Tuesday 3 April 2018

Panis Angelicus


Përse mes atij pylli, të vetëm
Kërkonim të gjenim liqenin?
Pasqyrimin e qiellit kërkonim,
Një fole të fshehtë,
Misterin e pavdekësisë së pemëve
Apo veten tonë do gjenim?
Në trup nuk kishim tesha,
Ashtu si pylli gjethe nuk kishte
Mbi trungjet e rrëzuar
Lastarë të tjerë kishin dalë,
Mundoheshim të gjenim myshqet mbi lëvore
Dhe befas ndeshëm
Në një lirishte.
Të thashë:
“Ulu më prit,
E ndjej që uji është më tej.
Do shkoj të kridhem e kthehem prapë
Mbuluar nga flokët këtu do të gjej.”
Ti u mbështolle me frikën e vetmisë,
Dhe me sy më the “Mos ik!”,
Prej copës së kaltër të qiellit.
Një afsh ëmbëlsie zbriti,
Porsi një tingull magjik.
Panis Angelicus ishte,
Vertet i ëngjëjve ushqim,
Të kredhur në njomësinë e asj melodie
Përqafuar ndenjëm në lirishte,
Njësh të bërë,
Të dashuruar
Deri në amëshim.

No comments:

Post a Comment