Metafora e “peshqve të mëdhenj” e përdorur nga ambasadori
amerikan Donald Lu dhe obsesioni i tij me “të mëdhenjtë“, të sjell në mendje të
famshmin Kapiten Ahab dhe përpjekjet e tij stërmëdha për të zënë balenën
vrastare.
“Lundrimit” të parë të ambasadorit Lu në Shqipëri po i vjen
fundi dhe balenën e bardhë të korrupsionit shqiptar ka arritur ta shquajë në
horizont, por nuk i është afruar dot. Mbase edhe pse i mungonin edhe baleniera,
edhe marinarët, edhe fushnjat.
Donald Lu u mundua të krijonte nga hiçi balenierën e quajtur
“Reforma në Drejtësi” dhe me vështirësi, me hartime dhe prishje projektesh
arriti të bëjë diçka. Ndoshta baleniera nuk është e shpuar dhe do jetë në
gjendje të dalë në det të hapur, por proçesi i ndërtimit është tejet i ngadalshëm.
Nuk është çudi, që e ngadalshme do jetë edhe vetë anija e gjuetisë.
Deri tani është arritur vetëm skartimi i disa pjesëve të
prishura dhe asgjë më tepër. Inercia e sistemit të vjetër dhe ngadalësia e procesit
të Vettingut, i kanë bërë shqiptarët të jenë pesimistë për kapjen e “peshqve
dhe gjitarëve të detit”.
Në këtë proces të vështirë, vërtet që Donald Lu nuk humbi një
këmbë si Kapiteni Ahab, por u përfol nga qarqe të caktuara të vendit dhe të
huaja, si diplomat i njëanshëm, si diplomat që tejkalon me impenjimet dhe ndërhyrjet
statusin e tij. Javën e fundit është folur me keqdashësi edhe se ky ishte fundi
i karrierës së tij diplomatike, që është më shumë se humbja e një këmbe apo një
syri.
Eshtë më se stërmadh?
Ndoshta Donald Lu gaboi kur u mbështet më shumë në fuqia
politike, që është në pozitë dhe ka të ngjarë të jetë koka e Moby Dick-ut?
Mbase e gënjejnë gjithë marinarët që ka rrotull dhe ju
beson?
Nuk janë pyetje që kanë një përjigje të thjeshtë. Edhe me
vendosmërinë dhe durimin e tij, Donald Lu nuk mund të bëjë mrekullira.
Në romanin e Herman Melville “Moby-Dick”, kapiteni Ahab përgatit
një ekspeditë tjetër për tu hakmarrë përfundimisht ndaj balenës vrasëse, që i
mori këmbën. Me pasion, përkushtim, kujdes për hollësitë kryen një udhëtim të
guximshëm.
A do kthehet Kapiteni Lu për balenën e korrupsionit shqiptar
pas disa vitesh?
Ka të ngjarë, që kjo të jetë thuajse e pamundur.
Ndoshta më mirë se edhe fundi i Ahab-it ishte tragjik.
No comments:
Post a Comment