Ky është një diskutim shumë i vjetër në shoqëritë njerëzore.
Fillon me ngritjen e piramidave, që në gjallje të faraonëve dhe vazhdon më tej
me monumentet e fisnikëve, luftëtarëve, por ndonjëherë edhe të mendimtarëve
shumë të shquar.
Tek ne tradita nuk është shumë e vjetër.
Ka të bëjë përgjithësisht me kohën e Turqisë dhe me
islamizmin, që ndalonte ngritjen e përmendoreve të njerëzve, jo vetëm në
gjallje, por edhe pas vdekjes. Bile, në disa variante më ekstreme të
islamizmit, te shquarit varrosen në varre pa emër, për të mos u bërë vende
pelegrinazhi.
Me pavarësinë e shtetit shqiptar, filluan ndryshimet alla-frënga
edhe të vlerësimeve dhe përkujtimeve të personaliteteve tëmëdha të vdekur dhe të
gjallë. Për shembull, u emërtuan bulevarde me emrin e “Zogut të Parë“, shkolla
me emrin “Nana Mbretneshë“, lulishte me emrin e princeshave e të tjera si këto,
vlerësime që në gjallje të më të shquarve.
Pas Luftës së Dytë, u vazhdua me uzinat “Enver”, kombinatet “Stalin”,
hidrocentralet “Mao Ce Dun” dhe të tjera emërtime të ngjashme, të të mëdhenjve,
që ende merrnin frymë.
Duket se nën këtë shembull edhe në mijëvjeçarin e tretë, nuk
do mungojnë nismat për të vlerësuar personalitetet e pushtetit (në mënyrë të
ngjashme me vlerësimin e mbretërorëve).
Një murale e madhe është bër në Tepelenë për Edi Ramën.
Poezi janë thurrur për të, Sali Berishën dhe Monika Kryemadhin. Nuk kanë
munguar edhe poezitë e poetëve korçarë për Niko Peleshin, si personaliteti më i
shquar, që ka nxjerrë Korça, që prej pushkatimit të Themistokli Gërmenjit.
Në mediat sociale, herë herë hasen nisma, për të emërtuar
rrugë ose sheshe të qytetit me emrin e ish-kryetarit të Bashkisë dhe sot Ministër
i Bujqësisë.
Personalisht mendoj, se emërtimet për vlerësimin e një
figure, ose përmendoret për ta duhen ngritur pas vdekjes. Në këtë mënyrë vlerësojmë
veprën e një figure të caktuar, por njëkohësisht edhe shmangim mundësinë, që për
një arsye ose një tjetër, për devijime të mëdha ose të vogla të personalitetit
, që është ende aktiv, të detyrohemi të heqim emërtimet apo të prishim përmendoret.
Le të mendojmë për një çast, që në Tiranë ose në Tepelenë, të
ishte ngritur një shtatore e Saimir Tahirit, ose t’i ishte vënë emri një sheshi.
Pa vënë në dyshim kontributin e madh, që ka Nikoja në “rilindjen”
e Korçës, është e mira, që t’i jepet edhe pak kohë sendërtimit të emrit të tij
të lavdishëm.
Ose të gjendet një rrugë e mesme.
Le të emërtojmë Kullën Vrojtuese, Kulla “Peleshi” dhe me këtë
shprehim edhe adhurimin, që kemi ndaj Nikos dhe në të njëjtën kohë, në rast të
një tatëpjete të tij (larg qoftë!), prishim Kullën dhe të fituar dalim të gjithë.
No comments:
Post a Comment