Në mënyrë intuitive, pa ndonjë tregim të atyre, që e kanë
jetuar atë kohë, më është krijuar përshtypja se në “betejat” për pushtet të
komunistëve ka pasur një luftë të ashpër mes korçarëve (këtu po fus edhe
kolonjarët) dhe luftëtarëve të Shqipërisë Jugperëndimore (Zona Vlorë- Gjirokastër-
Mallakastër- Kurvelesh). Një studim serioz nga historianë të paanshëm munnd të
hidhte dritë në këtë pjesë të Historisë së Shqipërisë, që ka pasur shumë të
pushkatuar dhe të burgosur ndërmjet fitimtarëve të Luftës.
Në vitet ’60, kujtoj , që korçarët akuzoheshin si “lokalistë“.
Nuk di se kush ja u kishte ngjitur këtë damkë. Njëkohësisht qarkullonin në të
dy kampet parrullat “Vlora e bëri luftën” dhe “Korça ka qënë baza e luftës”.
Ithtarë të të dy palëve numuronin se sa brigada ishin formuar në zonën e tyre
dhe se cilat kishin qënë më të suksesshmet. Ende pra kishin mbetur “rrahjet e
gjoksit”, që lidheshin edhe me pozitat që merrnin palët në krye të piramidës
dhe në mesin e saj.
Komunistët e Korçës ishin të majtë para atyre të zonës së
tjetër. Dhe kjo ishte e kuptueshme se Korça ishte qyteti më i përparuar
shqiptar dhe i vetmi ku kishte hyrë kapitalizmi. Lista e të majtës kishte dalë një herë fituese në zgjedhjet bashkiake dhe Koçi
Xoxeja pat qënë për disa vjet nënkryetar bashkije. Duhet thënë se pjesa më e
madhe e komunistëve të parë ishin zanatçinj duke nisur me Miha Lakon, Titanët,
Koçin, Pandi Kriston, Pilo Peristerin, Kristo Themelkon, Shambllinjtë, Nesti Kërënxhin,
Vaske Kolecin, Rita Markon, Zoi Themelin dhe shumë të tjerë. Ata, të cilët
kishin mbaruar liceun francez si dhe ata që ishin shkolluar në universitete
jashtë Shqipërisë si Koço Tashkoja, Ymer Dishnica, Raqi
Qirinxhi, Nexhip Vinçani, Taqi Skëndi, Koço Theodhosi, Todi Maliqi, Misto
Treska, Vandush Vinçani e të tjerë, ishin më të pakët në numur dhe kishin edhe
më pak peshë në atë grupim, sidomos në fundin e Luftës.
Rivaliteti i dy grupimeve të luftës, që është një dukuri
normale në të gjithë llojet e lufrave për pushtet apo edhe të revolucioneve
duhet të ketë nisur rreth vitit 1943, atëhere kur lëvizja nacional-çlirimtare
mori një lloj hovi. Enver Hoxha duhet të ketë luajtur një rol të fuqishëm në
nxitjen e këtij rivaliteti. Ai njihej dhe kishte marëdhënie të mira me komunistëtë
e Korçës, por njëkohësisht ishte i vetëdijshëm se ata ja njihnin veprimtarinë
shumë të kufizuar komuniste , si dhe plot “horrllëqe” të rinisë së tij.
Komunistët e Shqipërisë Jugperëndimore ishin më të pakët, më
të rinj në moshë dhe Hoxha e dinte, që mund t’i manipulonte më lehtë.
E megjithatë, duhet pasur kujdes, që jo të gjitha “mëkatet”
e kësaj “lufte të brendshme” dhe pasojave të saj duhen ngarkuar tek një njeri i
vetëm. Në një pjesë jo të vogël të “luftëtarëve të lirisë“ mund të gjeje
deformime të mëdha karakteri , që fillonin me arrivizmin dhe përfundonin në
raste ekstreme me sadizmin. Nuk ka se si spjegohen ndryshe krimet e luftës dhe
të mëvonshme të mësuesit Nevzat Haznedari, liceistit Mihallaq Ziçishti,
ushtarakut Mehmet Shehu, ushtarakut Shefqet Peçi e të tjerëve si ta. Ashtu si e
përshkruan Petro Markoja, një bisedë të tij me Sejfulla Malëshovën në Berat, në
tetor 1944, Partia Komuniste Shqiptare nuk ju ngjante simotrave të saj franceze
apo spanjolle, por ishte një bandë terroristësh, që luftonte për një pushtet jo
demokratik.
(vijon)
No comments:
Post a Comment