Në mes të shumë dyzimeve rreth Kadaresë, që më kanë shoqëruar
në këto 20 vjet, ka qënë ajo se a duhet shkruar në mënyrë kritike ndaj veprës
dhe jetës së tij. I përballur me shkrime të shumë ithtarëve fanatikë të tij, që
e “ngrenë në qiell” duke e quajtur “shkrimtari më i madh botëror, që jeton”, në
mënyrë të natyrshme të vjen të shkruash, që kjo lloj deklarate nuk është e vërtetë
dhe do mjaftonte ta quanim shkrimtarin më të suksesshëm shqiptar dhe njëkohësisht
më prodhimtarin. Nëse do bëhej fjalë për gjinitë në të cilat ka krijuar,
personalisht do e rrjeshtoja si prozatori më i mirë shqiptar pas Kutelit dhe ndër
poetët më të mirë, që vijnë disa shkallë poshtë Migjenit.
Botimi sot i një parathënieje të Ismailit në ciklin e
botimeve të Ministrisë së Brendëshme “Heronjtë e heshtur”, ngacmon edhe një herë
“çështjen Kadare”, që lidhet më shumë me raportet e tij me Diktaturën dhe jo me
cilësinë e veprës së tij apo me bindjet e tij filozofike.
Rreth atij shkrimi të bërë në vitin 1974 mund të ketë shumë
komente pro dhe kundër, por që nuk sjellin asgjë të re në debatin rreth veprës
së Kadaresë.
Cështja, që më ngjall interes është se “a duhen prekur
gjenijtë?”
Një botues serioz, disa vite më parë më shkruante, që i
kishte bërë një premtim vetes, të mos lejonte botime të shkrimeve kundër
Kadaresë, duke patur parasysh dimensionet e tij letrare dhe si e vetmja figureë
e shqiptare gjigande në letërsi dhe arte.
Nuk mu duk qëndrim i gabuar, edhe pse mendoj se informimi i
plotë i publikut rreth veprës dhe jetës së personaliteteve të mëdha është detyrë
e botuesve.
Por a është Kadareja gjeni dhe a e ulin vlerësimin e veprës
së tij shkrimet kritike?
Nëse do i prëgjigjeshim pozitivisht pjesësë së parë të
pyetjes, atëhere pjesa e dytë e saj merr njëherazi përgjigje negative. Eshtë njëlloj
sikur të thuash, se veprës së Dostojevskit ja ul vlerën fakti, që ai ka qënë
kumarxhi, veprës së Bodlerit, përdorimi i i opiumit dhe jeta hedoniste, apo
veprës së Poes, përdorimi i shumtë i alkolit. Në shumë “vese” të shkrimtarëve
gjenij, shpesh herë mund të gjesh edhe një pjesë të spjegimit të veçorive të
veprës apo edhe të gjenialitetit të saj.
Cdo qëndrim i kundërt
është i ngjashëm me qëndrimin që impononte kisha ndaj shenjtorëve.
Shkrimtari-gjeni nuk pse të jetë domosdoshmërisht i përkorë.
As edhe deformimet e mëdha të karakterit nuk e bëjnë më pak të zotin.
Për sa i përket shkrimit të botuar sot, ku Kadareja ndjek
pikë për pikë linjën zyrtare të Partisë së Punës, duhet thënë se nuk kishte se
si të bënte ndryshe.
Nëse sektori i Propagandës i Komitetit Qëndror do i kërkonte
një shkrim të tillë, refuzimi do të ishte vetëvrasje. Ishte viti menjëherë pas
goditjes në sektorin e Letërsisë dhe Arteve dhe Kadareja, ashtu si shumë
krijues të tjerë ishte plotësisht i pambrojtur. Shkrimi jo vetëm , që duhet të
ndiqte linjën zyrtare, por të pasqyronte edhe një lloj frymëzimi të autorit,
pasi dihej , që çdo fjalë e shkruar do analizohej thellësisht nga “vigjilentët”
dhe ingranazhet e tjera të sistemit.
Kjo nuk e bën Ismailin “shkrimtar oborri” dhe më keq akoma
bashkëpunëtor të Sigurimit të Shtetit.
Dhe një paragraf shtesë mbi efektin e veprës së tij në
lexuesit në perudhën, që u shkruan veprat. Përgjithësisht, në masën e lexuesve
të paformuar dhe të painformuar, efekti i shumicës së veprave të Kadaresë ishte
i njëjtë me atë të ideolgjisë zyrtare. Tek lexuesit më të kënduar, apo në ata
që ishin kundërshtarë të regjimit, vepra kuptohej më thellë në ambiguitetin e
saj dhe mund të gjenin edhe shkëndija të kritikës së fortë ndaj sistemit, gjë që
nuk hasej në veprat e tjera. Ndaj edhe veprat e tij, pa u nxituar të
konsiderohen si kryevepra, duhen parë në të gjithë gamën e nuancave të tyre dhe
në efektet mbi lexuesit.
Në përfundim duhet thënë, që kemi qënë të gjithë me fat, që
Kadareja nuk përfundoi në burg.
Do kishte shkruar më pak dhe letërsia e tj do kishte mbetur
në heshtje, ashtu si ka mbetur edhe letërsia e disa dissidentëve.
Propaganda gjithnjë ka ndihmuar shitjet e librave dhe
rritjen e famës së autorëve.
No comments:
Post a Comment