Përveç anës qartazi të dobishme të kujtesës kolektive, që është
të mësuarit nga fajet apo gabimet, për tu mbrojtur nga tiranët dhe kriminelët,
që duan të marrin pushtetin, ka edhe të tjera dimensione më personale dhe njerëzore,
që e bëjnë të nevojshme kujtesën.
i pari, është një lloj sensi i së drejtës, që është më se i
duhur jo vetëm për ata, që preken drejtpërdrejt nga një ngjarje, por edhe për të
tjerët, që kanë të nevojshme të sigurohen se në shoqërinë njerëzore ka një
ekuilibër dhe se punët e mira nuk shkojnë dëm.
Duke ju referuar të njëjtit shembull, jetët e të katër
intelektualëve të dënuar nga Diktatura u shkatërruan plotësisht. Kiço Venetiku
dhe Vangjush Tushi vdiqën në burg. Të parit, ndoshta nuk i dihet as varri,
sepse nuk kishte fëmijë dhe njerëz shumë të afërt. Ndoshta të njëjtin fat pësoi
edhe e motra, e para fotografe femër në Shqipëri. Gaqo Peci jetoi edhe shumë
vjet pas daljes nga burgu, por qyteti i tij (administrata më saktë), e pati
harruar në gjallje dhe pasi u largua nga jeta.
Duhet të mos ngatërrojmë kujtesën, që nxit ndjenjën
primitive të hakmarrjes, me kujtesën për të vënë në vend Drejtësinë. Qoftë edhe
vetëm moralisht.
Ata, që përndoqën apo kontribuan në dënimin e Venetikut,
Tushit dhe Pecit, patën një jetë normale dhe ndoshta u përcollën të nderuar për
në banesën e fundit. Nuk dua t’i stigmatizoj si Juda, si të pashpirt apo më keq
si kriminelë, por dua të theksoj se mësimi që jepet nga ky qëndrim i dyfishtë i
shoqërisë është - Oportunistët dhe shërbëtorët
e çdo pushteti shpërblehen në këtë jetë.
Pikërisht për të shmangur këtë mësim të keq, sidomos për të
rinjtë, shoqëria duhet të bëjë “korrektimet” e nevojshme, edhe pse nuk është e
domosdoshme, që “fajtorët” të ndëshkohen. Por në rradhë të parë, ata nuk duhet
vlerësohen më shumë se sa duhet për veprat e tyre, që nuk lidhen me shërbimet
ndaj pushtetit.
Rasti më flagrant, që lidhet vetëm me këtë ngjarje, është ai
i vlerësimit të studiuesit Nasho Jorgaqi me titullin “Honoris Causa” nga
Universiteti i Korçës. Në disa shkrime, kam përsëritur, që një nga “provat” që
përcaktuan dënimin e Gaqo Pecit, ishin letrat, që ai i kishte dërguar Nasho
Jorgaqit, ku shprehte pikëpamjet e tij kundër Realizmit Socialist.
Në Universitetin e Korçës, nuk besoj se ka ndonjë vend, ku përmenden
Sotir Peci dhe djali i tij. I pari, gazetar, patriot i shkëlqyer dhe burrë
shteti ndërsa Gaqoja, gjuhëtar dhe mësues i shkëlqyer. Janë figura, të cilat i bëjnë
nder qytetit dhe universitetit, por veç një rruge me emrin e Sotir Pecit, e
vendosur, qysh në kohën e Diktaturës, asgjë tjetër nuk ngacmon kujtesën
kolektive të korçarëve.
Të paktën një pllakë përkujtimore, duhet të vendoset në
Pallatin e Kulturës për piktorin Vangjush Tushi, që kontibuoi mbi 40 vite si
artist dhe pedagog i pikturës. Ndërkohë, në qytet mbillen pemë apo vendosen
pllaka, për njerëz të artit, që kanë bashkëpunuar me Sigurimin e Shtetit.
Orkestra frymore (banda e qytetit) duhet të marrë emrin e Kiço
Venetikut, për punën e gjatë dhe cilësore, që pat bërë.
Dhe të gjitha këto, jo thjesht për të kujtuar emrin dhe veprën
e tyre, por për t’ju treguar brezave se idealizmi dhe jo pragmatizmi apo çizmelëpirja,
janë vlerat, të cilat shoqëria njerëzore kërkon t’i mishërojë në çdo pjestar të
saj.
Njeriu ka një cilësi që e dallon veçanërisht nga kafshët dhe
që është Altruizmi.
Në kohën kur materializmi, egoizmi, pragmatizmi janë shtuar
kaq shumë dhe rrezikojnë të sjellin të tatëpjetën e shoqërisë, përmendje a përsëritur
e shembujve altruiste nga e kaluara është domosdoshmëri.
Këtë nuk duhet ta harrojmë kurrë.
No comments:
Post a Comment