shara, akuza, përgënjeshtrime, përpjekje për arrestime, përbetime ndershmërie, kacafytje parlamentare, stërkala pështymash të paqëllimta, hedhje balte me dashje, nxirrje realiteti aksidentare dhe stërzmadhime “fitoriesh”.
Edi Rama mbetet Lideri i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Shqipërisë, me një vizion europian, orientim pro-Erdogan dhe xhepat plot. Largimi i tij nga pushteti duket po aq i largët edhe sa anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Ilir Meta, hajduti më i suksesshëmi tranzicionit është President i Shqipërisë të shqiptarëve të vojtur, të ndershëm dhe të virtytshëm.
Lulëzim Basha është i njëjti shef anemik i opozitës, që edhe pse nuk mund të bëjë aq para sa bën kur është në qeveri, kënaqet me ato që i japin socialistët në formë tenderash dhe dëmshpërblimesh.
Ben Blushi është i vetmi, që ka ndryshimin më të madh, nga deputet në fundmaji 2017 dhe lider i LIBRA-s, armik i betuar i Ramës dhe përkrahës i të vobektëve, tashmë është Shef i Madh në  media dhe mik i fshehtë i Ramës  Nuk ka asnjë të dhënë nëse të mirat materiale kanë luajtur rol në këtë ndryshim.
Niko Peleshi nga “zëvendës çuni më i mirë i Shqipërisë“ është kthyer në “lider rural”, por nuk ka asnjë shenjë rritje ose rënieje në raportet me Liderin e Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë, prej ku rrjedhin edhe të mirat materiale. Tashmë i atribuoet edhe shprehja “ më mirë i pari në fshat se sa i shtati në qytet!”
Peter Wilson vazhdon me projektet publike dhe private të Korçës, si dhe me disa mjaft të rëndësishme në kryeqytet. Me stilin e tij të quajtur “brutalizmi provincial Tasmanian”, vazhdon të çudisë të gjallët, që mezi presin të shkojnë në botën tjetër për të kuptuar këto “mrekulli arkitekturore të së ardhmes”.
Këta kanë qënë “personazhet kryesore” të blog-ut dhe si duket më qartë se në një kristal të ardhur hapësirave, as nuk “kanë pjerdhur” fare brenda një viti.
Më i trondituri duket një personazh i vetëkrijuar, që hyri para një viti me pseudonim si komentues në blog, dhe që pa të drejtë unë e quajta “mi gjirizi”. Ose i zhgënjyer nga perspektivat rilindase ose i prekur në interesat personale, ai e humbi vrullin e një përkrahësi pa kushte të Ramës dhe Peleshit dhe të demaskuesit të zjarrtë të autorit të këtyre rrjeshtave. Ndoshta kuptoi, që këta të flakin jo me shumë ceremoni.
Sa pak ka ndodhur brenda një viti dhe sa pak ndryshim.
Sidomos kur mendoj, që jemi 50 vjet pas vitit të jashtëzakonshëm 1968.

2 comments:

  1. Haha tani e pashe kete shkrim,nuk po futesha dot me LiveJournal, po s ka gje se ti me njef mire.
    I dashur arqitekt!
    Me I trondituri ne kete Vitin tat imagjinar me duket se je vete ti qe me stilit tend shterp "korcaresk" post-realizem te te shkruarit, po shteron idete dhe vete lexuesit e tu qe nuk e di nese ekzistojne pervec mirela-ve dhe edvana-ve.
    Ti merresh dhe gjykon te tjeret me nje mendjelehtesi te pashoqe nga e cila do I vine turp edhe fariseut qe gjykon tagrambledhesin. Eshte kjo mendesi e padobishme e ngulitur ne sjelljen e korcareve te cilet me keto biro mend e kane ngrene nga ato burrat me kembe ne toke te Zones I operative.
    Une verdalle jam,shkojme dhe vij po ti me duket se vetem po "shkon" ne humbetiren e ftohte te Quebec...

    ReplyDelete
  2. I dashur M i Gj,
    Nuk te njoh dhe nuk besoj te kem kembyer ndonjehere ndonje fjale me ty. Perafron me dike, qe vuan ne vite kompleksin e mosmarjes te nje diplome universiteti dhe perpiqet ta mbuloje me lexime, mesim gjuhesh te huaja, por per nje deformim te lindur te kokes nuk arrin dot te c'lirohet nga nje kompleks i kote. Jemi keta qe jemi dhe do mbetemi te tille per sa kohe te bejme hije mbi kete dhe. Uroj te sherohesh sa me pare, por ndoshta per kete duhet te heqesh dore nga perkthimet.

    ReplyDelete