Monday 16 April 2018

A duhet të gëzohemi për ndërtimin e TEC-t të Korçës?


Përgjigje e vështirë.
Le të themi se çdo lloj investimi i huaj duhet përshëndetur. Sjell punë dhe zhvillim. Një pjesë e mirë e investimit prej 350 milion eurosh do qarkullojë në ekonominë lokale.
Po pastaj?
Sipas njoftime jo të plota në shtyp, në afërsi të Pojanit dhe Plasës do ndërtohet një termocentral me gas natyral, që do prodhojë energji elektrike. Pronarët e TEC-it do blejnë gas nga gazsjellësi TAP dhe do e kthejnë në energji elektrike, të cilën do ja shesin sistemit elektrik shqiptar, shtetëror a gjysëm shtetëror, si është për momentin.
Le të mos hyjmë në hesapet e investitorëve se dinë t’i bëjnë mirë dhe as në “hesapet” e qeveritarëve, të cilët gjithashtu dinë t’i bëjnë llogaritjet e përqindjeve , që hyjnë në xhepat e tyre.
Le të shohim për një moment me entusiazëm këtë investim për qytetarët e Korçs dhe vendbanimeve rreth saj.
Ka një përpjekje, që të bën të dyshosh, se qeveritarët dhe administratorët lokalë, po bëjnë përpjekje për ta” shitur” këtë investim sin jë zgjidhje edhe për ngrohjen e qytetit të Korçës.
Fund e krye gënjeshtër!
Uji i ngrohtë, që do krijohet nga ftohja e impianteve të TEC-it, as mund të llogaritet se mund të përdoret për qytetin e Korçës. Do kërkojë investime, për tubacione, që nuk ja vlen barrra qeranë të kryhen. Asnjë investitor privat nuk do e bëjë këtë gjë.
Qëllimi i kësaj gënjeshtre është për të kaluar sa më lehtë para qytetarëve, një investim, që  është i dëmshëm për mjedisin.
Norvegjia, prodhuesi më i madh europian i naftës dhe i gazit, ka ndaluar ndërtimin e TEC-eve dhe pas dy vjetësh, të gjithë energjinë elektrike do e prodhojë me burime të rinovueshme. Në këtë drejtim po shkojnë të gjitha vendet skandinave.
Ka shumë studime, që i konsiderojnë TEC-et me gas po aq të dëmshme për mjedisin sa ato me naftë, bile edhe më tepër për shkak të rrjedhjeve të paeliminueshme të gazit metan nga tubacionet.
A i duhet zonës sonë një ndotës kaq i madh i mjedisit?
Vërtet gazsjellësi I TAP-it krijon mundësi për të prodhuar energji me kosto më të ulët, por a duhet konsideruar kjo si një leverdi e madhe për banorët?
Ne vërtet kemi një ekonomi të varfër, që ka nevojë për investime të huaja, por nëse këto investime do sjellin dëme në shëndetin e banorëve në breza a duhet të gëzohemi për to?
Ekzistena e korrupsionit të madh, detyrimisht të bën dyshues për çdo lloj investimi të madh. Për më tepër kur shoqërohet edhe me prmtime të rreme, si kjo e ngrohjes së qytetit.
Po bëhen 70 vjet, që qeveritarët e Tiranës, e kanë më të lehtë se në çdo qytet tjetër të Shqipërisë , të kalojnë investime të dyshimta. Diçka ka “ngordhur” në ndërgjegjen qytetare të korçarëve.
Edhe pse mund të mos jetë e nevojshme një protestë si ajo për ndalimin e “Skënderbeut” nga Kupat e Europçs, një diskutim i gjërë me pro dhe kundra për TEC-in e ri është i domosdoshëm.
Mos themi përfundimisht , që jemi katandisur në një turmë, që do vetëm “panem e circesnes” (kërnace dhe futboll- përkthim i imi) dhe nuk jemi në gjendje të mendojmë për të ardhmen tonë.
Le “t’i vemë në fronkë“ qeveritarët dhe kur të bindemi se nga TEC-i kemi vetëm të mira, atëhere t’i lejojmë ta ndërtojnë.


No comments:

Post a Comment