Friday, 20 April 2018

Periudha post – Saje


6 muaj më parë, në valën e deklaratave të ambasadorit Lu për kapjen e “peshqve të mëdhenj” dhe konstatimeve te ministrit Fatmir Xhafaj se në Shqipëri kishte 4 familje krimi dhe 40 grupe kriminale, shkrojta shënimin politiko-imagjinar “Mblidhen katër familjet e krimit”, ku spekuloja se përfaqësuesit e familjeve mafioze shqiptare ishin mbledhur në një darkë në Petrelë dhe kishin vendosur të dorëzonin “peshkun e madh” me iniciale S.T. për të kënaqur dhe platitur ambasadorin amerikan.
Fati si gjithnjë, i buzëqesh fillestarëve ndaj atë rradhë më buzëqeshi mua si fillestar në gazetari dhe më se fillestar në politollogji.
Disa ditë më pas plasi skandali i Saimir Tahirit, që troshiti qeverinë Rama dhe pjesët e tjera të institucioneve shtetërore shqiptare.
A e dorëzuan familjet e mëdha mafioze, apo rastësia e përgjimeve italiane, apo ndonjë rrethanë tjetër e pakonceptueshme nga analistët dhe politollogët fillestarë, kjo mbetet për tu parë, kur Saje Qorri të shkruajë kujtimet në ndonjë qeli të burgut të “jakave të bardha”.
Por ç’ka ndodhur , që në plasjen e skandalit dhe ç’do të ndodhë pasi Tahiri të mos jetë më deputet, por të jetë i akuzuar në një proces gjyqësor?
“Procesi hetimor”i Tahirit ka pasur një periudhë letargjike dhe vetë Tahiri thuajse u harrua. Me ngrohjen e motit, ardhjen e Mogherinit me raportin e saj për propozimin për hapjen e negociatave, Saja ridoli në skenën politike duke kërkuar të ketë një “rehabilitim” të plotë politik. Deklaratat gjysëm përçart dhe gjysëm të koduara, të dhëna nga një individ me intelekt nënmesatar dhe me një arsimim të cungët, të cilit kryeministri i jonë delirant i kishte dhënë postin më të rëndësishëm në qeveri, dëshmojnë se Tahirit po i afrohet fundi. Dikush e informon , që nuk të mbrojmë dot, se për arsyen X dhe për “raison d’etait” duhet të shkosh ca vite brenda. Si një mafioz i papërvojë dhe i pabalancuar, Tahiri shkumbëzon duke kërcënuar se do i tregojë gjithë bashkëpuntorët e tij të fuqishëm, duke harruar, që përdorimi i asaj arme mund ta fundosë më keq në burg, ose t’i sjellë një “gojëmbyllje” të përjetshme.
Duket se Tahiri nuk ndjek as lajmet e huaja. Sot u dha vendimi për Marçelo Del’ Utrin në procesin e bashkëpunimit të Mafias italiane me shtetin, por dinaku Del’ Utri nuk e dorëzoi bosin e tij Berluskonin, me të cilin kishin formuar “Forza Italia”. U dënua vetëm me 8 vjet dhe duke llogaritur edhe shkallët e tjera të dënimeve, mund të përfundojë duke u dënuar shumë më pak.
Por Saja nuk është Del’ Utri.
Edhe Rama nuk është Berluskoni. Nëse mblidhen shifrat e IQ të Sajës dhe Ramës nuk arrijnë të bëhen sa të Del’Utrit.
A mund të krijojë Tahiri një çorbë të madhe, që të implikojë Ramën apo të tjerë mafiozë shqiptarë?
Gati e pamundur.
Jemi ende në periudhën infantile të Krimit të Organizuar shqiptar. Ka për të rrjedhur edhe shumë ujë deri në pjekurinë e tij dhe më pas në rënien.

No comments:

Post a Comment