Prilli gjithnjë ka qënë një muaj i vështirë. Kohë përpara se
të dilte “Prilli i thyer” i Kadaresë, bile edhe më parë se në mjeshtërinë e
aktorit, studentët e rinj të mësonin të theshin sa më shpejt dhe rrjedhshëm
shprehjen “Pirdh o prift në prill!”
Nuk ka një studim të plotë, se pse prilli në anët tona është
kaq i vështirë, por edhe po qe se do bëhet nga historianët, ka rrezik, që shkaqet
të jenë krejtësisht të kundërta. Historiani Xhufa do i rëndojë faktit, që “kur
hyri prilli e pushoi këngën bilbili”, ndërsa studiuesi Tufi do e lidhë me 11
prillin dhe vdekjen e Diktatorit. Sepse nuk i kanë thënë kot, “që nuk mund të bësh
një Tufë me Xhufë“.
Prilli është muaji kyç për bujqësinë, sepse vazhdojnë
mbjelljet, fillojnë prashitjet, ndërthuren me lesitjet dhe njëkohësisht
planifikohen ujitjet, por Ministrinë e Bujqësisë, pikërisht në këtë kohë kaq
delikate dhe vendimtare, e çorodisin me lëvizjen mbarëkombëtare “Ne jemi
kuksianë“. Po kuksianët vetëm për prodhim
patatesh janë shquar. Ministria duhet t’i përgjigjet me lëvizjen e re “Ne jemi
devollinj”, vetem se edhe shoqata “Devolli”, këtë muaj ka qënë e përqëndruar në
mbjelljen e pemëve në kodrat e Liqenit Artificial dhe jo në qepët për të cilat
kanë qënë me emër në gjithë Europën.
Në prill, Qeveria ka vendosur të aplikojë gjithë llojet e
taksave, sa një pjesë e madhe e popullsisë, ka dalë me pankarta ku shkruhet
“Arrestomë dhe mua”. Dihet që në burg nuk paguan as taksë banese, as TVSH dhe
as taksë shitjeje në trotuar, por kjo është vallë zgjidhja? Me se do mbahen këta
njerëz burgjeve? Sigurisht, që me paratë e taksave.
Sa më shumë njerëz të futen burgjeve aq më shumë do rriten
taksat.
Ndaj zgjidhja më e mirë është, që me rastin e 11 prillit, të
ketë një amnisti të plotë për të gjithë ata, që janë dënuar dhe sidomos për
ata, që priten të arrestohen duke nisur me Tahirin, Metën, Ahmetajn, Gjushin,
Sejdinin e duke përfunduar tek Rama.
Ne mund të shpallim se jemi i vetmi vend në botë pa burgje.
Heqja e burgjeve do sjellë edhe një ulje të numurit të policëve,
për t’ju krijuar këtyre të fundit mundësi për kohë të lirë, që të venë baste, të
bëjnë pakëz korrupsion dhe mbi të gjitha të bëjnë selfie hoteleve me brekë të
ulura dhe me organin jashtë.
Më çudit pa masë kjo ngjarje, kur një polici nuk i mjafton të
dërgojë një foto të tij pa kapele, për të eksituar një femër.
Në prill luhet edhe Drama më e madhe kombëtare, ajo e
Teatrit Kombëtar, që transmetohet drejtpërdrejt në gjithë televizionet kombëtare
dhe lokale.
Nuk e kuptoj përse shqetësohen artistët e Tiranës nga kullat
, që do ngrihen pas teatrit?
Ne na ngritën një kullë bash në hyrje të tij dhe jo vetëm që
artistët nuk u ankuan, por që nga koha e Kullës, ju ka ardhur një frymëzim i
paparë, sa e kanë të vështirë të “performojnë“ në skena botërore, pa kulla përreth.
(Në fund të fundit edhe regjisori më i madh shqiptar dhe
aktorja më e madhe mbiemrin Kulla e kanë- Pëllumb dhe Xhulieta ).
P.S. Nuk mund të lija në këtë kolazh pa përmendur edhe zënkat
nuse vjehrrë, që shtohen në prill. Këtë rradhë nuk po ndjehen akoma Nexhi me
Lilin, por një gjë është e sigurt, se po të kishte vdekur Nexhi para vitit 1985
dhe kujdesi për shëndetin e sho Enver të ishte lënë Sokolit dhe Lilianas, sot
Enveri do ishte 110 vjet, Shqipëria do ishte më e fortë se kurrë dhe
kryeminitre do ishte shoqja Lenka se byroistëtë e tjerë kanë lënë armët varur.
Portofolet e tjera në qeveri do ishin të pandryshuara.
No comments:
Post a Comment